Piramida online që grabiti 20 mln USD, ekspertët e IT: 10 mijë viktima, shumica shqiptarë
Si dikur ”Sudja”, sot online. Skemat piramidale online nuk janë shfaqur tani, ato kanë tre vite që operojnë në Shqipëri. Grupi TXEX ka grumbulluar nga qytetarët shqiptarë afërsisht 20 milionë dollarë, dhe këtë denoncim e bën eksperti i IT-së, Gent Progni, i cili ka zbuluar portofolin e tyre.
“Nga investigimi im, drejtuesi i kësaj platforme nuk është shqiptar. E njëjta platformë ka funksionuar edhe në shtete të tjera, në Bullgari dhe vende të BE-së, por në Shqipëri është për t’u shqetësuar pasi sasia e njerëzve është tepër e lartë, ku shkon diku te 10.000 persona, dhe nga investigimi im portofoli i kësaj platforme kishte diku te 20 milionë dollarë vetëm gjatë muajit gusht, dhe 80% e tyre janë hedhur nga shqiptarët”, shprehet Progni.
Në qytetin e Lushnjës paratë e skemës piramidale qarkullojnë në një bar-kafe. “Për tërheqjen e saj ka dy mënyra: të thonë shko në Kosovë, pasi atje mund t’i drejtohesh ‘exchange’, ose do pika fizike në Lezhë, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Kavajë, ku i merr paratë cash, në dorë. Ka një problem në varësi të user-ëve që shtohen ke dhe mundësi t’i tërheqësh. Pra kjo është piramida, ku sa më shumë veta të futen, disa kanë mundësi t’i tërheqin. Kjo është joshja që bëhet”, shton Progni.
Skema e mashtrimit pranohet edhe nga vetë AKSK dhe nga Policia e Shtetit, ku në një reagim zyrtar kjo e fundit thotë se është nisur një hetim penal mbi platformat që të ofrojnë para pa punuar. Edhe pse tashmë kjo skemë është bërë publike, ata vazhdojnë punën e tyre, duke u kërkuar qytetarëve 400 dollarë për të siguruar llogarinë e tyre në të kundërt, nuk lejohet asnjë tërheqje.
KOHA JONË SONDAZH

