Pranverë që bashkoi shqiptarët

 

 Një ditë pranvere me reshje shiu. Banorët e zonës verilindore përgatiteshin prej ditësh për të përballuar një situatë të rënduar. Veçanërisht pas mbrëmjes së24 marsit, kur aeroplanët e NATO-s nisën fushatën e bombardimeve ndaj ish Jugosllavisë. Sinjali i partë u dha mbrëmjen e 25 marsit, kur nga fshati Goden hynë në Has rreth 60 banorë që treguan se në oborrin e shkollës paramilitarët serbë kishin pushkatuar 22 persona, prej të cilëve 4 mësues. Më 27 mars, rreth orës 13 në qytetin e vogël verilindor të Kukësit kosovarët e dëbuar nga vatrat e tyre nisën të hynin në Morin të përlotur dhe me plagë të shumta në zemër. Një ditë me reshje shiu e një të ftohtë sa të dukej se ditët e pranverës ishin larg. Ndërsa së largu në fshatrat kufitare me Kosovën dëgjoheshin edhe batare artilerie. Ndërsa banorët e fshatrave kufitare shikonin se si ushtria serbe po përshpejtonte minimin e gjithë vijës kufitare me Shqipërinë.

 Banorët e zonës verilindore të ndodhur pranë kufirit përjetonin ditë të një praglufte. Aq sa kuksianët pastronin me shpejtësi strehimet e nëntokës që ishin braktisur prej vitesh. Ishin të shpeshta uturimat e avionëve të NATO-s që drejtoheshin për të bombarduar në Serbi. Ishin mësuar me ato uturima që nisën në orën 19,50 të 24 marsit. Ndërsa jo rradhë banorët e fshatrave kufitare të kishin pranë edhe predhat e ushtrisë serbe. Kjo solli që banorët e fshatrave pranë kufirit të largoheshin nga banesat e tyre në drejtim të të afërmve. Kështu nisi shpërngulja e tyre për t’u shpëtuar predhave serbe. Banorët e verilindjes e ndjenin se po vinin ditë të vështira. Në orët e paradites të 27 marsit në qytetin e Kukësit ishin të pranishëm edhe Presidenti i republikës Rexhep Mejdani, Kryeministri Pandali Majko dhe disa ministra që ndoqën stërvitjen e një baterie artilerie. Makineria ushtarake serbe kishte nisur realizimin e operacionit “Patkoi” që synonte me zjarr e hekur largimin nga trojet e veta të një populli të tërë.  Eksodi i madh nisi më 27 mars kur 84 shtetas nga Krusha e madhe e Zymi i Prizrenit kaluan doganën e Morinit. Pas tyre vargu ishte i madh aq sa brenda 10 orëve kufirin e kaluan rreth 10 mijë kosovarë me sy të mbushur me tmerr cfarë kishin parë gjatë rrugës nga Prizreni në Morin e gjatë 18 kilometra, një rrugë që ishte e mbushur me kufoma. Pritja e parë në sallën e madhe të pallatit të kulturës së qytetit të Kukësit që zbrazej e mbushej disa herë brenda ditës. Pas orës 22 bllokohet nga serbët kufiri, ndërsa banorët e fshatrave përgjatë rrugës Morin – Kukës qëndrojnë deri afër mesnatës për të pritur e strehuar kosovarët. Po ashtu banorët e qytetit verilindor largohen nga sheshi I qytetit pasi informohen nga drejtues të prefekturës se nuk ka asnjë kosovar të mbetur jashtë.  Një ditë më pas rinis eksodi. Ndërsa të dëbuarit janë nga zona të ndryshme të Kosovës si Peja, Rahoveci, e zona të tjera. Veçanërisht nga veriu i Kosovës ku edhe luftimet mes UCK-së dhe forcave serbe janë më të ashpra.  Në qytetin e vogël verilindor gjithçka është bërë gati për të pritur një fluks të madh. Shumë prej tyre kërkojnë edhe ndihmën mjekësore. Në spitalin e qytetit mbërrijnë 40 persona të sëmurë e të plagosur nga Krusha e Madhe e Suhareka, të plagosur me armë zjarri e mjete të forta. Për menaxhimin e situatës është ngritur shtabi i emergjencës pranë prefekturës, pranë të cilit është edhe zëvendës kryeministri Ilir Meta. Nuk është shumë për të përkujtuar pranverën e zjarrtë të vitit ’99.  Një festë që përzihet me mjerimin në rritje të shumicës së popullit, ku korrupsioni është në rritje të vazhdueshme, ku tendenca për t’u larguar gjatë muajve të fundit ka një rritje të ndjeshme. Gjithsesi është një festë që u kujton gjithë shqiptarëve një faqe të lavdishme të historisë së tyre.

 Riza Hoxha

SHKARKO APP