Policia e Shtetit dhe Shoqata e Bankave nënshkruajnë memorandum për sigurinë kibernetike
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) nënshkruan sot një Memorandum Mirëkuptimi me fokus parandalimin e krimeve kibernetike dhe forcimin e sigurisë digjitale në Shqipëri.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku marrëveshja u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda dhe Presidenti i AAB-së, Bledar Shella. Ky akt shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një partneriteti institucional afatgjatë, të bazuar në reciprocitet, konfidencialitet dhe respektim të legjislacionit në fuqi.
Gjatë fjalës së tij, Proda theksoi se bashkëpunime të tilla janë thelbësore për parandalimin e krimeve kibernetike, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe ndërtimin e një mjedisi të besueshëm digjital.
Nga ana tjetër, Shella e cilësoi sigurinë kibernetike si një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, duke nënvizuar nevojën për bashkërendim institucional. Ai shtoi se kjo marrëveshje forcon partneritetin ndërmjet sistemit bankar dhe institucioneve ligjzbatuese, duke krijuar një bazë solide për mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve nga krimet digjitale.
Memorandumi synon të krijojë një mjedis bashkëpunues për t’u përballur më efektivisht me sfidat e epokës digjitale dhe për të ndërtuar një ekosistem financiar më të sigurt në vend.
KOHA JONË SONDAZH

