Po rritet besimi te ekonomia
Po rritet gjithmonë e më shumë besimi tek ekonomia shqiptare. Këtë e ka faktuar së fundmi një studim i kryer nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilit, kryesisht biznesi po referon një shtim të optimizmit të tij për pritshmëritë e ardhshme në lidhje me zhvillimet ekonomike në vend. Konkretisht, Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, realizuar nga ky institucion ka pohuar në tërësinë e tij një rritje të besimit tek ekonomia për tremujorin e katërt të vitit të kaluar, 2014. “Treguesi i ndjesisë ekonomike vijoi të përmirësohet për të pestin tremujor rresht, duke u rritur me1.6 pikë në tremujorin e katërt të vitit 2014”, citojnë lidhur me një fakt të tillë ekspertët e BSH-së. Duke saktësuar më tej se rritja e këtij treguesi në këtë tremujor u përcaktua pikërisht nga rritja e besimit në sektorët e ndërtimit, të shërbimeve dhe të tregtisë. Në të kundërt, gjithmonë sipas tyre, rënia e besimit në sektorin e industrisë dhe rënia e besimit të konsumatorëve dhanë kontribut negativ në treguesin e lartpërmendur. “Niveli aktual i ndjesisë ekonomike qëndron 1.5 pikë mbi mesataren historike, për herë të parë që prej katër vitesh (që nga tremujori i katërt i vitit 2010)”, sqarojnë mes të tjerash ekspertët e BSH-së. Për të kaluar më tej në detaje sipas sektorëve respektivë. Kështu, sa i përket sektorit të industrisë, raportohet se treguesi i besimit në tij ra me 1.8 pikë përqindje, në tremujorin e katërt të vitit 2014. Në të njëjtin drejtim ndikoi edhe përkeqësimi i lehtë i gjendjes financiare të bizneseve në këtë sektor (-1.8 pikë përqindje). Nga ana tjetër, ulja e gjendjes së inventarëve dha një kontribut të lehtë pozitiv në nivelin e përgjithshëm të ndjesisë ekonomike. “Gjithashtu, bizneset që operojnë në sektorin e industrisë kanë vlerësuar në përkeqësim aktivitetin ekonomik të firmës së tyre, gjatë periudhës në analizë. Pritjet e sektorit të industrisë për tremujorin e parë të vitit 2015 janë më pak optimiste krahasuar me tremujorin e kaluar”, sqaron studimi në fjalë. Nga ana tjetër, sa i përket besimit të konsumatorëve, raportohet se treguesi i besimit të tyre u ul me 3.9 pikë përqindje në tremujorin e katërt, pas dy tremujorësh rritjeje. “Kjo rënie reflektoi keqësimin e të katër komponentëve përbërëse të treguesit të agreguar, kryesisht rënien e balancës së situatës së shpenzimeve/të ardhurave, si dhe të blerjeve të mëdha. Në masë më të vogël, por negativisht, kontribuan edhe pritjet për situatën financiare dhe ekonomike në vend”, sqarojnë ekspertët e BSH-së lidhur me një fakt të tillë. Teksa shtojnë mes të tjerash në vijueshmëri se rritjet e konsumatorëve për nivelin e papunësisë në gjashtë muajt e ardhshëm janë pesimiste. “Gjithashtu, konsumatorët perceptojnë kosto të rritur jetese dhe keqësim të gjendjes së tyre financiare në tremujorin e katërt, ndërkohë që balanca e kursimeve shënoi rënien më të theksuar me 10 pikë përqindjeje. Pritjet për inflacionin, pas një viti, u rritën në tremujorin e katërt, përkatësisht në 1.8% nga 1.6% që rezultonin në tremujorin e mëparshëm, por mbeten gjithsesi nën mesataren e vet afatgjatë”, përfundonVrojtimi i besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, i realizuar nga Banka e Shqipërisë pr fundvitin e kaluar 2014.
DUKURIA
Përmirësohet me nivelin 10%
besimi tek sektori i ndërtimit
“Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit u përmirësua me rreth 10 pikë përqindje, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014. Ai ka shfaqur shenja përmirësimi që prej tremujorit të katërt të vitit 2013, si rrjedhojë, niveli aktual i tij qëndron rreth 5.7 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë dhe rreth 17.7 pikë përqindje mbi mesataren e pesë viteve të fundit”, raporton Banka e Shqipërisë. Duke shtuar se bizneset në sektorin e ndërtimit vlerësuan në përmirësim të tre balancat përbërëse të treguesit të besimit si të tillë. Kështu, sipas tyre, balancat e kërkesës, prodhimit, si dhe situatës aktuale të punësimit, u rritën përkatësisht me 13.5, 12 dhe 5 pikë përqindje në tremujorin e katërt të vitit. “Situata e përgjithshme ekonomike në vend dhe gjendja e përgjithshme e biznesit u vlerësuan në përmirësim gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014. Stoku i banesave vlerësohet të ketë rënë gjatë kësaj periudhe, duke ndikuar në përmirësimin e ndjeshëm të gjendjes financiare të bizneseve në këtë sektor”, citojnë gjithashtu ekspertët. Për të vijuar se mimet e prodhimit në ndërtim janë vlerësuar pothuajse në të njëjtin nivel me një tremujor më parë. Dhe se norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në sektorin e ndërtimit rezultoi rreth 60.72%. Kjo normë sipas tyre rezulton në rritje me rreth 2.9 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por rreth 4.75 pikë përqindje nën mesataren historike. “Për tremujorin e parë të vitit 2015, bizneset e sektorit të ndërtimit shprehen optimiste. Ato presin zhvillime veçanërisht pozitive të prodhimit dhe të kërkesës në sektorin e tyre”, shton BSH-ja.
ECURIA
Shërbimet, sektori që po
e mban gjallë ekonominë
Sektori i shërbimevemund të vlerësohet se po e mban gjallë ekonominë shqiptare. Sipas BSH-së, “treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve vijoi përmirësimin e regjistruar gjatë vitit të kaluar, duke u rritur me 2.3 pikë përqindje në tremujorin e katërt”. Dhe se bizneset e sektorit të shërbimeve shprehen
optimiste për kërkesën dhe gjendjen financiare. Treguesit e balancave të tyre u rritën përkatësisht me 2.3 dhe 5.7 pikë përqindje. “Nga ana tjetër, bizneset janë shprehur më pak optimiste për gjendjen në përgjithësi të biznesit – balanca përkatëse ra me 1.1 pikë përqindje. Faktorët kryesorë për të cilët bizneset shprehen se kanë vështirësuar ecurinë normale të aktivitetit të tyre janë ekonomia informale dhe kuadri ligjor dhe zbatueshmëria e tij. Bizneset e shërbimeve janë më pak
optimiste për gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend. Treguesi i balancës ra me 6.7 pikë përqindje në tremujorin e katërt, ndërkohë që balanca e pritjeve për tremujorin e parë të vitit 2015 shënoi një rritje të lehtë me 1 pikë përqindjeje. Bizneset vlerësojnë në rritje çmimet e shërbimeve të tyre gjatë tremujorit të katërt, për të dytin tremujor rresht, pas prirjes rënëse të vënë re gjatë dy viteve të fundit. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi 79.1%, në rritje me 1.3 pikë nga tremujori i kaluar dhe 0.3 pikë nga tremujori i katërt i vitit 2013. Niveli i saj qëndron mbi mesataren historike të serisë”, pohonm BSH.