PJESA III-Dokumentet gjermane të luftës: Plani për krijimin e një shteti shqiptaro-malazez
Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Ëehrmacht, KTB-OKË) në vitet 1940-1945 u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Ëehrmachtführungsstabamt).
Sekretari i Ditarëve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (K.S.F.A.) ishte Helmuth Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965 ditarët e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Ëehrëesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:
Hans-Adolf Jacobsen: Vëllimi I, 1517 faqe, periudha 01.08.1940 – 31.12.1941, botuar 1965. Andreas Fritz Hillgruber: Vëllimi II 1-2, 1477 faqe, periudha 01.01 – 31.12.1942, botuar 1963. Ëalther Hubatsch: Vëllimi III 1-2, 1673 faqe, periudha 01.01 – 31.12.1943, botuar 1963. Percy Ernst Schramm: Vëllimi IV 1-2, 1976 faqe, periudha 01.01.1944 – 22.05.1945, botuar 1961. Në vazhdim paraqiten të përkthyera në Shqip vetëm pjesët ku shkruhet për Shqipërinë.
(Përkthyer nga Ana Kolevica, redaktuar nga Saimir Lolja)
Vijon nga numri i kaluar
Faqe 1134_1135 – 23.09.1943. Divizioni "Brennero" që vepron në Shqipëri ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar luftimet në anën gjermane. Komanda e lartë e juglindjes ka urdhëruar dërgimin e tij në zonën Rashka-Mitrovicë në mënyrë që trupat të mund të kontrollohen dhe ajo pjesë që do të gjykohet e besueshme do të bashkohet me batalionet këmbësore 999. Shtabi drejtues gjerman nuk do që trupa pak të besueshme të shkrihen në batalionet 999 dhe parashtron që ato trupa të përdoren në sigurimin e transportit mbi shina. Trupat që lirohen kështu prej andej do të bashkohen me batalionet e tjera.
Shtabi i përgjithshëm bullgar ka paraqitur një raport mbi gjendjen e pakicës bullgare në kufirin lindor shqiptar. Ky raport është gjykuar nga komanda juglindore si i tepruar. Prandaj ka parashtruar që kërkesa bullgare për pushtimin e kësaj zonë të hidhet poshtë dhe atje të përdoren trupa të milicisë shqiptare. Ky mendim është pranuar më 20.09.1943 nga shtabi drejtues gjerman. Ministria e Jashtme njofton më 21.09.1943 se i dërguari bullgar ka kërkuar të pushtohen prej bullgarëve zonat kufitare të Shqipërisë të populluara nga bullgarë në mënyrë që të mbrohen pakicat bullgare nga shqiptarët.
K.S.F.A. njofton atasheun ushtarak gjerman në Sofie [të Bullgarisë] se komanda e lartë juglindore e vlerëson situatën në kufi shumë më pozitivisht se sa shtabi i përgjithshëm bullgar. Prandaj atje do të veprojnë forca vendore milicie për të ruajtur sigurinë. Pushtimi i asaj zone tani për tani nuk është i nevojshëm.
Faqe 1139 – 24.09.1943. Shtabi qendror i ushtrisë ka caktuar pikat e mëposhtme për bisedimet me komandën juglindore që do të zhvillohen më 24.09.1943 në kuartierin kryesor të Hitlerit. I. Zhvillimi i luftës: ….. Radha e kundërsulmeve dhe trupat që do të përdoren, pushtimi i ishujve në Egje dhe Adriatik, ……., sigurimi i prapavijës në Shqipëri dhe Mal të Zi….
Faqe 1143 – 25.09.1943. Gjendja në Ballkan: Në Eube, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, vazhdojnë veprimet e bandave dhe ka filluar një operacion spastrimesh nga ana jonë. Faqe 1144 – 26.09.1943. Komanda e juglindjes lajmëron për sigurimin e zonës Tetovë-Gostivar-Dibër-Strugë-Kiçevë (Shqipëria lindore), zonë të cilën dëshironin ta pushtonin bullgarët.
Faqe 1147 – 27.09.1943. Vazhdojnë veprimet kryengritëse në Shqipëri. Faqe 1151 – 28.09.1943. Në një shtesë të njoftimit për atasheun ushtarak gjerman në Sofie me 23.09.1943 thuhet se zona e Shqipërisë veri-lindore deri në luginën e Vardarit do të pushtohet më vonë nga trupa gjermane.
Faqe 1154 – 30.09.1943. Në Shqipëri mprihen më tej veprimet e bandave; janë vënë re gjithnjë e më shumë agjentë britanikë. Faqe 1164 – 01.10.1943. [Bëhet fjalë për udhëzimet e komandës së lartë gjermane për shpërndarjen e trupave në juglindje]. …. Divizioni X Malor të dërgohet në Epir ose në bregun shqiptar. …. Vazhdojnë spastrimet në Shqipëri dhe Kroaci. Faqe 1168 – 03.10.1943. Hitleri urdhëron të emërohet një "Gjeneral përgjegjës për Shqipërinë“. K.S.F.A. lëshon një urdhëresë për këtë. Faqe 1171 – 04.10.1943. Hitleri i urdhëron komandës së lartë jugore dhe Grupit B të ushtrisë sa vijon: Pritet që armiku t'i drejtojë operacionet kryesore kundër rajonit juglindor ose nga Italia jugore për në Shqipëri – Mal të Zi – Kroaci jugore ose pas luftimeve nga Italia qendrore kundër Kroacisë veriore – Istria. Faqe 1178 – 06.10.1943. Pritet një sulm britanik në rajonin juglindor kundër bregut shqiptaro-dalmatik ose nëpër detin Egje kundër Maqedonisë dhe Thrakisë. Faqe 1181 – 07.10.1943. Forcohet veprimi i bandave në Shqipëri dhe Kroaci.
Faqe 1184 – 08.10.1943. Në Shqipëri është ngritur me ndihmën gjermane një qeveri shqiptare, e cila ka ndër mend të krijoje një trupë milicie të vetën. Njoftimet e shtabit drejtues të ushtrisë për datat 09.10.1943 dhe 13.10.1943 mbi lirimin nga ushtria të shqiptarëve që ndodhen në Divizionin SS Malor të Bosnjes janë hedhur poshtë nga krye-komandanti i SS-ve [Heinrich Himmler]. Faqe 1191 – 10.10.1943. K.S.F.A. është dakord me idenë e shtruar më 01.10.1943 nga komanda e lartë juglindore për zhvendosjen e forcave të ndërtimit të përforcimeve në zonën e Armatës II të tankeve (bregu shqiptaro-dalmatik).
Faqe 1193 – 11.10.1943. Gjendja në Ballkan: Vazhdojnë spastrimet tona në Greqi. Në Shqipëri luftime të Divizioneve Gjuajtës 100 dhe 118 me pjesët e mbetura të Divizioneve italiane "Firenze" dhe "Venecia".
Faqe 1197 – 13.10.1943. Qeveria [italiane] e gjeneralit Pietro Badoglio i shpall luftë Gjermanisë. Mbreti i Italisë heq dorë nga titulli “Perandor i Etiopisë” dhe “Mbret i Shqipërisë”.
Faqe 1208_1209 – 18.10.1943. Hitleri ka njoftuar këshillin e regjentit bullgar më 18.10.1943 se do t'u vijë për vizitë gjenerali M. R. von Ëeichs, mbi përforcimin e bregut të Thrakisë afër Kavallës me një Divizion bullgar, si dhe mbi masat që do të merren për mbrojtjen e pakicave bullgare në Shqipërinë lindore. Faqe 1212 – 21.10.1943. K.S.F.A. përkufizon të drejtat e gjeneralit të plotfuqishëm gjerman në Shqipëri si dhe të komandaturës që do të ngrihet në Mal të Zi. Faqe 1221 – 25.10.1943. Qeveria shqiptare nuk ka mbështetje. Nuk është arritur ende ndonjë lidhje me krerët e bandave të lëvizjes kombëtare greke dhe me Mihailoviçin [Dragoljub "Draža" Mihailoviç, komandanti i çetnikëve serbë, pro-mbretërorë]. Faqe 1252 – 05.11.1943. Në Shqipëri ka dy grupe banditësh: komunistët që janë të lidhur me Titon dhe kombëtarët që nuk duan të njollosen nga lidhja me gjermanët. Faqe 1254 – 05.11.1943. Është krijuar dhe ka kryer betimin një qeveri kombëtare shqiptare……Shtabi qendror i ushtrisë ka parashtruar më 04.11.1943 për takimin që mbahet më 05.11.1943 me delegacionin bullgar në shtabin e Hitlerit këto pika: 1) Përdorimi i një Divizioni tjetër bullgar ndërmjet Divizioneve bullgare VII dhe XVI. 2) Siguria në rajonin kufitar Bullgari-Shqipëri. …Meqenëse Hitleri i ka premtuar kryeministrit bullgar mbrojtjen ushtarake të zonave kufitare të Shqipërisë, duhet që komanda e lartë e juglindjes ta mbajë këtë premtim. (Bëhet fjalë për një rajon me pakica bullgare, zonë të cilën ishin të gatshëm ta pushtonin forcat vendore bullgare por u penguan nga qeveria e tyre. Trupat gjermane janë shprehur të paanshme. Kur më vonë komunistët sulmuan pakicat bullgare, bullgarët kërkuan pushtimin e kësaj zone nga gjermanët. Nuk dihet arsyeja pse bullgarët nuk e pushtojnë vetë atë rajon. Për këtë detyrë ishte parashikuar Divizioni I i tankeve; meqenëse ky u zhvendos për në lindje, pakicat mbetën të pambrojtura. Mbas kësaj dhe kërkesës së përsëritur për ndihmë, Hitleri urdhëroi pushtimin e Shqipërisë lindore me trupa gjermane).
Komanda e lartë e juglindjes merr në të njëjtën ditë urdhrin për spastrimin e zonës Tetovë-Dibër-Strugë-Kiçevë-Gostivar dhe krijimin e trupave vendore të vetëmbrojtjes me ndihmën e SS-ve dhe të forcave policore të Greqisë dhe me armë të marrura forcave italiane. Më 06.11.1943, komanda e lartë e juglindjes njofton për masat që ka ndërmend të marrë. Hitleri shprehet dakord me to më 07.11.1943. Komandanti i Shtabit të Operacioneve në K.S.F.A. [gjenerali Alfred J. F. Jodl] vendos që batalionet gjermane të presin derisa të jetë ngritur milicia, e cila duhet të përbëhet nga maqedonas bullgarë. Komanda e lartë e juglindjes merr udhëzimet e nevojshme.
Faqe 1268 – 10.11.1943. Komanda e lartë e juglindjes gjykon luftën kundër Titos si detyrën kryesore, edhe më të rëndësishme se ruajtja e kufirit bregdetar. Meqenëse forcat e nevojshme për këtë janë dobësuar dukshëm për shkak të zhvendosjes se trupave në lindje, i njoftohet se Hitleri ka pranuar përdorimin e Divizionit I Malor për operacionin "Kugelblitz" [kundër partizanëve komunistë jugosllavë në Dhjetor 1943]. Pas këtij operacioni ky Divizion duhet të pozicionohet në mënyrë të tillë që të mund të përdoret si forcë rezervë në Shqipëri dhe në Greqinë veri-perëndimore.
Faqe 1275 – 12.11.1943. I plotfuqishmi gjerman në Shqipëri është gjenerali Theodor Geib, por fuqia ekzekutive është në dorën e komandës së lartë të Armatës II të tankeve (Gjenerali Lothar Rendulic).
Faqe 1278 – 13.11.1943. Shënim në dosje mbi rëndësinë ekonomiko-ushtarake të Shqipërisë dhe nxjerrjen e kromit atje. Faqe 1289 – 17.11.1943. Në Shqipëri ka vështirësi sepse ushtarëve nuk u paguhet dot rroga në monedhën vendase, sepse qeveria shqiptare nuk pranon të japë shumën e nevojshme për këtë dhe ne nuk duam të bëjmë presion më të fortë. I dërguari Hermann Neubacher po përpiqet për një zgjidhje të problemit. Faqe 1290 – 18.11.1943. Përfundim i spastrimeve të Divizionit Gjuajtës 100 në Shqipëri dhe luftime në Peljeshac [në bregdetin kroat].
Faqe 1292 – 19.11.1943. ….. Spastrime të suksesshme në Shqipëri dhe në veri të Malit të Zi. Faqe 1317 – 28.11.1943. Gjendja në Ballkan: Bombardime armike në qarkullimin rrugor dhe depozitat me materiale në zonën e Kroacisë jugore, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Faqe 1330 – 02.12.1943. ….Qëndrim i qetë i bandave në Shqipëri dhe Mal të Zi…..Për shkak të vështirësive në financimin e ushtrisë në Shqipëri i kërkohet Ministrisë së Jashtme më 03.12.1943 të caktojë një zëvendës për të dërguarin Hermann Neubacher. Kjo i njoftohet edhe komandës së lartë të juglindjes e cila merr edhe udhëzimet përkatëse. Meqenëse po shtohet veprimi luftarak armik në rajonin shqiptaro-kroat, komanda e lartë e juglindjes njofton për rrezikun e krijuar mbi të gjitha trupat që marrin pjesë në operacionin “Kugelblitz”.
Faqe 1335 – 04.12.1943. Zyra e spiunazhit ushtarak merr udhëzimet përkatëse në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajë përkundrejt Ministrisë së Jashtme përsa i përket kundërshtive kufitare bullgaro-shqiptare në liqenin e Ohrit. Faqe 1373 – 20.12.1943. Përpjekjet e Këshillit të Regjencës nuk arrijnë të tërheqin forcat kombëtare në Shqipëri. Faqe 1461 – [Kapitulli: Shënime dokumentesh në Ditarin e Luftës] 04.10.1943. Plan lufte për komandanten e lartë të jugut dhe Grupin ushtarak B: …. A) Unë pres që armiku t'i drejtojë sulmet e tij kryesore kundër rajonit juglindje duke u nisur nga Italia, mbase dhe me një pjesë të forcave nga Afrika. Nuk mund të parashikohet nëse kundërshtari do të drejtohet kundër Shqipërisë/Malit të Zi/Kroacisë nga Italia jugore që është e pushtuar prej tij, apo do të përpiqet të shtyjë për në veri forcat gjermane në Itali……Nënshkruar Adolf Hitler.
Faqe 1474 – [Kapitulli: Shënime dokumentesh në Ditarin e Luftës] 10.12.1943. …. Divizionet italiane Arezzo, Taurinese, Ferrara, Emilia, Venecia dhe Parma në Mal të Zi dhe Shqipëri janë vënë nën komandën e banditëve; një pjesë e Divizionit Firence [Divizioni 41 i Këmbësorisë] luftojnë nën komandën e komandantit të tyre të Divizionit në anën e banditëve [në Shqipëri]. Gjithsej rreth 11000 veta. Përafërsisht 2200 italianë janë kapur prej ushtrisë gjermane.
Faqe 1540 – Udhëheqja gjermane e ushtrisë në vitin kulminant të luftës. Vështrim i përgjithshëm i Ditarit të Luftës i shtabit udhëheqës gjerman në vitin 1943: …. Pasi aeroportet shqiptare ishin pushtuar nga forcat tona që përpara kapitullimit të Italisë, u përgatit në Shtator 1943 themelimi i një shteti shqiptar të pavarur. Ngritja e një shteti shqiptaro-malazez nuk u prit mirë meqenëse nuk donin të ishin të varur nga Gjermania e cila praktikisht e kishte humbur luftën. Së fundi u krijua në fillim të Tetorit me ndihmën e Gjermanisë një qeveri shqiptare e cila mori përsipër bërjen gati të 30'000 forcave vullnetare.
Faqe 1545_1546 – [Kapitulli: Vështrim i përgjithshëm i Ditarit të Luftës i shtabit udhëheqës gjerman në vitin 1943. Në pjesën mbi Bullgarinë shkruhet]: …..Qeveria e re bullgare (pas vdekjes se carit Boris) me sa duket kërkonte që mbështetja ushtarake të shpërblehej me marrje tokash në lindje të Shqipërisë, ku jetonte një pakicë e shpërndarë bullgare. Kështu më 05.11.1943, kur u bisedua mbi politikën pushtuese bullgare në Ballkan, [Ministri i Jashtëm bullgar] Schischmanoff vuri në dukje trajtimin e mirë të pakicës greke nga bullgarët në Thraki. Kësaj paraqitje të ministrit bullgar Schischmanoff i përgjigjet Hitleri me vërejtjen se kjo është një politikë e zgjuar e bullgarëve.
Për sa i përket shkëmbimit të mendimeve mbi Shqipërinë, [Kryeministri bullgar i pranishëm në takim] Bojiloff me shumë kujdes kërkoi që të mendohej mbi mundësinë e zhvendosjes së trupave bullgare në zonën e rrezikuar kufitare me Shqipërinë. [Ai tha] Bullgaria ka vetëm trupa të pakta dhe të pajisura keq, por ajo do të përpiqet të bëjë gati trupat e nevojshme për këtë qëllim. Nga ana tjetër ai beson se me bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare mund të arrihet një zgjidhje për problemet e sipërpërmendura. Hitleri mban një qëndrim negativ ndaj këtyre kërkesave dhe mendon se më e mira do ishte që trupat SS të ngrenë një trupë të përhershme të përbërë nga bullgarë. Në këtë mënyrë do të ishin të pranishme trupa bullgare në këtë rajon.
Një ideje të kryeministrit bullgar Bojiloff se ai dëshironte rishikime territoriale në kufirin shqiptar, Hitleri nuk iu përgjigj drejtpërdrejt dhe sqaroi se një gjë e tillë do e ndërlikonte pa ndonjë dobi gjendjen në Shqipëri….. Në zonën kufitare Bullgari-Shqipëri do të ngrihet nga trupat SS një formacion i përbërë nga bullgarë të Maqedonisë, por qeveria shqiptare e sapo krijuar në fillim të Nëndorit 1943 nuk mund të njolloset me dhurim territoresh [bullgarëve]. Faqe 1614 – [Nën pjesën mbi Ballkanin si rajon operacionesh ushtarake, shkruhet]: …. Në Shqipëri u pushtuan me kohë aeroportet dhe veç kësaj grupet partizane asnjanësonin njeri-tjetrin, ndërsa një qeveri e krijuar nën ndikimin e ushtrisë gjermane pranoi rekrutimin e vullnetarëve shqiptarë për Divizionin SS "Skanderbeg". ….
POSHTËSHËNIM: Georg Kastriota, gjeneral Iskender-bej (Skanderbeg) ishte një fisnik shqiptar (1405-1468), mbrojtës i krishterimit dhe lirisë së shqiptarëve ndaj turqve.