“Po, udhëtoj vetëm, paguaj për veten dhe nuk jam prostitutë!”

Personazhi i shkrimit mund të mos jetë i njohur, por është përfaqësuese e një kategorie të kudogjendur e të kudoparagjykuar. Femrat që udhëtojnë vetëm! Jeni bërë edhe ju, të paktën një herë të vetme, kuriozë o xhelozë për atë shoqen që vazhdimisht hedh fotografi në Facebook nga vende të ndryshme të botës. Pyetja e parë, së paku për vendin tonë, lidhjet gjithnjë me financat: ku i gjen paratë?! Në fakt, përgjigjja jepet ende pa u bërë pyetja: Kush e di se me kë del këto kohë? Kë do ketë financues?! Pastaj, kush ia bën fotografitë?! E pra, dikush e shoqëron, paçka se ajo nuk do ta bëjë publik. Mirëpo, ka edhe raste të revoltuara që nuk pranojnë asnjë nga hamendësimet tuaja (lirinë për të qenë mosbesues e keni në çdo rast!) Alyssa Ramos i merr pikat një më një për t’ju mbushur mendjen se edhe një vajzë e bukur mund të udhëtojë e vetme dhe me paratë e saj.

JO, NUK JAM PROSTITUTË

Vajzat e bukura që nisin një udhëtim, të vetmuara, në një shtet tjetër, interpretohen automatikisht si prostituta. Nuk bëj shaka. Nëse kujdesem të bëj tualet, nëse vesh diçka që më tregon format e trupit, nëse vesh streçe apo bikini, gjithnjë, njerëzit hamendësojnë se kam dalë në kërkim të klientit të radhës. Jo vetëm që e gjithë kjo është irrituese dhe e sikletshme, sidomos kur shoqërohet me pëshpërima të cilat unë mund t’i dëgjoj, por është edhe shumë zhgënjyese se si njerëzit nuk janë në gjendje të mendojnë se një vajzë e re mund të udhëtojë vetëm për kënaqësi të udhëtimit. U njoha me një djalë gjerman në plazhet e Kubës disa muaj më parë, i cili më konfirmoi se një vajzë e bukur që udhëton vetëm është prostitutë. Madje, ai shtoi se vendalinjtë e kishin paralajmëruar rreth vajzave “të bukura” kubane që bëjnë shëtitje lart e poshtë nëpër plazh, duke kërkuar turistë. E njëjta gjë, vijoi, ndodh në çdo vend kështu që nuk habitem pse njerëzit më shohin si rrezik; sikur do shkoj t’u vjedh burrat.

NUK PO UDHËTOJ PËR TË MARRË VETEN NGA NDONJË NDARJE

Ndërsa të udhëtosh vetëm për t’u “rehabilituar” nga një ndarje më duket ide gjeniale, nuk është ky rasti im. Nuk pretendoj që çdo qenie njerë¬zore me të cilën vihem në kontakt, të mësojë për statusin tim dhe automatikisht, ta lidh këtë gjë me të udhëtuarit. Nuk dua që duke më parë të vetmuar, të hamendësojë menjëherë arsyen që sipas tij, me siguri kam dështuar në ndonjë lidhje. “E shkreta unë e pashpresa!” Edhe në rast se do të ishte kështu, a nuk duhet që të veproni ndryshe; t’i shpërqendroni njerëzit nga problemet e tyre e jo t’ua kujtoni në çdo çast?! E kuptoj që një vajzë 27-vjeçare duhet të jetë patjetër në një lidhje, por dreqi e mori, është viti 2015 dhe i vetmi angazhim që dua të kem, është të vizitoj botën dhe të mendoj se po bëj një gjë shumë të mirë, me forcat e mia.

PO, E PAGUAJ VETË UDHËTIMIN TIM

Pas pyetjes se kush e ka shkrepur fotografinë që lind rëndom nëpër rrjetet sociale, qëndron në fakt, përgjigja se kush ka paguar për udhëtimin. Epo, e kam një përgjigje për ju. “Përshëndetje! Emri im është Alyssa, jam e punësuar njësoj si ju dhe kam vendosur t’i shpenzoj të gjitha paratë e mija duke udhëtuar”. Pra, nuk ka asnjë sekret, madje nuk u kam kërkuar asnjëherë para as prindërve të mi dhe mos i lodhni mendimet me nëntekste. Paguaj vetë për gjithçka. Fakti që jam e bukur, nuk do të thotë që nuk jam e zonja për të fituar para por, në vend që t’i shpenzoj të gjitha për pazare, i kursej për të udhëtuar. Më mirë blej një biletë avioni se një çantë. Në fakt, këtë të bëj gjithnjë.

PO, EDHE UNË JU GJYKOJ

Në sytë e mi, të gjithë janë njësoj deri në momentin që fyerjet tuaja nuk kursehen në drejtim të postimeve të mija. Sidoqoftë, unë nuk ju gjykoj menjëherë, por në momentin që e bëj, nuk të gjykoj njësoj siç ti bën me mua, pra nuk të gjykoj si turist por si injorant.

OK, EDHE JU E SHIHNI QË JAM E BUKUR!

E di, e di që rrezikoj të përmbush paragjykimet tuaja duke u ankuar gjithnjë se njerëzit nuk më heqin sytë kur udhëtoj vetëm. Në fakt, duhet të ndihem fatlume që u tërheq vëmendjen. Por, kjo ndodh vetëm sepse unë punoj fort pa e përdorur pamjen time pra, ndihem e fyer kur njerëzit më gjykojnë vetëm për shkak të paraqitjes apo udhëtimeve. Nga ana tjetër, duhet të them që jo të gjithë janë kaq toksikë… disa njerëz mendojnë vetëm që janë me bukur dhe kjo është shumë e këndshme. Ndoshta, ata nuk mendojnë që jam gjithashtu inteligjente ose që kam humor apo që bëj shpesh bamirësi por, kështu është më mirë se të mendosh që jam prostitutë.

SHKARKO APP