Pikëtakimet e mesazheve të sekretarit Kerry dhe Mogherinit në Tiranë
Lajme E Martë, 20 Prill 2021 08:54
Nga Lavdrim Lita-
Brenda dy javësh Tiranën zyrtare e kanë vizituar dy eksponentë të rëndësishëm të politikës së jashtme të Perëndimit, Sekretari i Shtetit amerikan John Kerry dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE për politikë të Jashtme, Federica Mogherini. Në një analizë të fjalimeve të tyre kryesore vërehen pikëtakime të rëndësishme për inkurajimin e reformës në drejtësi dhe heqjen nga parlamenti e administrata publike e personave me precedentë penalë, që shikohen prej komunitetit ndërkombëtar si një stacion vendimtar për të lënë prapa një histori që s’ka asgjë për të qenë krenar.
Të dy përfaqësuesit të kancelarive amerikane dhe europiane kanë dhënë në Tiranë mbështetjen e tyre qeverisë aktuale. Kjo mund të lexohet edhe si i një mesazh i nënkuptuar për palët ku stabiliteti politik i brendshëm është më se i nevojshëm sesa “revolucionet” në rrugë. Shumë eksponentë politikë dhe gazetarë të angazhuar prisnin që sekretari Kerry të përmendte edhe njëherë si më parë kapjen e medias dhe politikës nga oligarkia, por Sekretari i Shtetit amerikan do të mjaftohej të deklaronte se, “faktet janë shumë të qarta dhe Shqipëria duhet të jetë shumë e kënaqur me faktin që vendi juaj po ecën në drejtimin e duhur”. Ndërsa përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini do të rezononte në të njëjtën linjë, “Nuk besoj se është rastësi që vetëm para pak ditësh, juve ju është dhënë i njëjti mesazh nga John Kerry dhe që mesazhi që BE dhe SHBA po i çojnë Shqipërisë dhe po i përçojnë qytetarëve shqiptarë është i njëjtë. Ju po bëni për vendin tuaj diçka të madhe dhe të mire”.
Është e vërtetë që Federica Mogherini nuk ka dëgjuar nga opozita në Tiranë një “po” përfundimtare, se ajo do ta votojë reformën në drejtësi, siç janë aktualisht kushtet politike. Megjithatë ajo ka lënë të kuptohet se fjalët e mira të saj dhe të sekretarit Kerry për qeverinë janë një shpërblim edhe për faktin se qeveria shqiptare ka marrë përsipër të strehojë një numër më të madh të muhaxhedinve iraniane dhe pritet të jetë një strehë e dobishme për refugjatët sirianë.
Një pikë tjetër që kancelaritë perëndimore janë të njëmendje është fakti që interlekutori i tretë në vend është i padobishëm në kushtet ekzistuese. Pra, shoqëria civile në vend është polarizuar aq shumë sa dallimi mes politikës dhe OJQ-ve është bërë i padallueshëm. Takimi i sekretarit amerikan të Shtetit me një grup personash të papërlyer në marrje pa kriter të fondeve të destinuara për rritje kapacitetesh reale të demokracisë shqiptare dhe vlerësimi për studentët e shkolluar në universitete perëndimore është një sinjal për të gjithë ata që shkollimin e kanë marrë përpara ’90.
Padyshim ky takim i sekretarit Kerry ishte simbolik, por tepër i rëndësishëm për të vënë në dukje mbështetjen amerikane për një shoqërinë civile të pakapur nga paraja dhe pushteti. Mesazhi ishte i qarte. Po në këtë linjë rezonon edhe delegacioni Bashkimi Europian në Tiranë që inkurajon grupime të reja profesionistësh që kanë në misionin e tyre promovimin, monitorimin dhe ndikimin në procesin e integrimit europian.
Mediat shqiptare e mbuluan me zell aktivitetin e shkurtër të sekretarit amerikan Kerry në Tiranë duke u fokusuar në mesazhet kryesore për qeverinë dhe reformat, “si mbështetje për qeverinë” duke harruar që zyrtarët amerikane në 25 vitet e fundit mbështesin reformat demokratike në përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve dhe interesat amerikane në vend dhe rajon. Ndërsa vizitën e përfaqësues së BE-së, mediat e mbuluan sa për sy dhe faqe, duke gabuar pasi mesazhet e znj. Mogherini ishin të drejtpërdrejta dhe me vend.
Sido që të jetë, dita më e mirë e marrëdhënieve shqiptaro-euroatlantike do të jetë atëherë kur – në takimet zyrtare të përfaqësuesve shqiptarë me ata europiane dhe amerikanë – të mos flitet më për kriminalizim të parlamentit dhe administratës gjyqësore, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, për sigurinë juridike dhe fizike të bizneseve europiane dhe amerikane, etj.
*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.
KOHA JONË SONDAZH