Përse nuk e festoj 29 Nëntorin

 

Nga Arben Kallamata*

Unë jam tolerant me festat. Për shembull, megjithëse ateist, në një tryezë me një shoqëri të mirë, me një gotë verë, me një thelë gjeli, një bërxollë apo një biftek, festoj gjithë qejf Divalin, Krishtlindjen, Hanakan, Bajramin, Vitin e Ri Kinez, Novruzin, Ditën e Verës, Thanksgiving, Vesakhan, Holin, Visun – kë të doni. Për këtë kam dëshmitarë.

Por 29 Nëntorin nuk pranoj ta festoj. Pse?

29 Nëntori si ditë e çlirimit të Shqipërisë është mashtrim. Të gjitha dokumentet e kohës tregojnë që Shqipëria është çliruar më 28 Nëntor 1944. Domethënë që ushtari i fundit hitlerian është larguar në këtë datë. Deri një vit më vonë, kjo është mbajtur si data zyrtare e çlirimit edhe nga vetë Enver Hoxha.

Po të vihej thjesht në diskutim dita kur është larguar ushtria naziste nga Shqipëria, unë do ta kisha toleruar dhe do ta festoja me qejf edhe 29 Nëntorin. Në fund të fundit bëhet fjalë për një çlirim dhe ne shqiptarët, që e kemi zakon të kundërshtojmë njëri-tjetrin për çdo gjë, mbase do të ishte mirë të pajtoheshim në këtë pikë dhe ta ngrinim nga një gotë bashkë. Por puna nuk është kaq e thjeshtë.

29 Nëntori u zgjodh nga Enver Hoxha në kuadrin e hapave për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, ku përfshiheshin edhe bashkimi i monedhës, heqja e doganave, falja e floririt dhe pasurive shqiptare bosëve të Beogradit etj. 29 Nëntori për Jugosllavinë festohej si dita kur Këshilli AVNOJ shpalli Federatën Demokratike të Jugosllavisë. Enver Hoxha kërkonte ta njësonte edhe festën e çlirimit të Shqipërisë me këtë datë.

Ideja e përfshirjes së Shqipërisë në Jugosllavi ishte pjesë e planeve të Titos për krijimin e një Konfederate Ballkanike me qendër Beogradin. Për sa kohë vazhdoi Lufta e Dytë Botërore, Stalini ia ushqeu Titos këtë shpresë, pasi ai kishte nevojë për mbështetjen ushtarake të partizanëve jugosllavë dhe për një rezistencë antifashiste në të gjithë Ballkanin. Enver Hoxha ishte thjesht një hallkë e këtij plani, një vegël që i duhej Titos për ta pasur të lehtë punën në këtë pjesë të Ballkanit.

Por mbarimi i luftës solli të tjera përparësi për Stalinin. Atij nuk i leverdiste të kishte një fuqi të fortë në cepin e perandorisë së vet, aq më tepër nën Titon që flirtonte hapur me anglezët dhe amerikanët. Ideja e Federatës Ballkanike u hodh në kosh. Titoja u thartua me Stalinin.

A mund ta merrte Titoja Shqipërinë pas rënies së idesë së Federatës Ballkanike? Natyrisht që mund ta merrte. Stalini, megjithëse kundër konfederatës, i dha leje për këtë me foljen e famshme “gllabëroje” që citon Gjilasi. Por Titos i iku oreksi për të gllabëruar. Si mjeshtër i ekuilibrave politike ai e dinte që do t’i bëheshin ca si tepër shqiptarë në Jugosllavi dhe do t’i hapnin punë. Atij i leverdiste më mirë t’i linte shqiptarët të ndarë në katër-pesë pjesë, dhe shtetin e Shqiptarëve në një gjendje sa më të keqe, që të mos iu bëhej zili shqiptarëve që kishte nën kontroll ai vetë. Hoxhës iu dha urdhri: “Rri aty, mbaje vendin baltë dhe mbretëro në mes të baltës. Për sa kohë që s’më hap punë mua, as unë s’do të të hap punë ty. Kufijtë do t’i kemi të ndarë, dhe të ndarë mirë”. Hoxha natyrisht që u bind, dhe u lidh me rusët për të rrumbullakosur alibinë. Por Titos dhe kërkesës së tij i shërbeu deri në frymën e fundit.

29 Nëntori për mua është një pjesë e shëmtuar e një plani të shëmtuar, thellësisht antikombëtar, antishqiptar. Festimi i kësaj date është pajtimi me tradhtinë kombëtare të Enver Hoxhës.

Jo rrallë më pyesin: Si mund të mos e festosh ti këtë ditë, kur yt atë ka qenë partizan dhe ka luftuar për këtë ditë?

Im atë ka qenë partizan dhe ka luftuar për çlirimin e Shqipërisë dhe jo për 29 Nëntorin. Për këtë unë e respektoj edhe më shumë. Ai, dhe mijëra të tjerë si ai që dolën në mal dhe luftuan me ndershmëri kundër pushtuesit nuk ëndërronin as pasuri, as ofiqe, as luftë klasash, as regjimin e terrorit që vuri Enver Hoxha. Ata ëndërronin një Shqipëri të lirë nga pushtuesit dhe demokratike, një Shqipëri të begatshme për të gjithë. Këtë ëndërr ata kujtuan se e realizuan në 28 Nëntor 1944. Por ëndrra u vodh dhe u përdhos nga Enver Hoxha dhe klani rreth tij.

Dikush mund të thotë që po të mos kishte qenë Enver Hoxha, do të kishte dalë një tjetër që ta vidhte ëndrrën. Edhe kjo mund të kishte ndodhur. Një tjetër mund të thotë që kjo është gjëja më e rëndomtë – pas të gjithë lëvizjeve të mëdha, del një grup maskarenjsh që vjedh ëndrrën – siç u vodh dhe po vidhet ëndrra e studentëve të Dhjetorit dhe gjithë shqiptarëve për Demokraci. Edhe kjo është e vërtetë.

Për mua ka rëndësi që 28 Nëntori i vitit 1944 është data kur u çlirua Shqipëria nga fashizmi dhe u bë realitet një pjesë e ëndrrës së atyre partizanëve shqiptare që luftuan për liri. Ndërsa 29 Nëntori është data që caktoi ai, vjedhësi i ëndrrës, si fillim të pushtetit të tij të ndyrë. Ajo është data e tradhtisë kombëtare.  29 Nëntor ishte emri që iu vu vjedhjes.

Prandaj edhe unë dua t’i qëndroj përkrah edhe të vërtetës, edhe tim eti, edhe gjithë atyre që luftuan sinqerisht për një Shqipëri të lirë dhe demokratike kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë, por që u tradhtuan në mënyrën më të poshtër. Fakti që kjo datë përkon me Ditën e Flamurit, me Shpalljen e Pavarësisë, datën më të rëndësishme deri më sot të kombit shqiptar, e bën atë edhe më të bukur. Thuhet se ajo përkon edhe me datën e mbërritjes së Skënderbeut në Krujë. Aq më mirë. Trefish më mirë.

Në 28 Nëntor ne festojmë Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë – ngjarjen më të rëndësishme historike të kombit. Për herë të parë në historinë e vet në 28 Nëntor 1912 shqiptarët kishin një komb. Vërtet të cunguar, vërtet të copëtuar, por e kishin. Ishte fillimi i një rruge. Në 28 Nëntor 1944 shqiptarët u çliruan nga një pushtim i poshtër dhe i pabesë – fillimisht nga fashistët italianë, dhe pastaj nga nazistët gjermanë. Ndoshta jo në përmasat e 1912, edhe ky çlirim ishte i rëndësishëm. Asnjë popull, asnjë qytetar i ndershëm dhe patriot nuk e do dhe s’ka si ta dojë pushtimin e vendit të vet, nga kushdo qoftë dhe me çfarëdolloj justifikimi qoftë. Kur i festoj, unë kam rast të ngre dolli për të dyja këto ngjarje.

*publicist MAPO

SHKARKO APP