Përsëritja ka vdekur

Këta janë larg.

Por a mund të përsëritet Tony Blair i Britanisë, ose Lionel Jospin i Francës, ose Gerhard Schroeder i Gjermanisë?…

Një majtist europian, Manuel Walls, ka shpallur se “do t’i përsërisë”.

Çudi! edhe në Europë ndodh kështu.

 

Madje edhe këtu.

Nuk i keni parë si reagojnë shumë njerëz pas ngjarjes së bujshme X?…

 

Me siguri që po. Të pyesin me sytë ngulur në sytë e tu se “vallë a do të përsëritet?” ajo çfarë ka ndodhur dikur…

– A do të kemi luftë me Serbinë? – tha dikush në rrugë pas ndeshjes së futbollit. Pastaj e zbuti pak pyetjen e tha: “domethënë a do të prishen marrëdhëniet?”, si dikur në të shkuarën.

 

Domethënë, njeriu ka model atë që ka ndodhur një herë dhe thotë se do të përsëritet.

– A do t’i burgosin prapë ata që ishin në burg gjatë diktaturës? – pyet tjetri pasi mori vesh se Hajredin Fratarin, një ish-i burgosur politik gjatë komunizmit, e burgosën përsëri.

 

Fratari kishte kryer dy faje, jo para, por pasi u lirua në vitin 1990. I pari faj, pse deklaroi se kishte qenë shok qelie me Pjetër Arbnorin (ose të quajtur Mandela Shqiptar) dhe një gabim tjetër të fundit… Këtë të fundit nuk e them dot, sepse mund të rrezikoj unë burg. Po të ishte viti 1991, moti kur po ndaheshim prej diktaturës, edhe mund ta kisha thënë hapur. Atëherë isha kryeredaktor i gazetës së parë antikomuniste në historinë e vendit, “RD” dhe bash në sajë të kësaj, edhe mund ta shqiptoja. Sot nuk mund të thuash se “Dine Fratari bëri gabimin që denoncoi kryeministrin se i kërkoi një milionë dollarë për një leje ndërtimi”. Sot rrezikon po të thuash të vërtetën; ndërsa në fund të diktaturës jo sa sot.

 

Pas kësaj, lehtësisht mund të më pyesin: Vallë a mund të përsëriten burgjet politike për fjalën e lirë?

 

Unë mund të qesh me pyetjen, sepse e di se jo. Por nuk mund të qeshësh në sy të atij të varfri që të pyet; sepse ai beson shumë në përsëritjen. Ka shumë njerëz që po besojnë ose po tremben kur pyesin se “a mund të na kthehet komunizmi?”. Shikojnë portretet e diktatorit që lëvizin si fantazma nëpër turma njerëzore, shikojnë historianë që duan të rishkruajnë historinë siç ishte shkruar në diktaturë, shikojnë plot e plot shenja që janë njësoj si në periudhën e komunizmit. Për shembull, po ngjallet xhiro në Bulevardin e Tiranës… Por jo!, nuk kthehet komunizmi.

Megjithatë, hajde thuaju atyre se “nuk mund të përsëritet”.

 

Sepse ka shumë njerëz që besojnë në përsëritjen. Ka politikanë, madje. Sidomos politikanët e majtë e kanë në gjenezë tharmin e përsëritjes.

 

A nuk i shikoni politikanët e majtë që kanë guxuar të sjellin mes nesh habitatet e harruara të diktaturës, ose më mirë të themi, fantazmën e komunizmit. Në një fjalim publik, kryeministri i majtë, deklaroi njësoj e fjalë për fjalë si diktatori Hoxha: “Jeni ju, pa jemi ne!”. Njëzet vjet njerëzit kanë qeshur me atë frazë idiote; por kur e tha kryeministri bir komunisti, atëherë nuk qeshën më. Disa u gëzuan “me udhëheqësin e lavdishëm” sepse besojnë në përsëritjen; të tjerët u tremben pikërisht për shkak se besojnë në përsëritjen.

 

Përsëritja ka vdekur.

 

Kryeministri i Francës, një leftist i thekur, me gjithë veprën dhe idenë e tij përsëritëse, ka ngjallur kureshtje dhe subjekt për analiza nëse vallë mund të përsëritet epoka e vdekur ose jo. Ai besoi se mund të ngjallen “perënditë e vdekura”; ashtu si edhe majtistët tanë në qeverisje kanë shpallur doktrinën e “Ringjalljes”, ose “Rilindjes”. Të dyja palët janë në një hulli.

Këta këtu nuk e dinë, ose e fshehin atë që duan të ngjallin. Domethënë fshehin idenë dhe praktikën enveriste të diktaturës. Ndërsa kryeministri i Francës ka shpallur se do të përsërisë Lionel Jospin. “Me Jospin do të shkoj në fushatën e zgjedhjeve duke ngjallur idenë e tij kundër emigracionit”, – ka deklaruar. Jospin ka qenë kryeministër i majtë që nga viti 1997 deri në vitin 2002, por nën presidencën e një djathtisi si Zhak Shirak. Ndërsa majtisi Walls i ka duart krejt “të lira”, sepse edhe presidencën e ka majtisi Holande…

A mos vallë këtu lidhen keq duart e majtistit ëndërrimtar për të përsëritur të shkuarën? Si për shembull, pika ku është lidhur keq fati i majtistëve tanë qeverisës. Edhe këta e kanë fushën të lirë, nuk llogarisin opozitën, kanë grumbulluar 85 vota parlamentare, aq sa mund të “ringrenë burgjet e Spaçit”. Sot për sot këta i kanë duart e “lira”. Por pikërisht këtu lidhet fati. Fati është bërë nyje në tendencën për të përsëritur pushtetin komunist, ose idenë “gjithë pushtetin sovjetëve”. Me këtë ide këta guxojnë të bëjnë gjithçka: Emërojnë në shtet cilindo, i ruajnë vendet e punës për vete dhe militantët, edhe ndihmën e shpejtë të makinave e monopolizojnë në biznesin e babait, opozitën e kërcënojnë për vdekje, shtëpinë e kundërshtarit e shembin, fjala “burg” është fjala më e përdorshme… Por këtu nis katarakti.

 

Vetë Manuel Walls, kryeministër majtist, sapo deklaroi dy ditë më parë se: “Ose do t’i hedh kapelën presidentit Holande, ose do të pres kohën derisa të vijë”. Domethënë është në ditë të vështirë. Në ditën më të vështirë që mund të ndodhet një kryeministër.

Studiues të mprehtë politikë thonë se kjo ndodh edhe pse “ky është Darvinian dhe nuk i dihet si e ka fundin”, por e lidhin edhe me sjelljen majtiste të “përsëritjes”. Sot besimi popullor francez ndaj qeverisë Holande- Walls ka rënë në 13 për qind. Domethënë një 13 përqindësh qeveris Francën. Nuk ka ndodhur kështu asnjëherë, që nga dita e vitit 1879 kur u dalluan në politikë e Majta dhe e Djathta; madje pikërisht në Francë

Në Francën “socialiste” është rritur shumë papunësia; qeveria ka një synim të vetëm “jo uri”; partnerët evropianë kërkojnë riorganizimin e ekonomisë.

Asgjë nga këto.

Brenda në Partinë Socialiste kanë nisur konfliktet. 39 deputetë të majtë nuk pranuan të votojnë për buxhetin e vitit 2015. Kryeministri i majtë ka deklaruar se “nuk dua t’ia di për 30 deputetë”, megjithatë Franca nuk ka akoma buxhet të vitit që po vjen.

Për shumëkënd, Walls ka shpallur luftë. Manuel Walls po shkon drejt konfrontimit”, ka thënë Christian Paul, lider i socialistëve rebelë. Mijëra anëtarë të Partisë Socialiste kanë lënë PS-në dhe vetë partia po rrëshqet në shizëm.

Vetë Walls, i cili deklaroi se do të zbatonte “emigracionin e Jospin”, “Rrugën e Tretë të Blair dhe “Qendrën e Re” të Schroeder, tani është kthyer në një “arkeolog” të Partisë së tij të fundosur. “Ne na duhet një e Majtë e besueshme”, tha vetë për gazetarët para pak ditësh.

 

A nuk u përsërit në të Majtën tonë e njëjta pamje?

Të gjitha paradigmat të çojnë te një provë: Socialistët janë thuajse jashtë pushtetit. Në pushtet janë thërritur ose ata që lidhen fort me komunizmin e Enver Hoxhës, ose ata që mund të quhen “laikë politikë”, dhe që në fakt kanë hyrë vetëm për t’u pasuruar.

 

…”Por ai (Walls) e di, gjithashtu, se në qoftë se e nxjerr kokën jashtë reformave, Partia Socialiste e Francës ka gati një gijotinë të vajisur mirë”, tha Denis MacShane, ish- ministër Britanik për Europën dhe aleat i Blair..

 

… Gjithë rruga e zotit Walls erdhi përmes idesë së përsëritjes. Kishte thënë se do të përsëriste idetë e majta, sado të dështuara, që nga Marksi e deri të Jospin. Por nuk mund të përsëritet më. Kohët kanë kaluar…

Një nga një, edhe modelet e majta, tashmë nuk vlejnë. Një nga një partitë kryesore majtiste të Europës ësht ë larguar nga rrënjët marksiste. Social-Demokratët e Gjermanisë u larguan që në vitin 1959. Partia Socialiste Punëtore e Spanjës, në vitin 1979 dhe Partia Punëtore e Anglisë, në vitin 1995. Post-komunistët në Itali ndryshuan emrin dhe ideologjinë duke u bërë parti e qendrës së majtë.

Partia Socialiste e Francës ka një pikë të dobët në krahasim me këto: Ajo nisi të njohë ekonominë e tregut veç aty nga viti 2008; duke mbajtur mbi vete shumë shenja të së majtës së revolucionit të vitit 1879.

 

Njësoj si edhe e majta socialiste në Shqipëri, e cila edhe është krijuar, edhe nuk është krijuar akoma. Në fakt, është vazhduese e Partisë së Punës dhe asnjëherë nuk ka denoncuar as ideologjinë, as pushtetin diktatorial të Enver Hoxhës.

… Përsëritja, si dhe Rilindja, ka vdekur si filozofi e ringjalljes së modelit të perënduar.

 

 

SHKARKO APP