Po na i marrin rininë

Nga Kim Mehmeti

Edhe sot, si edhe gjatë shekujve, shqiptaria lindë e rritë fëmijë, por duke dështuar në luftën që atyre t’u sigurojë të ardhme! Dhe andaj, një pjesë të asaj rinie, ia dhuron botës, e ku ajo rini do asimilohet edhe shkaku se do dojë që sa më shpejtë të harrojë nga dhe si ka ardhur aty ku ndodhet. Pra edhe sot, kur politikanët tanë merren me probleme globale, vazhdon ‘eksporti’ i të ardhmes së shqiptarisë dhe i më të vlefshmes që kemi-rinisë sonë.

Sikur ‘Shqipëritë’ tona të drejtoheshin nga burrështetas të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, ata me ngut do i braktisnin kabinetet dhe do shpërndaheshin nëpër stacionet e autobusëve të vendbanimeve të Kosovës e Maqedonisë, ku do përballeshin me mjerimin që ia dhuruan këtij populli! Dhe si mund të themi se kemi politikanë, se i kemi elitat e duhura që e legjitimojnë një popull, kur thuajse të gjithë jemi mbyllur nëpër kabinete dhe nga atje përcjellim eksodin e radhës të popullit tonë, kur thuajse të gjithëve na ka kapluar heshtja, e aq më shumë, edhe na pengon kur ndonjëri – i kredhur në dhembjen shkaku i pamundësisë të bëjë çka do qoftë për ta penguar këtë eksod – publikisht e shprehë dhembjen e vet!

E shihni, kemi ardhur deri aty sa duan të na e marrin edhe ndjenjën e dhembshurisë ndaj lotëve të fëmijëve, që i lindëm si shqiptarë, por të cilëve nuk u ndërtuam shtete ku do mund të ‘shqiptarojnë’. Dhe duke qenë të tillë, ne debatojmë për demokraci e shtet, për shqiptari ‘orientale e aksidentale’, madje edhe për atë se si ‘bëjnë seks insektet’, por jo edhe për ‘Shqipëritë’ tona, të cilave u kanoset rreziku të mbeten me aq banorë sa është numri i votuesve të partive në pushtet dhe ai i familjarëve të drejtuese partiak.

Po, këtij numri duhet shtuar edhe atë të disa ‘debatuesve’ të devotshëm, të cilët bënë të pamundurën që me zhurmën për temat anësore, t’i mbulonin plaçkitësit e popullit, duke mbuluar ashtu edhe vetveten!”

 

SHKARKO APP