Plani i Kosovës për vaksinimin kundër COVID-19

Në Kosovë, të dielën më 28 mars, do të arrijë kontingjenti i parë me 24.000 doza të vaksinave kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca, thonë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kontingjenti i parë i vaksinave, sipas një njoftimi të kryeministrisë së Kosovës, do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” në ora 20:15.

Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kush do vaksinohet në fillim?

Institucionet kompetente shëndetësore në Kosovë në muajin shkurt kanë hartuar Planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID -19. Në bazë të këtij plani, Komiteti për Vaksinim ka paraparë që pas futjes në përdorim të vaksinës, procesi të realizohet në tri faza.

Faza e parë: Vaksinimi i grupeve më rrezik të lartë që përbëhet nga punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtoret shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).

Numri i përgjithshëm i këtij grupi llogaritet të jetë 54.000 persona apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Sipas këtij plani, kohëzgjatja e fazës se parë do të jetë 20 ditë dhe gjatë të gjitha seancave të vaksinimit do të sigurohet zbatimi i të gjitha masave për parandalimin dhe kontrollin e infektimit.

Vëmendje e veçantë, thuhet në Planin e imunizimit, do t’i kushtohet barazisë në shpërndarjen e vaksinave. Rreth 11.000 doza vaksinash do t’i dedikohen vaksinimit të 5.400 punonjëseve shëndetësorë dhe të moshuarve (10 për qind e popullsisë që vaksinohen në fazën e parë) në dhjetë komuna të banuara me shumicë serbe. Strategjia e shpërndarjes së vaksinave për këto komuna është e njëjtë me komunat tjera.

Faza e dytë do të përfshijë grupmoshat mes 65-79 vjeç, popullsinë e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19, që përbëjnë 306.000 ose 17 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Gjatë fazës se parë dhe të dytë të futjes në përdorim të vaksinës, Kosova do t’i përdorë vaksinat nga programi COVAX, vaksina të cilat Kosova i merr falas.

Ndërsa në fazën e fundit, në plan parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

Ndërkaq, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti më 23 mars, ka deklaruar se sfida e qeverisë së tij është vaksina kundër koronavirusit dhe se ai synon të sigurojë vaksina të mjaftueshme për 60 për qind të popullatës.

Më herët, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro në buxhetin e vitit 2021 për prokurimin e vaksinave kundër COVID-19. Ky vendim i ekzekutivit ka marr edhe miratimin e Kuvendit të Kosovës.

Salla “1 Tetori”, qendër për vaksinim

Autoritet kompetente kanë përgatitur sallën “1 Tetori” në Prishtinë, që të shfrytëzohet si qendër e vaksinimit. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, më 22 mars kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se “me drejtuesit e Qendrës së Studentëve, Ministria e Shëndetësisë është marrë vesh për detajet dhe mjafton 24 orë më herët të dihet kur arrijnë vaksinat dhe salla për disa orë mund të jetë gati sepse janë ndarë detyrat kush çka bënë”, thuhet në përgjigje.

Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër koronavirusit.

Në mungesë të vaksinës, Shqipëria deri më tani ka vaksinuar rreth 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës me vaksinën e AstraZenecas.

Monitorimi i imunizimit

Për monitorimin e imunizimit, sipas Planit shtetëror për vaksinim, do të krijohet një modul i veçantë për vaksinimin kundër COVID-19 që do të integrohet në ueb-aplikacionin e Sistemit të informimit Shëndetësor (SISH). Në këtë modul, do të futen të dhënat personale të personave që marrin vaksinën. Ueb-aplikacioni është i lidhur me regjistrin civil, i cili lejon nxjerrjen e të dhënave të sakta personale të secilit person (emri, mbiemri, data e lindjes, adresa, etj.) duke e shkruar vetëm numrin personal.

Futja e të dhënave për vaksinimin kundër COVID-19 do të kryhet në kohë reale nga profesionistë shëndetësorë në kohën e marrjes së vaksinës, thuhet në Planin e vaksinimit. Kjo, sipas autoriteteve, do të bëjë të mundur raportimin mbi statusin e procesit të vaksinimit, bazuar në tregues të ndryshëm, të tillë si popullsia totale e vaksinuar, numri i njerëzve të vaksinuar të ndarë sipas moshës, gjinisë, komunës, etj.

SHKARKO APP