Politika si fe dhe feja si politikë!
Nga George Packer
Vrasjet e djeshme në Paris nuk janë rezultat i dështimit të Francës për të asimiluar dy breza imigrantësh myslimanë nga ish kolonitë e saj. Ato nuk janë bërë si reagim i veprimeve ushtarakë të Francës kundër Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme, apo pushtimit amerikan të Irakut më parë. Ato nuk janë pjesë e ndonjë vale dhune nihiliste kundër një Perëndimi në depresion ekonomik, shoqërisht të atomizuarmoralisht të cekët – pra një version i Njutonit apo Oslos në Paris. Më e pakta nga të gjitha, ato duhen “kuptuar” si reagime ndaj mungesës së respektit për fenë, nga ana e karikaturistëve të papërgjegjshëm.
Ato janë vetëm goditjet më të fundit të bëra nga një ideologji e cila prej dekadash është përpjekur të arrijë pushtetin përmes terrorit. Eshtë e njëjta ideologji që e detyroi Salman Rushdien të fshihet për më shumë se një dekadë, pas një dënimi me vdekje se kishte shkruar një roman, që kish vrarë më pas përkthyesin e tij japonez si dhe ish përpjekur të vriste përkthyesin italian dhe botuesin norvegjez. Ideologjia që vrau tre mijë vetë në SHBA, në 11 shtator 2011. Ideologjia që theri Theo van Goghun në rrugët e Amsterdamit, në 2004-ën, vetëm se kish bërë një film. Eshtë ajo që ka sjellë përdhunime dhe vrasje në masë në qytetet dhe shkretëtirat e Sirisë dhe Irakut. Që masakroi 132 fëmijë dhe 13 të rritur në një shkollë në Peshavar muajin që kaloi. Ajo që vret rregullisht kaq shumë nigerianë, sidomos të rinj, dhe që rrallëkush i kushton vëmendje.
Për arsye se kjo ideologji është produkt i një feje të madhe botërore, përdoret shumë logjikë në përpjekjen për të shpjeguar se çfarë ka – apo nuk ka – të bëjë dhuna me Islamin. Disa njerëz dashamirës anashkalojnë lidhjen me Islamin, duke thënë se masakrat nuk kanë fare të bëjnë me fenë, apo që Islami është një besim paqeje, apo që në rastin më të mirë, dhuna përfaqëson “shtrembërimin” e një feje të madhe. (Pas bombave të kamikazëve në Bagdad u mësova të dëgjoja irakenët që thoshin se “këtë gjë nuk do e bënte asnjë mysliman”). Të tjerë duan t’ia vënë fajin tërësisht përmbajtjes teologjike të Islamit, sikur besimet e tjerë fetarë të jenë më paqësorë – një ide kjo që e përgënjeshtron historia dhe letërsia.
Feja nuk është vetëm një grup tekstesh, por besimet e gjallë dhe praktikat e besimtarëve. Islami përfshin sot një pakicë jo të vogël besimtarësh që tolerojnë, në mos kryejnë, akte dhune, në zbatim të bindjeve të tyre se aktualisht ai është unik. Charlie Hebdo nuk kish qenë përzgjedhës në satirën e tij, duke e ngulur gishtin në ndjeshmëritë e hebrenjve dhe të krishterëve gjithashtu – por vetëm myslimanët u përgjigjën me kanosje dhe akte terrorizmi. Për disa besimtarë, dhuna i shërben një dëshire për pushtet absolut në emër të Zotit, që është një formë totalitarizmi i quajtur Islamizëm – politika si fe, feja si politikë. “Allahu Akbar!” thërrisnin vrasësit në rrugën jashtë Charlie Hebdos. Në çdo rast, ata e dijnë për çfarë shërbejnë.
Këta mendime nuk ofrojnë një udhëzues për të zbutur rritjen tronditëse të vrasjeve të islamistëve përreth botës. Zemërimi dhe dënimi nuk bëjnë punë, nuk është e dobishme as të armiqësohen miliona myslimanët që ndiejnë neveri për atë që po bëhet në emër të fesë së tyre. Shumë prej tyre e dënuan menjëherë sulmin ndaj Charlie Hebdo, me tonin e njerëzve, besimet më të thellë të të cilëve ishin njollosur. Përgjigja gjithmonë është që të jemi të kujdesshëm, të mendojmë shumë, si dhe të përshtatemi sipas rrethanave të caktuara. Në Francë do të ketë nevojë të përfshijë një ringjallje të debatit se si republika të mundet të parandalojë që gjithnjë e më shumë nga të rinjtë myslimanë t’i jepen një ideologjie vrastare – se si, gjithnjë e më shumë prej tyre, ta konsiderojnë Mustapha Ourradin – një prej redaktorëve të Charlie Hebdo me origjinë algjeriane, i cili u vra dje – një hero të tyrin. Në vende të tjerë, reagimet duhet të jenë të ndryshëm, me nivele më të lartë aksionesh kundër dhunës.
Por vrasjet në Paris ishin kaq specifike, saqë e bëjnë shumë të qartë domethënien e tyre. Karikaturistët vdiqën për një ide. Vrasësit janë ushtarë në një luftë kundër lirisë së mendimit dhe fjalës, kundër tolerancës, pluralizmit dhe të drejtës për të sulmuar – kundër gjithçkaje të mirë në një shoqëri demokratike. Kështu që të gjithë duhet të jemi Charlie, jo vetëm sot, por çdo ditë.
*The New Yorker. Bota.al