Pesë mënyra për mos ekzistimin e Zotit

Nga Ilir Muharremi –

Në antikë njerëzit mendonin për Zotat se bënin një jetë jo shumë të ndryshme nga njerëzit (Poezia epike e Homerit që u projektua në skenën kozmike të malit të Olimpit), Zotët mund t’i dënojnë njerëzit për mospërmbajtjen e tyre dhe mosnënshtrimin e tyre të cilën grekët e quanin hubris. As atëherë perënditë nuk kishin moral, por shprehnin forcën dhe ngulnin frikën. Kjo qe në vetë idenë e njeriut e jo të Zotit. Gjithmonë njeriu kënaq një forcë më të madhe. Këtu qe miti për Zotin, mit jo i vjetruar edhe tash. “Zoti është në çdo gjë”, kjo qe ideja bazë e stoikëve. Mendimi se Zoti është, zjarr, forcë, natyrë… nxjerrë mendimin se thelbi është Zoti, pastaj vjen arsyeja. Këtu ndodhi një përzierje ndërmjet absolutes materiale dhe idesë (pra prezencës së zoti në materien), gjë që është gabim. Pastaj lindi feja si rrugë drejtë pavdekshmërisë.    Sa mund ta njeh njeriu Zotin? A e njeh shqisa ose shpirti? Asnjëherë kjo s’mund të jetë qëllim në vetvete. Shqisa dhe shpirti njëjtë si te Zarathustra duan të na bindin që Zoti është fillimi dhe fundi, qëllimi i çdo gjëje. “E tillë është mendjemadhësia e tyre”, shkruan Nietzsche. Zoti, shqisat dhe shpirti janë vetëm instrumente dhe vegla, ngaqë mbrapa tyre gjithnjë rri vetvetja. Vetvetja gjithnjë qe në përgjim më kot Zoti lartësohet në ide, por ka të tillë që e shesin vetveten për Zotin. Nietzsche-ja vetveten përpiqet ta tejkaloj me klithmën më të madhe që i bëri mbinjeriut. Vetë e tha: “Njeriu është diçka që duhet tejkaluar”. Këtu ai na mëson mbinjeriun, ndonëse vetveten e prezanton si mbinjeriu. Por, sa mund të jetë sovran vetvetja ndaj Zotit, shpirtit dhe shqisave? I tërë trupi bashkëvepron dhe nga nënçmimi i madh që i bënë vetvetes ai ulërinë për një Zot të panjohur që u shpik nga vetë ky njeri. Zoti u shpik nga frika, urrehet prapë nga frika, frika ndjek pas Zotin, nëse njeriu e kërkon po e supozoj e takon Zotin, ai kërkon të barazohet me të, pastaj njeriu këtu shpall mbretërinë. Njeriu në tokë shpallë mbretërinë e vdekshme duke shpresuar te Zoti mbretërinë e përjetshme. Frika e obligon njeriun të komunikoj me Zotin, por në vend se ta urrej për shpallje të frikës, njeriu e ndërgjegjëson. Subjekti i Zotit është frika, kurse objekti truri dhe trupi.

Si mund të vritet Zoti kurrë asgjë nuk dihet në hollësi për të.  Përse njeriu të besoj në Zot kur ka diçka më të lartë se ai? Ajo është drejtësia. Në emër të saj vritet dhe gjykohet, andaj a duhet të jetë një Zot për këtë? Çfarë do të thotë të jesh Zot? Të refuzosh çdo të drejtë tjetër, ose çdo ligj për veç tëndit. “Në emër të drejtësisë mohohet Zoti”, shkruan Kamy. Drejtësia nuk mund të kuptohet pa idenë për Zotin. “Atëherë a jemi në absurditet”, pyet Kamy. Zoti është absurditeti ma i madh në idenë e njeriut, këtij absurditeti Nietzsche-ja i qaset në krye. A mund ta hedh poshtë çdo ide për Zotin? Është labirint pa dalje, Stirner qesh në këtë pashtegdalje, Nietzsche-ja i vërsulet barrierave, kurse Kamy e refuzon në vetvete dhe ndjenë lodhje ndaj tij. Mjaftë më me gënjeshtra të kultit të përjetësisë. “I vërtetë është vetëm uniku”, pëshpërit Kamy, nga momenti kur njeriu e gjykon Zotin në aspektin moral, ai e vret në vetvete, në fakt ai gjithnjë merret me një kufomë e cila bujshëm u ringjallë me tendence të frikës për drejtësinë dhe shpresën për përjetësinë (lodhje nga gënjeshtra dhe asgjë rreth këtij kuptimi). Foshnja lind në pamendim për të, ideja për të krijohet gjatë jetës për ta mbajt nën fre lirinë e njeriut.

Thoma Akuini përpiqet të aprovoj ekzistencën e Zotit nga “argumenti” që del nga lëvizja. “Dihet se ajo, që lëviz, shtyhet nga diçka tjetër drejt asaj ku është shtyrë”, shkruan Akuini. Natyrisht, sepse lëvizja është kalimi i diçkaje nga një fuqi për tu konkretizuar në lëvizje. Nxitësi  i dytë lëvizë nga nxitësi i parë, dhe çdo njëri sipas Akuinit duhet ta kuptoj se shtyhet nga Zoti. Ai nuk e konkretizon saktësisht (argumentin e nxitësit të parë, bile me emërtim, ose grimcë apo çfarëdo forme), por e nisë nga mesi dhe vërehet se Zoti është i ngulitur thellë dikund pafundësisht në mendimin e tij. Atëherë, edhe Zoti vihet në lëvizje nga një Zot tjetër. Nëse Zoti është absolut dhe lëvizë nga vetvetja, edhe njeriu është brenda këtij absolutizmi, ose qëndron jashtë kësaj, dhe nuk ka fare lidhje me të. Kundër sulmet ateiste (të krijuara më herët dhe tash), janë kryengritje religjioze, ato qenë të nevojshme si ilaç për kurimin e sëmundjes (sikurse një antibiotikë që vret bakterin në trup.) Mënyrën e dytë e të vërtetuarit të Zotit ky filozof e nisë me shkakun veprues. “Po të heqim shkakun, heqim edhe pasojën”, shkruan ai. Nëse nuk gjejmë shkakun e parë, atëherë nuk do ta gjejmë as atë të fundit, atëherë si mund ta pranojmë shkakun e parë të cilit çdo kush ia jep emrin Zot? Shkaqet vepruese vazhdojnë pafundësisht pavarësisht a gjejmë të parin për atë të fundit, por kjo nuk do të thotë se vepruesi i parë është Zoti. E para gjithnjë ka një para saj, por që njeriu ta rrumbullakoj më lehtë gjetjen, këtë e fut në një rreth absolut i cili është i pavarur. Krijesa njeri jeton në pavarësi totale me Zotin, dhe kjo gjithnjë ka qenë kështu, andaj ideja për vrasje dështon, sepse asnjëherë nuk ka jetuar, por duhet asgjësuar ideja për ekzistimin e tij, këtu Nietazche-ja vërsulet (me antibiotikët). Në rastin kur ai e vret, në një farë forme e pranon ekzistimin e tij. Më mirë ta anashkaloj (tu kthehet instinkteve të vërteta njerëzore.)

Në mënyrën e tretë të vërtetimit të Zotit sipas Akuinit, diçka që kurrë s’ka ekzistuar, s’mund as tash të ekzistojë. Pasi që nuk ka përjetësi për njerëzit në kohën të cilën jetojnë, si mund të ketë përjetësi për Zotin? Sipas, tij vetë njeriu është pjesë nga Zoti dhe i lejohet të vdiset në këtë botë, kurse Zotit të dominojë përjetshëm në idetë e njerëzve. Nietzsche e materializon Zotin kur e vret. (Krishterimin e sulmon vetëm si moral, le të paprekur Jezusin dhe aspektet cinike të Kishës.) Krishtin nuk e sheh të revoltuar Nietzsche-ja kjo del nga mosrezistenca e tij ndaj së keqes. Nëse diçka ka ekzistuar para Zotit, atëherë edhe Zoti duhet të ekzistojë. Nëse njeriu në ide mendon vetëm për një Zot ekzistues dhe asgjë para tij, kjo është absurde. “Në rast se çdo gjë mund të mos ekzistojë, atëherë përpara saj nuk mund të ketë ekzistuar asgjë”, shkruan Akuini. Kjo është e vërtetë, se më parë asgjë nuk ekzistonte dhe nuk do të fillojë të ekziston. Sa është e nevojshme ekzistenca e Zotit? Domosdoshmëria e ekzistimit shkaktohet gjithnjë nga diçka tjetër, dhe është e pamundur ta zgjatim pafundësisht (përjetësisht Zotin). Si mund të pranojmë ekzistencën e një qenieje që ka vetë domosdoshmërinë brenda vetes dhe nuk merr atë nga një tjetër? Nuk mund të shkaktojë tek të tjerët domosdoshmërinë nëse nuk ka pikënisjen, sepse njerëzit varen nga diçka para tyre. Arsyeja për ekzistimin e Zotit, sipas tij, është vetëm në domosdoshmërinë brenda vetes pa marr nga të tjerët. Akuini kamuflon  Zotin absolut. Nëse ekziston Zoti absolut, ai nuk mund të ketë kontakte me njeriun, sepse vetë njeriu jeton brenda ekzistencës absolute. Dy absolutet nuk mund të kenë lidhshmëri. Mënyra e katër sipas këtij filozofi del nga shkallëzimet që vërehen në gjërat, nga shkaku dhe arsye e lartësisë. “Zjarri është kulmi i nxehtësisë, pra, bëhet shkaku i të gjitha gjërave të nxehta”, shkruan ai. Duhet të ketë diçka si shkak në të gjitha qeniet, dhe çdo përsosje tjetër të tyre, këtë e quan ai Zot. Një logjikë më e thellë thotë se ky gradacion drejt lartësive mohon çdo arritje më të lartë, sepse i mungon fillimi për ta ditur fundin. Dhe nëse Zoti kamuflon përgjigjen për një fillim, atëherë si mund ta quaj të mirë? Njeriu është i harruar dhe i humbur në këtë univers. Ndoshta instinktet e dinë vlerën e vet, andaj Zoti nuk përzihet me ta. Zoti është veç në ide. Rreziku është që njeriu atëherë kërkon të zëvendësohet me Zotin. Duhet jetuar si fëmija: harresa, rifillimi, loja, rrokullisje rreth vetes… Nëse bota me Zotin është hyjnore, atëherë vetëm arti ka ngjashmëri në të kuptuarit. Mënyra e pestë e cila sipas Akuinit është drejtimi i botës, i orientuar nga zgjuarsia drejt qëllimit sikur shigjeta nga e drejton shigjetari. Gjërat shtyhen drejt qëllimit, ky veprim është i përhershëm me tendencë të arritjes së nivelit më të lartë. Qëllimi qe me paramendim, por komplotimi i universit për arritjen e qëllimit është më i madh sesa vetëm qëllimi. Atëherë, nuk qe qëllimi i arritjes së qenies më të lartë të quajtur Zot, por tokës (të vetmes së vërtetë të cilës duhet qëndruar besnik dhe jetuar në kërkesë të shpëtimit.) Bota është provim i vetëm për Zotat. Nuk duhet prodhuar Zota për përmirësimin e kësaj bote, toka është e mbushur me njerëz-zota. Duhet t’i thuhet po vetvetes pastaj botës, e jo Zotit. Zoti nuk ka vdekur, vetë është rrëzuar përballë drejtësisë. Zotin njeriu nuk e ka armik sepse s’ka ekzistuar kurrë, nuk duhet të kemi kujtim për të. Njeriut më nuk do ti duket i rëndësishëm koncepti “Zot”, pas tij “mëkati”, kjo sikur një plaku që nuk luan me lodër, ose kujtim i dhimbjes fëmijërore, por ai do të kërkon dhimbje tjetër.

 

SHKARKO APP