Plakja e popullsisë, alarm për ndryshim

Nga Gëzim Hoxha -Para një jave në twitter lexova një shkrim të portalit të CNN-it i cili raportoi për një plan të ri sipas të cilit synohet t’i bëjë pelenat më të përballueshme për familjet me të ardhura të ulëta. Edhe pse mund të jetë një lajm i vjetër dhe bajat, unë nuk rri dot pa shkruajtur për të. Më bëri shumë përshtypje: njeriut më të rëndësishëm në botë hë për hë, Barak Obamës, t’i vejë mendja të kujdeset edhe për pelenat?, – “kjo duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë”, – si thonë amerikanët. Por qenka e vërtetë. Nisma do të japë familjeve me të ardhura një qasje tjetër për pelenat që janë deri në 25% më lirë se ato që aktualisht blihen tani, – shkruan CNN. Presidenti Obama tha se programi u bë i mundur nëpërmjet një bashkëpunimi me  krijuesit e pelenave dhe disa organizatave jo-fitim prurëse.

Dhe gjuha të shkon vetë aty ku të dhemb dhëmbi. Qeveria amerikane kujdeset edhe për pelenat e fëmijëve të familjeve me të ardhura të pakta ose atyre të varfëra. Kjo vetëm e vetëm se të  dhënat e një studimi treguan se afërsisht 1 në 3 familje e kanë të vështirë të përballojë çmimin e blerjes së pelenave për foshnjat e tyre. Programet e ndihmës federale, nuk ofrojnë asnjë ndihmë pë blerjen e tyre. Mund të thoni se 25% e vlerës së tyre nuk është ndonjë gjë e madhe dhe kjo është e vërtetë, por kur kjo ndihmë vjen nga një program qeveritar, ajo bëhet edhe më e çmuar. Kjo sepse tregon, se njerëzit që populli amerikan ka zgjedhur janë ata të duhurit, që atyre u shkon mendja deri edhe tek pelenat.

Për realitetin tonë nuk kam ç’të them se ju e njihni fare mirë. Po sidoqoftë, një llogari të thjeshtë po e bëj, se nuk më rrihet pa e bërë. Një pako me pelena e markës PAMPERS kushton në varësi të sasisë së tyre nga 1200 – 2000 lekë. Edhe po të blejë ndonjë markë më të lirë ka shumë mundësi që fëmija të sëmuret nga lëkura dhe të marrë ndonjë infeksion të mundshëm urinar, saqë ky kursim të dalë nga hundët. Një foshnjeje mund t’i duhen 2 – 3  pako me pelena në varësi të gjendjes shëndetsore të tij, ndoshta edhe më shumë. A ka mundësi të shpenzojë një familje me ndihmë ekonomike deri në 6000 lekë në muaj vetëm për pelena, kur të ardhurat e saj mujore dihen sa janë? A i ka shkuar ndonjëherë në mendje qeverisë sonë për këtë problem kaq të “parëndësishëm”? Pa dyshim jo, se ka gjëra shumë më të  rëndësishme se kjo për tu marrë.

Çdo vit familjet amerikane me të ardhura të ulëta duhet të shpenzojnë rreth $ 936 në pelena për çdo fëmijë, tha Shtëpia e Bardhë. familjet me të ardhura më të larta nuk shpenzojnë as gjysmën e kësaj shume.
“Kur familjet nuk mund të përballojnë blerjen e një numri të shëndetshëm pelenash ato përballen me një zgjedhje të vështirë midis blerjes të ushqimit pagimit të qerqasë dhe detyrimeve të tjera gjë që nuk duhet ta bëjë kurrë asnjëra prej tyre. Po te ne, a është bërë ndonjëherë ndonjë studim në lidhje me koston e blerjes së pelnave?

Si kudo edhe tek ne lindja e një fëmije është një bekim për prindërt e tij, por ardhja e një foshnje mund të kthehet edhe në një mallkim për ta, për shkak të skamjes dhe të varfërisë. Kemi parë e kemi dëgjuar shumë për braktisjen e tyre nga nëna të reja dhe në nevojë. Familje që hiqen zvarrë për të mbijetuar, lajmin  për ardhjen në jetë të një bebeje e presin me trishtim të madh, ndërkohë që duhej të ishte krejt e kundërta.

Mos dëshirimi i një fëmije tjetër e kam fjalën për familje dhe jo çifte të lidhur, ka shumë arsye por them se kryesorja është ajo ekonomike. Frika për mos plotësim të kushteve të nevojshme të kufizon shumë për të pasur një familje të madhe në të ardhmen. Natyrisht që ka dhe arsye të tjera si psh ngushtica e strehës së tyre, karriera, frika e grave për humbjen e vendit të punës etj, por që nuk dua ti prekë pasi do të përqendrohem tek arsyeja ekonomike. Më duhet gjithashtu të them, se familja e vogël është kthyer në tendencë për vendet e zhvilluara, pasi pasja e shumë fëmijëve e privon çiftin nga një jetë e shkujdesur dhe vëmendja që duhet t’i kushtohet atyre duhet të rritet dhe koha që mund t’i kushtosh vetes bëhet gjithmonë edhe më e vogël.

Ritmi i rritjes së popullsisë ka rënë në 1,7 fëmijë për nënë në zëvendësim. Ky tregues nuk të thotë shumë pasi është i shoqëruar me terma teknikë, por unë po marr një tregues nga të dhënat e INSTAT –it. Në vitin 2001 fëmijë popullsia e grup – moshës 0 – 4 vjeç ishte 270,513 fëmijë ndër të cilët 140,266 meshkuj dhe 130,247 femra, që do të thotë se nga viti 1997 e deri në 2001 –in kanë lindur plot 270,513 fëmijë ose mesatarisht 67628 fëmijë për një vit. Kjo shifër arriti vlerrën më të vogël në 14 vjet dhe ishte 169488. Për të pasur një panorama më të qartë të kësaj ndoshta do të vinin në ndihmë termat mesatare. Konkretisht deri në vitin 2007 rënia ishte pothuajse lineare me 11903 fëmijë të lindur më pak çdo vit, por edhe këtu lineariteti tenton të kthehet në hyperbole në vitin 2006 me shifrën më të madhe të regjistruar në këta 6 vjet me 15796 lindje më pak.

Vitet që vijojnë kjo rënie bie pak dhe kurba e kësaj rënieje kthehet sërisht pothuaj në lineare me një rënie mesatare prej 8945 lindjesh më pak nga viti 2008 deri në 2009. Më 2010, kjo rënie zvoglohet dhe kap gati gjysmës e saj me 4785 lindje më pak, në dy vitet që do vinin më pas rënia e lindjeve do të zvoglohet me rreth 3 fish duke arritur pikën e saj më të vogël në vitin 2012 me 559 foshnje të ardhura në jetë më pak. Më 2013 kjo shifër rritet sërish me gati 3 herë dhe deri në fund të vitit 2015 kemi një rënie mesatare prej  1844 të numrit të lindjeve.

U mundova të jap gjithë këto të dhëna sepse dua të them se demografia luan një rol shumë rëndësishëm në planifikimin strategjik dhe në hartimin e politikave qeveritare afatgjata. A mund të ndryshojë shteti një tendencë globale? , siç është ajo e familjes së vogël. Unë mendoj se jo, pasi njerëzit janë gjithmonë e më egoist, në kuptimin që ata mendojnë vetëm për veten. Por jo të gjithë janë të prekur nga egoja dhe uni i tyre. Për këta të fundit, shteti mund të bëjë dhe duhet të bëjë shumëçka.

Këtë vit të ri kryetari i bashkisë së Tiranës me shpërblimin e një nëne me 5000 lekë për ardhjen e foshnjes së vet në jetë, njoftoi kthimin e kësaj praktike të harruar prej disa vjetësh. Por çfarë mund të bënte atë kohë ajo nënë me 5000 lekë për beben e saj. As krevatin e bebit nuk e blen dot, se më i liri kushton nga 8000 – 10000 lekë. Kjo histori e pasuroj bilancin e punës së kryetarit, por a mjafton?… Të isha unë do ta rrisja këtë shpërblim të paktën me 20 herë. Me 1 miljon lekë të vjetra po që mund të bësh diçka për bebin tënd. Ose tjetër alternativë, edhe më sociale ofron Suedia, e cila jep për çdo fëmijë deri në moshën 18 vjeç 180 € çdo muaj. Natyrisht që pushtetarët mund të justifikohen se Shqipëria nuk është Suedi, dhe këtë gjë të gjithë e dimë, por të paktën ajo që bëri Shtëpia e Bardhë mund të bëhet edhe këtu tek ne.

Fatura e 20 fishimit të shpërblimit qesharak prej 5000 lekësh bazuar në të dhënat e marra nga INSTAT – i  është rreth 4.24 miliard lekë mesatarisht në vit, një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit edhe pse 20% e kësaj shume rimerret pas një farë kohe me anë të TVSH-së. Kjo do ishte një shenjë që taksat i kthehen atij që i paguan në formë mbështeteje dhe do t’i bënte njerëzit t’i paguanin ato më me dëshirë, por edhe do të ishte një mbëhtetje për anën e kërkesës agregate dhe të gjithë ekonominë në përgjithësi. Po nëse nuk mund të bëhet kjo gjë për arsye që thamë më lartë, atherë le të fillohet duke ofruar një mbështetje të menjëhershme për çiftet e reja që i përkasin shtresave në nevojë që fati i mirë i bën prindër. Ka një bazë të dhënash nga ndihma ekonomike dhe kjo faturë mbase zvogëlohet deri në 10 herë, dhe 424 milion lekë për një gjë kaq të mirë mund dhe duhet të gjenden

SHKARKO APP