Peshku i madh është në Tiranë, jo në Derviçan

Nga Ilir Levonja –

Djemtë e Gjirokastrës kanë qenë këtë muaj, “bumi” i publicitetit. Suksesi i bujshëm i drejtësisë. E filluan me Gaten, tani me Kserën. Ndërkohë, mbytën televizionet me konferenca, analiza, deklarata për korrupsionin. Të merr malli të shikosh në televizionet tona një program, nga jeta e njeriut shqiptar. Të gjithë janë o kështu, o ashtu…, të gjithë me t’ja futur të gjithëve. Aq sa ne këtej që blejmë ca paketa televizive me stacionet tona, pyesim me naivitet shoqi-shoqin. Ore a rrojnë më ata gazetarët e bujqësisë për shembull? Seç kanë qenë ca me emrin Marash. Që bëjnë ca rubrika mbi zanatlinjtë, traditat, vendet. Apo kulturën tonë. E kërkojmë internetit për shembull një me emër Alma Çupi. Se që ta themi hapur, janë bërë këto të pakta rubrika, si faqet e fundit të gazetave një herë e një kohë. Na mbyti “bumi” i zhurmshëm i skupeve. O nga politika, o nga Prokuroria. Na mbytën edhe studiot me debatet shterpe.

Disa e quajnë fillimi i reformës. Disa pragnisja e spastrimit të administratës. Lufta e ashtuquajtur, me zero tolerancë ndaj krimit, korrupsionit etj. Dhe i ra për pjesë Gjirokastrës. Qytetit me heronj dhe antiheronj. Vendit të gurit dhe i një burri të bukur që vërtet ëndërronte një Shqipëri shtet sovran. Ndaj shkoi e u vra në fushën e Shtojit. Mirëpo i pshurrën në kokë për vite me radhë antiheronjtë aq sa edhe një qivur nuk kanë ujë t’ia lajnë. Edhe pse Gjirokastra shquhet për shi. Shquhet për steret e gurta.

Kanë tre ditë me Spiro Kserën. Standardi i tenderave. Paska vjedhur ca arixhinj. A e dini se nëntëdhjetë e nëntë për qind e shqiptarëve drejtues e kanë edukatë normale fitimin e tenderimit.

E fillojnë nga byrekët me gjizë, silla e mëngjesit. Dhe përfundojnë tek moda e frutave të detit. Nuk ka nëpunës shqiptarë që mos ta ketë ndyer dorën në atë t’lyn. Nuk e shkruajti kot ai plaku nga Vlora, që e kishte për zor të shkruante vjersha. Ali Asllani, atë verdiktin e Kohës së maskarenjve. Përpara se të bërtisni që Ksera është vetëm fillimi. I thoni njerëzimit që Ksera e dinte prej kohësh që do e arrestonin. Dhe nuk u largua nga vendi. Mund të kishte përfituar pension admirimi. Dhe mund ta kishin bërë kolonel në Greqi. Por nuk iku. Gjykojeni me urtësinë e ligjit, jo të konferencave për shtyp. Me suksesin imagjinar të reformës në drejtësi. Me fillimin imagjinar të luftës ndaj krimit, korrupsionit. Jemi në atë pikë, ku vendi para së gjithash ka nevojë për një reformë të tipit duart e pastra. Kush i ka të pastra në shtëpinë e drejtësisë shqiptare. Kush i ka të pastrat në administratën shqiptare. Reforma fillon nga vetja. Kush e ka kurajën nga konferencaxhinjtë të deklarojë pasurinë. I kanë të gjitha nga gratë. Asgjë nga vetja. Nga paga. Kush e ka kurajën të fillojë nga vetja. Pastaj nga qoshet.

Peshku i madh nuk është në Gjirokastër,  në atë fshat, ku priste ekzekutimin një ish-ministër minoritar. Peshku i madh është në Tiranë.

Dy fjalë edhe këtyre minoritarëve që heshtin. Me që veproni edhe nën sloganin si Parti e të Drejtave të Njeriut. Dhe që jeni bërë katërsh. Ju ka kapur sëmundja e politikës pragmatiste. Për një pozitë, për një aleancë. Për mëri personale se keni për gjë të flirtoni gjithçka. Edhe vetë ekzistencën tuaj. Edhe pse çirreni për të drejtat tuaja. Të etnisë tuaj. Diktaturat kanë për t’ju tetëfishuar dhe përdorur. Pasi e dini…, ata që ju përdorin janë diktatorë. Nuk është turp të jesh minoritar. Të ndihesh grek, e të jetosh si shqiptar. Turp është kur ju përdorin. Ashtu sikur po përdoren edhe çamët. Dhe kurrë ai Jug i bukur. Nuk e gjeti paqen mes vedit. Po u them edhe juve. Peshku i madh është në Tiranë. Jo në Derviçan…

SHKARKO APP