Pireu: porti i shpresës së fundit

Në Portin e Pireut ndodhen mijëra refugjatë. Gjendja është katastrofale. Ata duan të vazhdojnë rrugën për në Evropën Perëndimore, por itinerari ballkanik është bllokuar. Tani shprehohet te samiti BE-Turqi.

***

Ajo e bën prej dekadash punën me refugjatët, thotë gruaja nga UNHCR-ja, por kushte të tilla si këtu ajo nuk ka parë askund. Në tokën e terminalit prej 2000 metrash katrorë të pasagjerëve E2 janë shtrirë, ngjitur me njëri-tjetrin qindra gra, fëmijë, meshkuj. Në terminalet e tjerë të pasagjerëve gjendja është e ngjashme. Meqenëse vendi në salla nuk mjafton për të gjithë, shumë refugjatë e kalojnë natën në çadra të lagura.

Prej ditësh po bie pa pushim shi. Edhe vërshimi i refugjatëve nuk ndalet. Megjithëse rreth 500 vetë janë strehuar në kampet e reja të refugjatëve, deri të dielën në darkë autoritetet e portit numëruan 2780 vetë të ardhur. Të hënën në mëngjes, trageti “Ariadne” solli në Lesbos 221 refugjatë dhe 380 në Chios. Të hënën në darkë priten dy anije të tjera me pasagjerë në ishujt e Egjeut Jugor.

“Është për t’u çmendur”, thotë Andy, “kurrë nuk e dimë përpara sa njerëz do të vijnë, që të mund të përgatitemi”. Andy dhe gruaja e tij janë izraelitë, që jetojnë në Kretë. Që prej dhjetë ditësh ata kujdesen për refugjatët në Pire. Kjo do të thotë me fjalë të tjera që bashkë me ndihmës të tjerë vullnetarë ata organizojnë mbijetesën e atyre që mbërrijnë këtu. Përballë sjelljes apatike të shtetit, tetorin e kaluar organizata joqeveritare të Pireut ndërmorrën një iniciativë për t’u garantuar refugjatëve strehim dhe ushqim. Autoritetet e portit vunë në dispozicion godina bosh, të gjitha të tjerat organizohen nga donacionet: çadra, mbulesa, gjëra për të vëshur, pelena, sapunë, shampo e edhe ushqimi.

Çdo ditë këtu furnizohen në këtë mënyrë rreth 3000 vetë. Dyzina vullnetarësh grekë ndërrohen brenda 24 orësh. Si tekniku i aparaturave ftohëse Jorgos Markakis. Ai ka marrë pushim nga puna. Deri 12 orë në ditë udhëton ai me veturën e tij private, për të shpërndarë ushqime, për të ngritur çadra e punë të tjera. Pse e lë pas dore ai punën dhe familjen e tij, e pyes. “Këtu duhet të ndihmosh, nuk e shikoni?”

E fundit që vdes është shpresa

Në përgjithësi, rreth 40 përqind e refugjatëe në portin e Pireut janë sirianë, po kaq janë afganë dhe 20 përqind janë irakianë. Rreth 130 jezidë jetojnë në një kamp çadrash më vete. Ata të gjithë kanë ardhur nga Turqia- shumicën e herëve natën. Tarifat për trafikantët janë të ndryshme: afganët duhet të paguajnë 1300 dollarë, sirianët 700.

“Le të flasim hapur”, thotë Mahmudi 28 vjeçar. “Greqia ndodhet në një gjendje të keqe ekonomike. Ne duam një vend ku të jemi më të mirëpritur”. Pjesa më e madhe e refugjatëve shpreson që kufiri i Greqisë me Maqedoninë të hapet sërish. Jo vetëm Mahmudi, por edhe shumë të tjerë duan të presin takimin e nivelit të lartë, për të vendosur se çfarë do të bëjnë. Por qeveria greke nuk ka më shpresë se kufiri do të hapet sërish. Në bazë të deklaratës së koordinatorit të qeverisë për refugjatët, Dimitris Vitsas, pjesa më e madhe e refugjatëve do të qendrojnë deri dy vjet në Greqi, por disa përgjithmonë.

 

DWelle

 

SHKARKO APP