Peshëngritja shqiptare në “kolaps”, Hysen Pulaku del pozitiv nga testi B, pas Romela Begaj
Pasi u konfirmua përdorimi i substancave të ndaluara nga Romela Begaj, edhe peshëngritësi tjetër Hysen Pulaku rezulton të ketë përdorur substanca të njëjta. Testi B ka konfirmuar një gjë të tillë dhe për këtë është njoftuar Federata Shqiptare e Peshëngritjes, ndonëse nga kjo e fundit duket se është mbajtur i fshehur lajmi. Pritet edhe përgjigja e Testit B për kampioni e botës në dy-garësh, Daniel Godelli, ndërkohë që Federata Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon jo vetëm të gjobitet rëndë, por edhe të përjashtohet nga garat ndërkombëtare të së ardhmes. – “S’kemi fshehur asgjë, por ende nuk kemi marrë një përgjigje të testit B nga ana e Hysen Pulakut.” Kështu deklaroi Elez Gjoza, presidenti i Federatës së Peshëngritjes, dy ditë më parë. Por dokumenti i testit B anti-doping nga ana e peshëngritësit Hysen Pulaku, vihet re qartë se sportisti 22-vjeçar ka rezultuar pozitiv edhe në analizën e dytë. Sipas dokumentit që mban firmën e doktor Schenzer, klinika e të cilit është e akredituar nga WADA, sportisti shqiptar, Hysen Pulaku, del se ka përdorur stanozolol, substancë me të cilën ai u kap edhe para Lojërave Olimpike “Londër 2012”. E njëjta substancë doli edhe në dy testet e nën-kampiones Romela Begaj dhe në testin A të kampionit Daniel Godelli. Rasti i përsëritur, nuk falet lehtë nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Ky dokument ka ardhur në adresë të Federatës sonë të Peshëngritjes që më 14 janar të këtij viti. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha, dha dorëheqjen më 22 janar 2015,ndërkohë që skandali po merr përmasa të mëdha, ndonëse sportistët tanë morën medalje ari dhe u përgatitën jashtë shtetit, nga ku edhe pretendojnë se u janë dhënë mund të merren pa dijen ë e tyre substancat e ndaluara.