Përralla e Gjermanisë së plotfuqishme
Gjermania dikton pjesën tjetër të Europës sipas vullnetit të saj: Me këtë shprehje do të votohet në Greqi këtë fundjavë. Por Gjermania nuk është në asnjë mënyrë e plotfuqishme- këtë e tregoi edhe vendimi më i ri i BQE
Nga David Boecknig, Spiegel
Kur grekët të shkojnë në votime të dielën, ata do të vendosin edhe mbi bazën e dy interpretimeve shumë të popullarizuara gjatë krizës së vazhdueshme prej pesë vitesh. A është vendi keq, për shkak se ata kanë jetuar përtej mundësive të tyre dhe kanë kursyer pak? Apo fuqitë e huaja e kanë zhytur vendin në varfëri- të udhëhequra nga Gjermania, e cila dikton pjesën tjetër të politikës së Europës?
Një grek mesatar ka humbur që nga nisja e krizës rreth një të tretën e pagës reale- në rast se nuk i përket atij rrethi që ka humbur komplet punën.
Këtyre njerëzve nuk duhet t’u bëjë kush më apel për kursim. Përgjegjësia për gjendjen ende të dobët qëndron kryesisht në mesin e elitave në politikë dhe biznes, të cilat janë ende të lidhura në mënyrë të diskutueshme.
Nëse Syriza do të fitojë tani, siç ka premtuar, do i japë fund kësaj lidhjeje.
Syriza është rritur megjithatë edhe falë këtij interpretimi popullor, sipas të cilit Gjermania i ka nënshtruar shtetet në masa kursimi sipas interesave të saj.
Kjo është e pakuptimtë, përkundrejt ndikimit të madh e të pamohueshëm të qeverisë gjermane. Një nga provat më të mira është vendimi për blerje masive bonosh nga Banka Qendrore Europiane, i shpallur të enjten.
Nëse Europa do shkonte sipas vullnetit të Gjermanisë, ajo nuk do të kishte ardhur kurrë në këtë program.
Me këto blerje, BQE po tenton të parandalojë një spirale deflacioni me rënie çmimesh.
Këto nuk kanë prekur asnjë vend tjetër më fort se Greqinë, Portugalinë, Spanjën dhe Qipron. Në Gjermani nga ana tjetër, çmimet janë ende të moderuara. Kompanitë në Gjermani nuk e kanë të nevojshme këtë masë të BQE për të forcuar ekonominë.
Ndërkohë Gjermania përfiton nga programi, pasi eksportet do të jenë më të lira. Megjithatë, në këtë vend peshon më shumë kritika e rrezikut afatgjatë, se ky program mund të krijojë flluska të reja çmimesh. A mund të dekurajojë BQE diçka të tillë? Natyrisht që jo. Politikanët gjermanë respektojnë pavarësinë e një institucioni, i cili nuk ka në mendje vetëm interesat gjermane, edhe pse është krijuar sipas modelit të bankës qendrore gjermane.
Solidaritet, edhe kur kërcasim dhëmbët
Pa dyshim, ky është një solidaritet me kërcitje dhëmbësh. Por Gjermania nuk e ka të lidhur fatin me Greqinë vetëm përmes programit të bonove. Në fund, një pjesë e madhe e borxheve të Greqisë- të marra nga fondi i shpëtimit të Euros- rreth 65 miliardë euro, është në Gjermani. Nëse Syriza vendosi që të shkurtojë sërish borxhin, kjo do prekë pa dyshim drejtpërdrejt taksapaguesit gjermanë.
Në të gjithë polemikat mbi politikat shtrënguese, Greqia deri më tani është mbështetur tek angazhimet për ndihmë nga pjesa tjetër e Europës.
Rreth dy vjet më parë, shefi i BQE, Mario Draghi tha se do bëjnë gjithçka për të shpëtuar Euron.
Programi i blerjes së bonove është përmbushja e këtij premtimi. Shpresojmë që qeveria e ardhshme greke të ndjehet e detyruar për të përmbushur marrëveshjet e mëparshme.