“Po silleni si pushtues”, Gjekmarkaj për Reformën Territoriale: Deputetët e PS nuk kanë qenë kurrë kaq ngushtë sesa sot
Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka kundërshtuar Reformën Territoriale, duke e akuzuar mazhorancën se nisma nuk synon përmirësimin e administrimit të vendit, por konsolidimin e pushtetit. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gjekmarkaj tha se pas çdo nisme të mazhorancës për reforma apo ndryshime ligjore fshihet një qëllim politik. “Kam një bindje personale, që sa herë që vijnë propozime për reforma apo ligje, gjithmonë ka një hile”, u shpreh ai.
Duke iu referuar Reformës Territoriale, deputeti deklaroi se objektivi nuk është përmirësimi i qeverisjes vendore, por krijimi i një situate që i mundëson mazhorancës të ruajë pushtetin. “Nëse flitet për Reformën Territoriale, qëllimi nuk është për të administruar Shqipërinë apo për të përmirësuar qeverisjen. Por për të krijuar një anarki administrative me qëllim mbajtjen e pushtetit me çdo kusht”, tha Gjekmarkaj.
Ai kritikoi gjithashtu retorikën e përfaqësuesve të mazhorancës gjatë diskutimit të reformës, duke vënë në pikëpyetje argumentet e tyre për interesin e qytetarëve. Gjekmarkaj e cilësoi procesin si një reformë që po ndryshon vazhdimisht konfigurimin territorial, ndërsa akuzoi deputetët socialistë se po përballen me presion politik.
“Territori copëtohet, bashkohet, shqyhet, ngjitet, ndërsa deputetët socialistë përpëliten. Asnjëherë nuk mendoj se kanë qenë më ngushtë sesa sot”, u shpreh deputeti i PD-së. Në përfundim, Gjekmarkaj e krahasoi Reformën Territoriale me ndryshimet kushtetuese të periudhës së komunizmit, duke e cilësuar atë si një nismë në kundërshtim me standardet demokratike dhe europiane. “Kjo reformë është si Kushtetuta e vitit 1975. Është jo logjike, jo demokratike dhe jo europiane. Ju po silleni si pushtues, kjo reformë është incest moral, politik e juridik. Një atentat i kryer nga frika”.

