Porti i Durrësit, Berisha akuza për Ramën: Kërkon që të bëhet multimiliardier me grupet kriminale
Sali Berisha dhe përfaqësues të Partisë Demokratike zhvilluan këtë të premte një vizitë në Durrës, ku ngritën akuza të forta ndaj qeverisë për projektin e ri të portit në Porto Romano. Sipas Berishës, transformimi i Porti i Durrësit si në pjesën turistike ashtu edhe në atë tregtare, përbën një aferë të madhe korruptive. Ai deklaroi se ky aset është ndër pasuritë më të rëndësishme të vendit dhe akuzoi qeverinë e Edi Rama për abuzim dhe bashkëpunim me grupe kriminale.
Berisha paralajmëroi se çështja mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit, ndërsa premtoi se opozita do të ndërmarrë hapa për të mbrojtur këtë pasuri publike në interes të qytetarëve të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.
”Alabari, një person kontroversal, duhet ta pranojmë, por investitor, deklaroi se unë do investoj gjithsej 70 milionë, kaq është kapitali im. Të tjerat del se do i investonte Franc Çopja për Edi Ramën. Kush do investojë paratë për ndërtimin e 12.600 apartamenteve, e pesë-gjashtë hoteleve, për ndërtimin e marinës, për ndërtimin e pishinave? Këto do i investonte Edi Rama me Troplinët, me Çopjat, me Çelët e tij. Ata kanë miliardat, i kanë të groposura në kontejnerë dhe ata i nxjerrin”, shtoi Berisha. Ai paralajmëroi se në arenën ndërkombëtare po qarkullon një raport që sipas tij ka ndryshuar dhe vendos më shumë kushte për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
”Ju e dini që ka mbi një muaj, përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare kanë bërë deri dje pesë takime dhe prapë Shqipëria mbetet në klasë për shkak të vjedhjeve të Edi Ramës me Lubi Ballukun dhe AKSHI-n e Lindave. Dhe çfarë është ai? Ai është një raport i ndërmjetëm, nuk është një raport përfundimtar. Dhe as të ndërmjetëm nuk e kanë pranuar dhe janë bërë një grup i madh vendesh të cilat kanë sjellë dje një breshëri të re kushtesh dhe kërkesash që do i vendosen Shqipërisë në rrugën e integrimit. Të gjitha këto për vjedhjet e Edi Ramës me Lubi Ballukun dhe Lindat e tij”.
KOHA JONË SONDAZH

