Prefekti i Korçës: Ndarja e re territoriale zhvillon Qarkun
Ndarja e re territoriale në qarkun e Korçës pritet të sjellë një ndryshim cilësor të funksionimit të administratës vendore. Prefekti i Qarkut të Korçës Ardit Konomi thotë në një intervistë se modeli i vjetër i ndarjes territoriale kishte të njëjtin funksionim si kooperativat e dikurshme.
Cili është vizioni bashkëkohor dhe ç’përfaqson në substancë reforma administrative-territoriale për Korçën?
Gjatë më tepër se dy dekadave të fundit, territori i Shqipërisë është administruar me një skemë që kopjonte ndarjen në qytete dhe kooperativa bujqësore të para-viteve ’90. Ndarje e cila në substance, nuk i përgjigjet tipareve dhe nevojave të zhvillimit të sotëm. Rrjedhimisht, me kalimin e viteve u ngurtësua profili i qytetit që vlente të asfaltohej, të ndërtohej dhe të investohej në përmirësimin e kushteve të jetesës të banorëve të tij por fatkeqësisht u ngurtësua edhe profili i fshatit ku edhe po të mos bëje gjë prej gjëje përsëri nuk prishte punë se ata njerëz ishin mësuar të jetonin edhe ashtu! Në fakt, u harrua se në fshat banonin afro gjysma e popullsisë së vendit dhe se bujqësia si aktivitet ekonomik që i rehatohet fshatit, përbën një prej burimeve kryesore ekonomike dhe merr pjesën e luanit në prodhimin e brendshëm. Qyteti humbi dinamiken e tij dhe u struk në kafenetë që provuan të ishin suksesi i mbijetesës së tij. Në thelb, të dyja palëve iu imponuan ‘qoshet’ e zhvillimit, humbën ndërveprimin dhe u bënë gjithmonë e më të largëta nga njëra-tjetra. Lëvizja e pakontrolluar demografike krijoi zona me problematike të fortë social-ekonomike, si atje ku u mbipopulluar ashtu dhe atje ku u braktis. Për më tepër, klasifikimi në banore qyteti dhe banore fshati, vetëm dëm i ka sjelle vendit dhe shoqërisë sonë. Shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, kanë të drejtën e barabartë të marrin të njëjtat shërbime, të përdorin të njëjtin standard rrugësh, të shkollohen njësoj dhe të përkujdesen po njësoj, për sa kohë janë pjesë dhe kontribuues të së njëjtës shoqëri. Përtej kësaj, dhe ndoshta edhe më e rëndësishme; ndarja administrative e deridjeshme ka sabotuar krijimin e strategjive, vizioneve dhe planeve të zhvillimit duke copëzuar jo vetëm territorin por edhe përqasjen ndaj administrimit të resurseve dhe optimizmit të tyre.
Cila do të jetë HARTA e njësisë administrative-territoriale e Rajonit të Korçës?
Qarku i Korçës ndahet në gjashtë nejësi administrative të nivelit të parë, pra Bashki. Korça, Pogradeci, Devolli, Kolonja, Maliqi dhe Pusteci do të jenë bashkitë e reja, të konceptuara në bazë të disa parimeve të rëndësishme si, qendra tradicionale dhe organike, njësia ekonomike, demografia, kultura, etj. Njëkohësisht, me ndarjen e re, Qarku ynë përfton edhe një nga hartat me shumëngjyrëshe në terma të veçantë gjeografike, shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Bashkive respektove, kolorit që në fakt përbën një potencial të jashtëzakonshëm kur trajtohet si një pasuri që mund të shfrytëzohet pozitivisht si vlerë e paçmuar. Ka pasur dhe janë analizuar disa propozime dhe variante të ndryshme të ndarjes territoriale të Qarkut, derisa u arrit në këtë variant përfundimtar i cili u përkrah gjerësisht nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces, duke filluar nga grupet e punës në nivel rajonal e duke arritur deri tek ekspertët e huaj të cilët asistuan procesin duke sjellë eksperiencën perëndimore të kalimit nëpër këtë rrugë drejt krijimit të njësive të fuqishme të qeverisjes vendore.
Cilat do të jenë risitë, në mënyrën e organizimit, gjithë përfshirjen, në formë, përmbajtje e zhvillim progresiv në të gjitha fushat të kësaj Reforme Administrative-territoriale, që përfaqëson njësia e re vendor?
Elementët përbërës bazë të efektit që pritet të sjellë reforma e re administrative-territoriale kanë të bëjnë me administrimin dhe kontrollin më të mirë të territorit, standardizimin e përqasjes territoriale, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe standardizimin e tyre, përdorimin e qëndrueshëm të resurseve, mbrojtjen e vlerave natyrore dhe kulturore dhe mundësimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm sipas strategjive afatmesme dhe afatgjata, strategji të cilat marrin në konsideratë si potencialet ashtu edhe dobësitë, si mundësitë ashtu edhe risqet.
Shërbimet e katapultuar cilësisht dhe të standardizuara, synojnë të mbulojnë njëtrajtësisht të gjithë territorin. Rrugët e shkatërruara dhe të pa mirëmbajtura, pyjet e prera, shtratet e degraduara dhe të pista të lumenjve dhe përrenjve, ujëmbledhëset dhe skemat ujitëse, mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm dhe e kanalizimeve të dhjetëra fshatrave, degradimi i tokës bujqësore për shkak të mos ose keqpërdorimit, do të jenë të gjitha në fokus të vëmendjes së Bashkive të reja përsa i takon fshatrave. Ç’kyçja e qyteteve nga kufiri i ‘vijës së verdhë’, bërja e tyre pjesë e një territori më të gjerë organik, i strategjive to gjëra zhvillimore që lidhen me të dhe shndërrimin e tyre në gjenerues dhe reflektues të zhvillimit dhe tendencave të shëndetshme, do të jetë themeli i asaj çka parashihet të ndodhë me qendrat e Bashkive të pas 21 Qershorit. Jemi të ndërgjegjshëm për punën e jashtëzakonshme që kjo do të kërkojë. Shumëkush e njeh mjaftueshëm sot realitetin Shqiptar për ta bërë lehtësisht këtë llogari, megjithatë, kemi gjithë vullnetin e duhur për të startuar ndryshimin megjithë sfidat dhe të panjohurat që mund të na nxjerrë përgjatë rrugës. Për fat të mirë, ka një eksperiencë të gjerë evropiane në këtë drejtim, eksperiencë të cilën mund dhe duhet ta shfrytëzojmë për t’ju paraprirë vështirësive dhe për të rritur efektivitetin e aksioneve. Një element tjetër pozitiv dhe me shumë vlerë, të cilin jam në gjendje ta identifikoj që në këtë fazë, është efekti i anasjelltë që sjellë raporti i reformës administrativo-territoriale me reformat e tjera që kanë prekur sektorët kryesore ekonomike dhe shoqërore të vendit. Rritja e performancës dhe efektivitetit të punës së bashku me rritjen e cilësisë së shërbimeve në arsim, shëndetësi, bujqësi, industri dhe në gjithë kategoritë e shërbimeve që merr qytetari, jo vetëm që shkon paralelisht dhe plotësohet me ndryshimet e pritshme në nivel lokal por në një farë mënyrë edhe imponon frymën dhe ambicien për të arritur në nivelet e munguara deri më sot.
Data për zgjedhjet e pushtetit vendor është caktuar 21 qershor 2015 ç’ndryshim do të ketë nga zgjedhjet e kaluara, sipas Reformës Administrativo-Territoriale, si forma e organizimit,kompetencat, si dhe vartësia, e korrelacioni me Pushtetin qendror?
Ndryshimet që reforma reflekton në procesin zgjedhor në fakt nuk janë thelbësore. Qytetarët përsëri do të votojnë për kandidatin dhe për forcën politike që i përfaqëson dhe ajo që do të ndryshojë në përmasën e përfaqësimit – nëse mund të shprehem kështu -do të jetë numri i reduktuar i anëtarëve të Këshillit Bashkiak, i cili vendoset në bazë të një përcaktimi të rregulluar me ligj i cili varet nga specifikat e Bashkisë që i referohet. Njëkohësisht duhet konsideruar se ka një proces të filluar për të ndryshuar si ligjin organik të funksionimit të Njësive të Qeverisjes Vendore ashtu edhe për të eçur përpara me decentralizimin dhe të dy këta elementë përcaktojnë në një mënyrë ose në një tjetër, marrëdhënien me pushtetin qendror. Gjithsesi, është i sigurt fakti se këto marrëdhënie do të jenë shumë më të strukturuara dhe efektive me paketën e re të propozuar të ndryshimeve.
Çfarë do të ndyshojnë këto zgjedhjet, në krahasim me zgjedhjet e tjera…
Ndonëse është ende shpejtë për të avancuar me mesazhet e fushatave zgjedhore, ka diçka që dua t’ja u drejtoj gjithë zgjedhësve të Qarkut tonë: Jemi në një moment historik që për nga rëndësia krahasohet me momentet e ndryshimeve me të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri. Ndonëse nuk po ndryshojmë format e pushtetit, në gjenezë po ndryshojmë mënyrën e funksionimit të shtetit. Tash e dy dekada, nuk kemi qenë në gjendje si politikë e si shoqëri të bëjmë kapërcime të mëdha cilësore në organizimin tonë të brendshëm, përkundrazi kemi mbetur në një vorbull të fortë stanjacioni që negativisht na ka ambientuar me mos ndryshimin. Është momenti të ecim përpara, është momenti të krijojmë institucione, struktura, administrata dhe njësi moderne qeverisëse. Është momenti të rindërtojmë ç’kemi shkatërruar. Është momenti të fillojmë të krijojmë vendin e ëndrrave tona. Përkundrejt çdo lloj kostoje dhe sfide, por në emër të zhvillimit, në emër të së mirës tonë të përbashkët.
Intervistoi: Vehbi Furxhi