Pjata e parë dhe e dytë në Salento
Nga Desareta Mitro / “Il primo e il secondo di Salento” është toka dhe deti, ku bashkohen për t’u ndare Joni dhe Adriatiku. Një zë i shkujdesur, menjëherë, do të vinte nga Kafe Orsini, përtej Torre del Parco të shpjegonte: “No, signora! ‘Il Primo’ është një pjatë me bazë karbohidratesh, e cila mund të shoqërojë antipastën, ndërsa ‘il secondo’ është një pjatë me baze proteinash, që serviret pas të parës”. “Jo! Kam të drejtë unë”!- do të këmbëngulja. “Il Primo e il secondo” nuk është vetëm vakti më i shëndetshëm e më i plotë, të cilin do ta shijonte me endje cilido turist, nga ai më aventurieri deri te më sqimtari, në Takën e Italisë. Me shpirtin shkëputur nga bashkëbiseduesi përkrah, përhumbur në meditim, “Il primo e il secondo” është ndjesia që të lehtëson si era dhe të pushton si ajri, manjetizimi i hapave drejt polit të kërshërisë për të ditur dhe këmbënguljes për t’u kënaqur. Salento vetë është një busull lehtësimi se cilindo drejtim që të zgjedhësh, nuk do të jesh kurrë vetëm. Ai thith diell dhe reflekton kulturë e traditë. Toka e pushtimeve, zgjimi i arteve, porta e Lindjes, Salento është destinacioni turistik i përsosmërisë.
Salento, trashëgimtari i Messapisë, si fëmijë i etur pas banjave të gjata në det, e kthen shishen qiellore të rrezeve të diellit rrëmbimthi për të freskuar faqet shkëmbore dhe buzët e shkrifta si rëra. Në skajin më jugor të Italisë, nënshkruhet çdo ditë paqja mes natyrës dhe monumentalizmit. Kështjellat me mure të larta, kullat bregdetare dhe fermat e fortifikuara, dëshmitë e dukshme të një të kaluare heroike dhe luftarake të shfaqen si fytyra e mençur e një të moshuari që gati-gati të urdhëron t’i japësh fund fantazisë dhe të mësosh në heshtje. Salento është atdheu i përqafimeve. Nën këmbët e Puglias, ku 1000 vjet më parë rrëzoheshin e ngriheshin mbretëri, sot përqafohet Mesjeta me Rilindjen, arkitektura me barokun, bujqësia me artizanatin, fasadat e linjave të thjeshta me kalatat e fryra të çative të harkuara, diademat polikromatike të stilit bizantin me shpërthimet e arkitekturës barok. Dhe përqafim pas përqafimi, ngjitet mbi gurët e bardhë leçeze, si mbi shkallë të spërkatura me arin e ditës, Katedralja e Santa Croce. Bazilika e shekullit të XVI çel zemrën e kryeqytetit të Salentos, Leçes, dhe nëpër kapilaret e rrugicave rreth Palazzo dei Celestini, Piazza Sant’Oronzo, Amfiteatrit Romak, Pallatit të Selisë, Kishës së Shën Markut, pulson plazmën e simboleve të barokut ngulitur fasadave, kryeveprat artizanale të letrës, ujit dhe argjilës, pasuruar me epitelet e bareve, pabeve, restoranteve dhe sallave piktoreske të seminareve.
Salento është shteti i pasionit, ku dashuria është ligj dhe argëtimi rregull. Gjiri i gjelbër i Galipolit është tempulli ku gjunjëzohet hijeshia dhe joshja, rinia dhe dëshira. Baret e klubet në ajër të pastër, lokalet elegante dhe të rafinuar buzë detit nuk janë kulme, por një festë e pambarimtë, nga skajet e natës deri në zgjimet e mëngjesit. Salento është zana e dëshirave për të mëdhenj e të vegjël, është letra tarot që parashikon rituale kolektive festash e argëtimi. Salento është muzgu ku dremitin ullinjtë shekullorë, shpellat e pelegrinazheve shpirtërore, diversiteti i fanerogameve dhe specieve të ujit, dhe ku shtrihen vargjet e tryezave dekoruar me orechiette dhe verë salentine, puccia me ullinj, frizat njomur me vaj ulliri e kaperi, që konkurrojnë tryezat ngjitur nga vjen parfumi i pitulave ngjyer në vin’ cotto, kopetave dhe pasticcioti, nën atmosferën më surreale të valles terapeutike të tarantules, grupeve teatrale, koncerteve dhe fishekzjarrëve. Gadishulli i Salentos është melhemi që kuron çdo forme vetmie me kuzhinën e shijshme, traditën popullore, ekspozitat fotografike, netët karakteristike të Melpignano-s me valle, akrobaci e muzikë ritmike. Salento është shpirt i sintezës së Lindjes dhe simboleve të perëndimit. Mozaikët njerëzorë dhe historikë të Otrantos të hipnotizojnë me punishtet e shumta, dyqanet e produkteve vendore dhe artistët e rrugës që të mahnitin me organot e dorës. Kepi i Otrantos që e shikon i pari agimin, kanali natyror që lidh burimet e ujit të freskët të Liqenit Alimini Piccolo me ujin e kripur të Liqenit Alimini Piccolo të tundojnë të ripërtëritësh adhurimin e Eneas për Minervën, kur zbarkoi në Porto Badisco.
Salento nuk është gadishull; Salento është stina e pestë e vitit. Në veri të Adriatikut, shkëmbinjtë ulen mbi limanet e vegjël me rërë dhe dëbojnë dimrin të shtrohet mbi bregdetin e Casalabate, Frigole, Torre Rinalda dhe San Cataldo, Porto Badisco e Santa Cesarea Terme, ndërsa shiroku që fluturon mbi rezervat natyrore mbron vendpushimet piktoreske të San Gregorio, Torre Vado, Pescoluse e Torre San Giovani nga pushtimet e pranverës. Salento është proçesioni detar i saraçenit që thur ëndrra të trëndafilta për të dashurën dhe i gdhend asaj gjumin e munguar si stoli malli. Salento është dashuria që fillon me kohën dhe përfundon me pafundësinë. Humnerat e ulta, ishujt e vegjël që ngrenë kokën mbi ujë, dunat e pasura me bimësi, shkëmbinjtë e kristaltë janë unaza që i vë në gisht marinari të dashurës së virgjër. Nëpër pyllin me pisha të Santa Maria di Leuca vrapon ëndrra që lind në Bazilikën e Zonjës “De Finibus Terrae”, për t’u tretur edhe ajo aty ku tretet ngushtësia e Adriatikut me thellësinë e Jonit, ashtu si thithin ajrin e lagësht gojët e etura për puthje. Dhe Shen Pjetri ulet përsëri mbi Punta Meliso, por jo për të pushuar pas ardhjes nga Palestina, por për të bekuar preludin e kësaj legjende që do të rrojë më gjatë se bota.