Prezantimi i Planit të Mobilizimit “Unë mbroj fëmijët”
“Unë mbroj Fëmijët”, është ky emri i planit kombëtar i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe partnerë ndërkombëtarë si UNICEF, Save the Children, etj., i cili ka në kuadër sensibilizimin kundër dhunës, neglizhimit, abuzimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve.
Në prezantimin e ditës së sotme të këtij plani, me pjesëmarrës të rëndësishëm si Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, znj. Lindita Nikolla, Nënkrytetari i Bashkisë Tiranë, z. Andi Seferi, etj., Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi, u shpreh se ky plan mobilizimi ka si shtylla kryesore ndryshimet ligjore që do të propozohen për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe në veçanti ngritjen e një sistemi efektiv për mbrojtjen e tyre, si dhe hartimin Axhendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve deri në vitin 2020.
Ministri Klosi, i erdhi në thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare si lutje për t’i folur ndërgjegjes dhe bashkarisht për ta konkretizuar dhe thjeshtëzuar këtë plan. Në rast se shikohet një fëmijë i abuzuar, duhet nxitja e bashkëpunimit të komunitetit me institucionet përkatëse. Në rast se hasen fëmijë në një fëmilje e cila ka nevojë për ndihmë ekonomike, duhet ditur se cili është administratori shoqëror apo edhe punonjësi social tek i cili duhet drejtuar për t’i ardhur në ndihmë kësaj familjeje me këtë fëmijë.
“Ky plan mobilizimi ka si qëllim që në fund të tij, të ketë më pak fëmijë të abuzuar, më pak fëmijë në rrugë. Ketyre fëmijëvë dhe shumë të tjerëve si ata, u duhet gjendur më pranë. U duhet dhënë më shumë dashuri.” – shtoi Ministri Klosi.
Duke filluar nga sot me 1 Mars, e deri me 1 Qershor, debati kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve i cili do të perfshijë të gjitha institucionet qendrore e vendore, partnerët ndërkombëtarë, organizatat e shoqerinë civile, profesionsitët, por edhe vetë fëmijët, do të jetë i hapur.
Në mbyllje Ministri Klosi përmendi edhe masat që po ndërmerr Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë e Qeveria Shqiptare për mbrojtjen e grupeve të veçanta të fëmijëve. Zotimin për të patur shkolla dhe institucione të përkujdesjes sociale, apo përgatitjen e programeve të aftësimit profesional për të gjithë profesionistët e fushës, si psikologët apo punonjësit socialë, që punojnë ngushtë me fëmijët, që të jenë të aftë të ndihmojnë në fuqizimin e familjeve, por njëkohësisht të përgjigjen dhe të mbrojnë fëmijët në rastet e abuzimit.