Përse Gjiknuri, Rama dhe Ahmetaj fshehin 4 ofertat për “Skavicën”
Zotin Gjiknuri e njoh në raporte pune dhe mendoj që është një zyrtar serioz dhe që ka nga të paktat arritje ekonomike të kësaj qeverie, si me OSHEE-në. Por në raport me Skavicën, ai flet mendimin e arkitektëve të shkatërrimit të saj Rama-Ahmetaj. Bile kam informacion që, po të mos ishte rezistenca e ministrit Gjiknuri dhe specialistëve të tij, Rama-Ahmetaj do ta kishin copëtuar Drinin e Zi si dikur kjoskat e Lanës në shumë HEC-e të vegjël, që do t’jua jepnin miqve të tyre.
Zoti Gjiknuri më datën 21.1.2016 në Parlament tha (transkriptim i videos): “Për Skavicën … ka një standard ndërkombëtar, që quhet: “Digat e Mira e Digat e Këqija”. Këto projekte mund t’i bësh në Kinë apo në vende të tjera, që shteti ka tokën dhe nuk e shpronësonte fare, se e quante të tijën dhe janë vende kryesisht diktatoriale, që nuk pyesin fare për të drejta pronësore dhe nuk ka asnjë institucion financiar, që të financon projektin, kur ke shpronësime të tilla dhe kur ka kundërshtim për shpronësimet”.
Pra në thelb fjala e tij qëndron në tre pika:
– Skavica e Madhe është jashtë standardeve, se përmbyt 1/5 e Dibrës.
– Dhe me që ka kosto të madhe shpronësore, nuk ka institucion që e financon.
– Vendet që bëjnë të tilla vepra të mëdha, janë diktatoriale e jo vende “me demokraci të zhvilluar si Shqipëria”.
Zoti Gjiknuri,
a. Për saktësi juridike, Skavica e Madhe është i vetmi variant zyrtar, i aprovuar nga Qeveria Shqiptare në vitin 1961e i ratifikuar me marrëveshje me RSF të Jugosllavisë dhe është ende në fuqi (nuk e ka shfuqizuar kush). Ai parashikon një digë 220 m, deri në lartësinë 485 m, me fuqi 390MW, me prodhim 2 miliardë MWh në vit (me vlerë prodhimi mbi 100 milionë euro në vit), me rezervuar ujor 7 miliardë m3 ujë (3 herë më shumë se Fierza ose 2 herë më shumë se gjithë kaskada e Drinit). Sipërfaqja e liqenit është 90 km2 (ose 10% e sipërfaqes së Dibrës, jo 20% siç thotë ministri).
Meqë ministri ju referohet standardeve ndërkombëtare të ndërtimit të digave, që përshkruhen në “Hydropower Sustainability Assessment Protocol” (http://www.hydrosustainability.org/), qeveria duhej të bënte dëgjesa publike me popullsinë e Dibrës, Kukësit dhe Dibrës së Madhe dhe të vlerësojë ndikimin social e ambjental të të gjitha varianteve. Në dijeninë time, qeveria nuk e ka bërë një gjë të tillë. Mbase ministri Ahmetaj mund të ketë pyetur ndonjë “dibran” në Stamboll. Për ta kuptuar se sa serioze është klasa jonë politike në raport me sektorin e hidroenergjisë po bëj publik një fakt shumë domethënës: në 25 vitet e fundit asnjë kryeministër nuk ka vizituar veprat më të rëndësishme hidroenergjitike si Fierza e Komani. Ndërsa për Skavicën, që merren vendime keq strategjike, jam i sigurtë që nuk e ka vizituar bile asnjë ministër në 25 vite. Ndërkohë që vetëm gjatë ndërtimit të HEC Fierza, ish kryeministri Mehmet Shehu ka bërë 4 vizita!!!
Meqë këto standarde kërkojnë rigorozisht transparencë me publikun, a mund të na bëhet publik raporti socio-ekonomik e ambjental për efektet që kanë variantet e Skavicës së Madhe dhe të “Katundeve të Reja”? Mungesa e kësaj transparence publike do ta bënte çdo ndërtim HEC-i në Europën demokratike, krejt të pamundur. Kjo detyrë nuk mund t’i lihet një ndërtuesi privat, me konflikt interesi, bile dhe të vlerësohet me 8 pikë. Kjo është detyrë e shtetit, që të marrë vlerësime të certifikuara nga kompani këshillimi të specializuara të klasit të parë botëror për këtë fushë, si: Fichtner, Lahmeyer, etj.
Popullsia e Dibrës është e terrorizuar nga ideja e HEC Skavicës prej vitesh, duke parë fatin e Kukësit. Qeveria duhet të ketë një plan realisht serioz për zonat e përmbytura. Kompensimi i tokave është diçka fare minimale. Aty duhet të krijohen incentiva të fuqishme ekonomike për zonën e Dibrës, që nga turizmi, agroturizmi, akuakultura, përpunimi i produkteve bujqësore, ripyllëzimi e deri në angazhimin që qeveria do ta bëjë vetë “Rrugën e Arbërit” (pasi koncesioni që po tentohet është një aferë tejet korruptive dhe me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit). Në një vizion të përpunuar nga ekspertët më të mirë në botë, një liqen i madh (90 km2 e 100 km i gjatë nga Dibra e Madhe në Kukës), do ta bënte zonën e Dibrës një atraksion turistik dhe sportiv si Pogradeci. Qyteti i Peshkopisë dhe shumë fshatra do të ishin në brigjet e liqenit dhe fshatrat, që do të përmbyteshin duhen rivendosur më sipër në brigjet përreth liqenit, duke e bërë liqenin e Skavicës një nga liqenet më piktoreske në Europë, të ngjashëm me liqenet e Zvicrës ose të Italisë së Veriut.
Por këto opsione i duhen paraqitur popullsisë dibrane në mënyre profesionale e pa dallavere, pasi ata janë nga pjesa më e zhvilluar e më patriotike e kombit tonë dhe nuk mundet që të merren vendime për Dibrën nga një zyre llamburitëse në Tiranë apo një hotel në Stamboll. Nëse do të bëhej Skavica e madhe do të përmbyste 10% të sipërfaqes së Dibrës, por ndikimi në ekonominë e Dibrës dhe të Shqipërisë do të qe shumë me pozitiv. Uji është pasuri dhe jo fatkeqësi. Ky mentalitet duhet ndryshuar në një popullsi malore, që e ka parë ujin vetëm, si fatkeqësi. Kjo do të sillte ripopullimin e Dibrës dhe jo shpopullimin e saj. Unë personalisht do të kisha më shumë dëshirë të jetoja buzë liqenit të Dibrës, midis maleve dhe i rrethuar nga njerëzit e mirë të Dibrës, pra vetëm 60 km larg Tiranës, së rrëmujshme dhe të pashëndetshme. Dibra do të bëhej Zvicër. Por me një HEC të vockël në Katundin e Ri, Dibra do të mbetej aty ku është sot. Pra me opsionin minimal do të pësonin humbje kolosale të gjitha palët. Për mendimin e shumë ekspertëve, Skavica është aseti ekonomik më i rëndësishëm i zonës së Dibrës dhe Shqipërisë.
b. Për sa i përket kostos së projektit prej 1 miliard euro, i kërkoj zotit Gjiknuri të bëjë publike 4 ofertat për financimin e Skavicës së Madhe:
1- Ofertën e datës 30.10.2014 të Power China (kompania më e madhe e hidroenergjisë në botë, me 53% të tregut botëror http://www.powerchina.cn/, që ka ndërtuar HEC-et e mëdha të Drinit), e cila do ta financonte 1 miliard euro dhe do ta ndërtonte Skavicën me një “Leasing Contract” 15 vjeçare. Pasi me çmim mesatar të energjisë 5 €c/MWh dhe me prodhim 2 milionë MWh në vit, Skavica do të gjeneronte 100 milionë euro në vit. Pra do të vetëshlyhej nga 12 deri në 15 vite.
Përveç Skavicës së Madhe Power China propozoi për të bërë një masterplan kombëtar për hidroenergjinë, ndërtimin e një qendre dispeçerie elektronike qendrore për menaxhimin e Kaskadës së Drinit dhe gjithë sistemit elektro-energjitik (ç’ka rrit efektivitetin 5-10%), propozoi ndërtimin komplet të kaskadës së Vjosës dhe rinovimin total të OSHEE-së (pra në total 3 miliardë euro financime).
2 – Në 2014 keni marrë një ofertë të plotë financimi nga kompania e dytë energjitike e Kinës Ge Zhou Ba (http://www.cggc.ç/). Besoj që ka terma shumë të mira.
3- Po në 2014 morët ofertë financimi për Skavicën nga një grup i fuqishëm industrial kinez NORINCO (http://www.norincogroup.com.cn/cn/index.aspx), i cili ju propozoi financimin 100% (1 miliard euro, me një kredi të butë 35 vjeçare, 7 vjet periudhë pa pagesë dhe në vazhdim 2% në vit interes. Duhet bërë publike, që nga kjo ofertë mbetët të çuditur Ju, Rama, Ahmetaj, etj.
4- Propozimin e 9.3.2012 mbi modelin e financimit të Skavicës së Madhe nga kompania gjermane “Becker Büttner Held” (http://www.beckerbuettnerheld.de/en/).
A mund ta dimë, pse qeveria shqiptare nuk u ka kthyer përgjigje propozimeve të mësipërme?
Pra ofertat për financimin e Skavicës së Madhe i keni në tavolinë dhe ja fshihni publikut. Kjo është 100% mungesë transparence dhe korrupsion.
Nëse do të kërkoni të tjera oferta financimi, jam i sigurtë që do të gjeni në tregun financiar, pasi energjia elektrike është malli më strategjik, që mund të prodhohet në Shqipëri dhe është shumë e financueshme.
c. Për sa i përket rrugëzgjidhjes tuaj “anti-diktatoriale” e “demokratike” për Skavicën, po ju them që nëse do të kërkoni justifikime nga “konsulentë politike” për të mbuluar aferat Rama-Ahmetaj me “Katunde të Ri-Lindura”, që thonë ‘abandon the big project’, ne si publik nuk i përtypim dot. Ato janë shumë bajate.
Ekspertët më të mirë vendas e të huaj e kanë të qartë se “Katundi i Ri-Lindur” Rama-Ahmetaj, shkatërron përfundimisht rezervën më të madhe ujore kombëtare, shkakton humbje të mëdha energjitike, ul efiçencën energjitike të kaskadës së Drinit, e fut KESH-in në një sanduiç midis dy privatëve duke e bërë të pamenaxhueshme kaskadën e Drinit, kur interesi publik e do që Skavica të jetë vetëm pronë e KESH-it. Pse nuk bëni një dëgjesë publike me ekspertët e fushës?
“Katundi i Ri-Lindur” është kundër interesit publik, është një krim inxhinierik dhe ekonomik me përmasat më të rënda kombëtare, është një korrupsion i pastër. Ju nuk mund të merrni dot pa një konsensus të gjerë politik një vendim me efekte shekullore në ekosistem, ekonomi dhe shoqëri. Kështu që qeveria juaj është diktatoriale, antidemokratike dhe kriminale. Pra në këtë rast s’kemi të bëjmë me standardin “Digë e mirë a digë e keqe”, por me “Qeveri e mirë a qeveri e keqe”.
Zoti Gjiknuri,
Argumentat që ngritët në Parlament nuk qëndrojnë ose na jepni fakte. Përndryshe mos u bëni pjesë e “Katundit të Ri-Lindur” Rama-Ahmetaj, pasi po e përsëris që ata me papërgjegjshmërinë e tyre, me shkatërrimin e Skavicës, kanë kaluar “Vijën e kuqe” të interesit strategjik kombëtar dhe kjo është tradhtia më e madhe kombëtare në historinë e Shqipërisë, shumë më e madhe se falja e Shën Naumit Jugosllavisë apo tentativa për dhënien e detit Greqisë. /Geri Selenica -Sot