Port jahtesh dhe në Durrës, Haxhinasto firmos koncensionin
Industrisë së turizmit në vendin tonë shumë shpejt pritet t'i shtohet edhe një tjetër port jahtesh.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës firmosi sot kontratën koncensionare për realizimin e një porti jahtesh në pjesën veriore të portit të Durrësit me një vlerë investimi prej 1.5 miliardë lekësh të reja.
Ministri Haxhinasto e vlerësoi kontratrën dhe projektin si një sinjal pozitiv në funksion të zhvillimit të turizmit, po ashtu edhe të punësimit të banorëve të kësaj zone.
“Sot realizojmë firmosjen e një kontrate koncensionare, e cila ka si objekt të saj realizimin e një porti jahtesh në pjesën veriore të portit të Durrësit. Projekti është i rëndësishëm sepse përveç investimit që arrin 1.5 miliardë lekë të reja, rreth 15 milionë dollarë, parashikon të ndërtojë gjithashtu mjaft objekte të reja në funksion të kësaj marine që do të investojë në infrastrukturën që do t'i shërbejë këtij porti. Është port i rëndësishëm, i cili së bashku me portet e tjera që po ndërtohen sot në Shqipëri do të ofrojë një sërë shërbimesh të rëndëishme, veçanërisht për marinat, shërbime të cilat në Shqipëri janë akoma në fazën fillestare.
Ky port vjen sëbashku me portin në zonën e Kavajës, një investim edhe ai i rëndësishëm rreth 45 milionë dollarë. Me Portin e Shëngjinit rreth 5 milionë dollarë, me portin e Bunecit në jug të vendit që është duke u trajtuar si kontratë koncensionare, si dhe me portin e ndërtuar tashmë të Orikumit i cili është në fazën e plotësimit të të gjithë kuadrit ligjir për t'u bërë një port i hapur ndërkombëtar dhe për t'u shërbyer jahteve, të cilat operojnë në zonën e detit Adriatik dhe Jon.
Këto janë sinjale shumë pozitive për industrinë tonë turistike, zhvillimin e porteve turistike me qëllim që të plotësojë edhe atë gamë të tjerë shërbimesh që kjo industri e ka të nevojshme. I uroj kompanisë shumë sukses, që ta realizojë sa më shpejt dhe brenda standardeve këtë port, në kohë sisgurisht. Gjë që do të sjellë edhe angazhimin e mjaft punonjësve, duke u bërë edhe një mundësi për punësimin e tyre në qytetin e Durrësit”, tha Haxhinasto.