Presidenti kthen ligjin: Borxhi shtetëror duhet miratuar nga Kuvendi

Kreu i shtetit i kthen sërish mbrapsht një ligj mazhorancës. Këtë herë, atë “Për huamarrjen shtetërore, borxhin dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”. Duke dhënë si argument kryesor faktin se për të marrë një borxh shtetëror nuk duhet aspak që qeveria, përmes ministrisë së saj të Financave të anashkalojë institucionin e Kuvendit, siç edhe në fakt parashikohet në këtë ligj. “Në kuptim të nenit 156 të Kushtetutës, shteti mund të marrë e të garantojë hua dhe kredi financiare nga subjekte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë këtu edhe shtetet apo organizatat ndërkombëtare dhe në çdo rast Shteti mbetet i detyruar përsa ka rënë dakord në marrëveshjen e realizuar. Por Kushtetuta ka bërë të qartë se borxhi qoftë i brendshëm apo i huaj do të  merret kur të autorizohet me ligj nga Kuvendi”, thekson kreu i shtetit.Duke vijuar më tej në argumentat e tij se ligji nr. 181/2014, i cili ndryshon ligjin ekzistues nr. 9665/2006 nuk arrin të paraqesë qartë se cilat standarde përkatëse të tregjeve ndërkombëtare në menaxhimin e huas shtetërore po adreson dhe sesi këto standarde do të zbatohen në kontekstin e tregut shqiptar. Kjo është vënë në dukje sipas tij edhe nga komisioni i Çështjeve Ligjore. Në asnjë rast nuk është bërë përqasja me shtete të tjera të BE-së apo me organizata ndërkombëtare që operojnë në këtë fushë. “Duket se qëllimi i vetëm ka qenë t’i jepet sa më tepër fleksibilitet Ministrit të Financave në marrjen e borxhit, në përzgjedhjen e subjekteve kreditore private, në përzgjedhjen e këshilltarëve, agjentëve fiskalë dhe ndërmjetësve të borxhit shtetëror, duke shmangur procedurat e prokurimit të cilat janë të referuara në ligjin nr. 9643/2006 ”Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar”, shton ai. Për të vijuar më tej se problemi që ngrihet në nivel kushtetues ka lidhje me interpretimin e nenit 156 të Kushtetutës dhe problemin që ka ministri i Financave në detyrimin e ratifikimit në Parlament të ‘marrëveshjevendërkombëtare me subjekte private. Sepse sipas tij, propozuesit e ligjit kanë ezauruar detyrimin kushtetuese të autorizimit nga ana e Kuvendit për ministrin e Financave në marrjen e borxhit me faktin se ‘kufiri i borxhit’ vendoset në ligjin për buxhetin që miratohet çdo vit. Dhe i vetmi problem të cilin shohin se duhet të rregullohet përmes ligjit është sipas kreut të shtetit rregullimi i rasteve kur borxhi merret nga subjekte private të huaja. Për Presidentin Nishani, po të ishte kaq e thjeshtë sa arrihet të përcillet nga ana e propozuesve të ligjit, atëherë togfjalëshi ‘kur autorizohet me ligj’do të ishte zëvendësuar me togfjalëshin ‘kur autorizohet me ligj, referuar buxhetit të shtetit’. “Neni 156 i Kushtetutës kur flet për autorizimin me ligj, nuk i referohet vetëm kufirit sasior të vendosur në buxhetin e miratuar nga Kuvendi, por ka parasysh edhe kushtet dhe mënyrat e marrjes së borxhit qoftë të brendshëm apo të jashtëm. Rezulton, që Kuvendi në asnjë rast nuk ka vendosur kushte të përgjithshme të cilave do t’i referohet Ministri i Financave në marrjen e borxhit. As ndryshimet ligjore nuk e kanë përmbushur  një gjë të tillë”, pohon gjithashtu kreu i shtetit listimin e argumentave që e kanë detyruar t’i kthejë ligjin në fjalë mbrapsht mazhorancës për shqyrtim.

 

 

QËNDRIMI

“Eshtë e qartë se në çdo rast të marrjes së borxhit  të brendshëm apo të jashtëm, referuar kufirit, kushteve dhe mënyrës së marrjes së borxhit duhet të merret miratimi nga Kuvendi.Rregullimet ligjore në ligjin 181/2014 janë rezultat i një interpretim të gabuar të neneve 121, 156 dhe 159 të Kushtetutës dhe si rezultat përbëjnë një cënim të rëndë të saj dhe të parimeve të saj”, argumenton kreu i shtetit lidhur me ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”

 

 

ARGUMENTIMI

 

“Eshtë prekur në mënyrë të

qartë pushteti i Kuvendit”

 

“Vlerësoj se në emër të fleksibilitetit të Ministrit të Financave dhe të uljes së kostos së borxhit nuk mund të cënohet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe as të cënohen dispozitat kushtetuese të cilat kanë përcaktuar qartë se kufiri, kushtet dhe marrjes së borxhit të brendshëm apo të jashtëm do të vendosen vetëm nga Kuvendi. Pra, në rastin konkret të ndryshimeve ligjore, jo vetëm nuk ekziston një përqasje me standardet ndërkombëtare siç pretendohet, por është prekur në mënyrë të qartë pushteti i Kuvendit i njohur në Kushtetutë. Jam plotësisht dakord, që detyrim kushtetues është që borxhi të merret me një kosto sa më të ulët, por kjo nuk do të thotë që pushtetin që ka parlamenti për të autorizuar marrjen e borxhit dhe për të vendosur në lidhje kushtet dhe mënyrat e marrjes së borxhit t’ia delegojë në mënyrë absolute qeverisë dhe të mjaftohet me raportimin që bën Ministri i Financave një herë në 4 muaj në Komisionin e Ekonomisë”, citon mes të tjerash Nishani.

 

 

 

AKUZA

 

“Qeverisë i jepet një pushtet i

pakufizuar e aspak transparent”

 

“Në kuptim të Kushtetutës, borxhi shtetëror duhet të trajtohet në mënyrë transparente përsa kohë bëhet fjalë për Financa Publike. Vërej se dispozitat në ligjin 181/2014 nuk e ofrojnë diçka të tillë dhe për më tepër bëjnë të qartë një pushtet të pakufizuar  dhe aspak transparent të ekzekutivit në procesin e marrjes së borxhit. Pra duket qartë, se ekzistojnë raste që Ministri i Financave do të marrë borxh edhe duke kapërcyer kufirin sasior të vendosur nga Kuvendi dhe në këto raste marrëveshjet me palët e treta do të jenë plotësisht të vlefshme, duke e vënë në këtë mënyrë R.SH-së para detyrimeve financiare të pakontestueshme. Në këtë rast kontrolli post marrëveshje nga ana e Kuvendit do të ishte formal, pasi borxhi ishte marrë edhe në kushtet që në rast të kapërcimit të kufirit sasior duhej marrë miratim paraprak nga Kuvendi. Pra sërish, duket një pushtet  pa kufi i Ministrit të Financave i cili është tashmë absolut karshi pushtetit të Kuvendit që autorizon marrjen e borxhit referuar nenit 156 të Kushtetutës”, është një tjetër arguement i përmendur në dekretin e kreut të shtetit kundër huamarrjes shtetërore.

 

 

 

REZERVA

 

“Abuzohet edhe me ndërmjetësit

që do të marrin borxhin shtetëror”

 

“Ndryshime të tjera, të cilat vënë në dyshim transparencën e këtij procesi dhe tregojnë për pushtetin diskrecionar të ekzekutivit janë edhe  në drejtim të përzgjedhjes së subjektit privat kreditor, të këshilltarëve, agjentëve fiskalë dhe ndërmjetësve të borxhit shtetëror. Në radhë të parë nuk bëhet një përkufizim i këshilltarëve apo ndërmjetësve të borxhit shtetëror dhe as përcaktohen në ligj kompetencat e tyre, ashtu siç janë të përcaktuara për agjentët fiskalë në nenin 31/ para2 i ligjit ekzistues. Në radhë të dytë , përmes nenit 10 të ligjit është ndryshuar paragrafi i parë i ligjit ekzistues në lidhje me përzgjedhjen e këshilltarëve, agjentëve fiskalë dhe ndërmjetësve të marrjes së borxhit, duke i përjashtuar nga rregullat e prokurimit publik referuar nenit 7/ç të ligjit nr. 9643/2006 ”Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar. Relacioni i projekt ligjit e justifikon një rregullim të tillë referuar nenit 7/ç, gjë e cila nuk është e përcaktuar në mënyrë të qartë dhe nuk duket të jetë rasti. Në këto kushte, përjashtimi duhej të ishte bërë në ligjin 9643/2006, i ndryshuar. Në radhë të tretë, përmes nenit 6 përcaktohet  përzgjedhja me VKM e subjekteve private kreditore të huaja apo vendase. Në asnjë rast, neni 7/ç nuk i ka përjashtuar këto raste nga zbatimi i procedurave të prokurimit publik”, vë gjithashtu në dukje kreu i shtetit.

SHKARKO APP