“Pesë fakte që zviceranët duhet t`i dinë për shqiptarët”

 

Radioja publike e Zvicrës SRF, transmeton të dielën një emision të zgjeruar, në lidhje me shqiptarët në Zvicër dhe imazhin e tyre. Lidhur me këtë, portali i srf.ch ka publikuar një material të titulluar “5 fakte që duhet t`i dini për shqiptarët“.

“Shqiptarët kanë imazh të keq në Zvicër, e thonë këtë edhe vetë shqiptarët, për faktin se zviceranët dinë tepër pak për ta. Kështu lindin keqkuptime dhe klishe të pafavorshme. 5 faktet në vijim nga emisioni, ndihmojnë për evitimin e keqkuptimeve në mes të shqiptarëve dhe zviceranëve”, thuhet në këtë tekst para se të fillojë numërimi i fakteve në fjalë.

Fakti 1: Shqiptarët nuk vijnë nga Shqipëria

Në Zvicër, në vitin 2015 vlerësohet se jetojnë në mes 200 mijë dhe 250 mijë shqiptarë. Shqiptarët janë një grup etnik dhe jo nacionalitet. Mirëpo pasi që statistika zvicerane e migracionit ndërtohet mbi nacionalitetet (në kuptim të përkatësive shtetërore), askush nuk e di saktësisht se sa shqiptarë jetojnë në Zvicër dhe sa prej tyre kanë marrë shtetësinë e këtushme. Shumica e 200 deri 300 mijë shqiptarëve në Zvicër vijnë nga Kosova (rreth 70%), pastaj nga Maqedonia (rreth 25%) dhe të tjerët nga Serbia jugore dhe nga Shqipëria. Në vitin 2012 në Zvicër jetonin gjithsej 1300 shqiptarë nga Shqipëria.

Fakti 2: Shqiptarët kanë komplekse

Shqiptarët në ish Jugosllavi kanë qenë të shtypur ndërsa nën regjimin e Milosheviqit edhe të përndjekur. Kosova konsiderohet si vendi më i varfër i Ish Jugosllavisë. Për këtë arsye shqiptarët ndjeheshin qysh në atdheun e tyre si njerëz që trajtoheshin si inferiorë dhe të diskriminuar. Kjo ndjenjë i përcjell ata edhe sot në Zvicër.

Hamit Zeqiri, kryetar i Bashkësisë së Qendrave Kantonale për Integrim në nivel të Zvicrës inkurajon shqiptarët të mos jenë kaq të ndjeshëm. Jo çdo refuzim ose mohim që i bëhet një shqiptari nga ana e një zvicerani, është diskriminim.

Fakti 3: Imazhi i keq i shqiptarëve daton nga fillimi i viteve 1990

Të shtyrë nga luftërat në ish Jugosllavi, në Zvicër erdhën në vitet `90 të shekullit të kaluar dhjetëra mijë shqiptarë. Kjo u bë e mundur vetëm nga fakti se gastarbajterë shqiptarë të punësuar në ndërtim dhe në industri, në Zvicër kishte që nga vitet `60. Ata kishin mundësi t`i merrnin me vete në Zvicër familjarët e tyre. Këto bashkime familjare u bënë aq papritur pasi që nuk ishin të planifikueshme. Kjo sjell me vete problemet e mëdha: Shumë shqiptarë erdhën përnjëherë, fëmijët dhe të rinjtë nuk e flisnin gjermanishten, baballarët shqiptarë papritmas ishin në shtëpi, pas një kohe të gjatë që kishin jetuar ndaras nga familjet që jetonin në Kosovë. Si ngarkesë plotësuese, shumë gastarbajterë humbën vendet e tyre të punës si rezultat i recesionit në Zvicër.

Kështu, familjet (e bashkuara) përjetuan më shumë frustrime se sa kënaqësi. Nga kjo lindën probleme të mëdha për të rinjtë, të cilët pastaj, një pjesë e tyre, u bënë te dhunshëm. Pikëtakimi i pafat i një numri të faktorëve negativë në atë kohë bëri që të lindte imazhi i keq, pajtohen Hamit Zeqiri dhe Sarah Grettler, e cila ka shkruar një libër mbi migrimin e shqiptarëve në Zvicër.

Fakti 4: Shqiptarët mbeten përfundimisht në Zvicër

Shqiptarët që sot kanë 20 deri në 40 vjet nuk duan të kthehen më në Kosovë ose në Maqedoni. Ata e shohin Zvicrën si atdheun e tyre pasi që këtu janë rritur ose edhe kanë lindur. Ata janë pjesë e shoqërisë zvicerane dhe duan ta ndërtojnë atë bashkë me të tjerët. Ky perceptim duhet të pranohet edhe nga zviceranët, në mënyrë që ata të mos i tolerojnë shqiptarët si banorë të përkohshëm por si bashkëqytetarë dhe që të mos i diskriminojnë, kërkon Hamit Zeqiri.

Fakti 5: Shqiptarët e sëmurë, të moshuar, një sfidë për të ardhmen

Shqiptarët e moshuar gëzojnë mesatarisht shëndet më të dobët se moshatarët e tyre zviceranë dhe kanë më tepër nevojë për përkujdesje. Trupat e meshkujve shqiptarë janë dëmtuar më tepër nga puna si sezonierë gjatë viteve 70-80. Gratë e moshuara shqiptare, si pasojë e lëvizjeve të mangëta janë shpesh me mbipeshë dhe kanë probleme përkatëse shëndetësore. Veç kësaj, gratë dhe burrat shqiptarë kanë shpesh probleme psikike për shkak të përjetimeve gjatë luftërave të viteve 1990. Kështu shkruan edhe Zyra Federale për Migracion në një raport lidhur me kosovarët në Zvicër.

Pastaj, për faktin se shqiptarët në Zvicër nuk jetojnëmë  si në Kosovë – nga tri gjenerata në një bashkësi familjare – shqiptarët e moshuar kanë nevojë për përkujdesje nga institucionet. Sepse bijat e tyre në Zvicër nuk mund të jenë “spitex” (shërbimi për përkujdesje shëndetësore) ndërsa bijtë e tyre nuk mund te jenë në rolin e fondit të pensionit dhe të trashëgimit, siç është e zakonshme të praktikohet në Kosovë. Hamit Zeqiri prandaj mendon se kjo përbën sfidë për institucionet zvicerane të përkujdesjes shëndetësore dhe sociale.

INA

SHKARKO APP