Përse Kina e do Afrikën me patjetër?

Kudo në Afrikë, programet radiofonike me telefonata të publikut po gumëzhijnë me histori të afrikanëve, burra të zakonshëm, që kanë humbur gratë e tyre te burra kinezë të pasur.

“Ai ishte i shkurtër dhe i shëmtuar, por mendoj se kishte para”, ankohej një burrë në një program të Kenias. Të vërteta apo të imagjinuara, të tilla histori thonë shumë për fuqinë ekonomike të biznesmenëve kinezë në Afrikë dhe për rritjen e reagimit të ashpër ndaj tyre.

Kina është bërë deri më tani partneri tregtar më i madh i Afrikës, duke shkëmbyer rreth 160 miliardë mallra në vit, më shumë se një milionë kinezë, shumica punëtorë dhe tregtarë, janë zhvendosur në kontinentin afrikan gjatë dekadës së shkuar.

Bashkëpunimi mes qeverive të tyre vazhdon, pasi firmat kineze po ndërtojnë gjithnjë e më shumë rrugë në Afrikë dhe po hapin miniera të reja. Por fjala se Afrika po bëhet kineze ose ndryshe kontinenti i dytë i Kinës, është e ekzagjeruar.

Bumi afrikan, që Kina e ka ndihmuar të rritet në vitet e fundit, po tërheq shumë investitorë të tjerë. Jo-perëndimorët konkurrojnë veçanërisht ashpër.

Tregtia afrikane me Indinë pritet të arrijë 100 miliardë dollarë këtë vit. Po rritet më shumë se tregtia kineze dhe me shumë gjasa do ta kalojë tregtinë me Amerikën.

Brazili dhe Turqia po zëvendësojnë shumë shtete europiane. Në lidhje me investimet në Afrikë, Kina mbetet pas Britanisë, Amerikës dhe Italisë.

Nëse biznesmenët kinezë duken të vetëpërmbajtur nga konkurrenca, është pjesërisht për shkak se ata po shohin përtej kontinentit. “Ky është një vend i mirë për biznes, por ka shumë vende të tjera nëpër botë”, thotë He Lingguo, një menaxher kinez ndërtimi në Kenia, që shpreson të zhvendoset në Venezuelë.

Një dekadë më parë, Afrika dukej si një hapësirë e pakontestuar dhe si një vend stërvitje për investimet e huaja, teksa ekonomia kineze zhvillohej. Por këto ditë, ambiciet e Kinës janë më të mëdha sesa sundimi mbi kontinentin më të varfër në botë. Ditët kur liderët kinezë bënin vizita të gjata shtetërore në shtete si Tanzania janë të pakta. Në vend të tyre, Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka premtuar të investojë 250 miliardë dollarë në Amerikën Latine gjatë dekadës së ardhshme.

Rritja e kërkesës kineze për mallra është më e ngadaltë dhe çmimet e materialeve të para po bien. Kështu, uria e Kinës për të mira bujqësore dhe ndoshta për tokë bujqësore, mund të rritet teksa popullata e Kinës zgjerohet dhe klasa e mesme bëhet më e pasur.

Ende afrikanët janë tepër dyshues për firmat kineze, duke u shqetësuar rreth marrëveshjeve të pandershme dhe dëmit mjedisor. Opozita është e përbërë nga shoqëria civile e Afrikës, e cila kërkon më shumë transparencë dhe një llogaritje të të drejtave të njeriut.

Kjo mund të jetë një sfidë e panjohur për Kinën autoritare, politika e jashtme e së cilës është shumë e bazuar në marrëdhëniet shtet me shtet, me pak vlerësim për pjesën e mbetur midis drejtuesve afrikanë dhe popullit të tyre.

Në Senegal, organizatat e vendasve vitin e shkuar bllokuan një marrëveshje që do t’u jepte ndërtuesve kinezë një zonë në qendër të kryeqytetit.

Në Tanzani, sindikatat e punës kritikuan qeverinë që la të funksiononin tregtarë kinezë në mënyrë të padrejtë.

Disa zyrtarë afrikanë po shprehin kritika për Kinën. Lamido Sanusi, ish-guvernator i bankës së Nigerisë, thotë se Afrika është e hapur për një reformë të re imperializmi, në të cilën Kina merr të mira primare nga Afrika dhe i shet prodhime fabrike, pa transferuar aftësitë.

Pas vitesh të tëra bisedime për përfitime të dyanshme, Kina ishte plotësisht në dijeni të problemit. Në një tur në kontinent, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha më 12 janar se ‘ne nuk do të ndjekim rrugën e vjetër të kolonistëve perëndimorë’. Majin e shkuar, Kryeministri Li Keqiang pohoi ‘dhimbjet në rritje’ në marrëdhënien në fjalë.

Kina ka pak ambicie politike në Afrikë. Ajo bashkëpunon me demokracitë, ashtu si edhe me regjimet autoritare. Por shtetet afrikane me rritjen më të madhe, janë më të afërta me idetë e tregut të lirë perëndimor.

Në Sudanin e Jugut, i vetmi vend ku Kina u përpoq të tregojë muskujt diplomatikë, ka arritur shumë pak nga ç’synonte. Përpjekjet për të ndaluar një luftë civile që po rrezikon furnizimin e vet me naftë, dështuan.

Pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë mes këtyre dy vendeve, ka më shumë gjasa që Kina të mbetet një investitor i huaj që kërkon favore nga Afrika.

*Burimi: “The Economist”.

SHKARKO APP