“Plumba gome dhe mjete kinetike”, Këlliçi: Europianët i kanë ndaluar pasi u gjymtua një fëmijë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar përdorimin e plumbave të gomës dhe municionit kinetik ndaj protestuesve, duke pretenduar se mbi 10 të rinj kanë mbetur të plagosur brenda pak orësh protestë. Përmes një deklarate, Këlliçi i cilësoi këto mjete si një “mjet të ri terrori kundër rinisë dhe diasporës”, ndërsa kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të tyre dhe tërheqjen e policisë nga përplasjet me protestuesit.

“Deri më tani, në pak orë protestë, raportohen mbi 10 të rinj të plagosur me plumba gome dhe mjete kinetike”, deklaroi Këlliçi, duke shtuar se këto mjete mund të shkaktojnë dëmtime të rënda dhe të pariparueshme. Ai iu referua gjithashtu standardeve ndërkombëtare për përdorimin e forcës nga policia, duke theksuar se plumbat e gomës nuk duhet të përdoren në mënyrë të pakontrolluar ndaj turmave.

“Sipas Direktivave të OKB-së, është rreptësisht e ndaluar gjuajtja e plumbave të gomës në mënyrë të verbër apo të përgjithësuar ndaj një turme”, u shpreh nënkryetari i PD-së. Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po synon të shtypë protestën studentore dhe kërkoi përgjegjësi për mënyrën se si po menaxhohen përplasjet.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ai kërkon një kurban, nuk ka rëndësi mes policëve apo protestuesve, me të vetmin qëllim, shtypjen përfundimtare të protestës studentore”, deklaroi ai. Në vijim, përfaqësuesi i opozitës i bëri thirrje kryeministrit të ndalë atë që e cilësoi si dhunë ndaj të rinjve dhe diasporës, duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

“I bëjmë thirrje Edi Ramës të ndalë menjëherë dhunën kundër rinisë dhe diasporës, të tërheqë narkopolicinë dhe të japë menjëherë sot dorëheqjen”, tha Këlliçi. Ai kërkoi gjithashtu reagimin e përfaqësive diplomatike dhe të ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, duke i ftuar të angazhohen për parandalimin e përshkallëzimit të situatës. “Përfaqësitë diplomatike, ambasadorët e akredituar të prononcohen dhe aktivizohen në parandalimin e skenarit të zi”, përfundoi Këlliçi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A jeni dakort me djegiet e bizneseve që po bëjnë protestuesit?