Prezantohet Paketa, Rama: Sfidë, Bujqësia e dijes
E them këtë sepse unë besoj fort që vendet nuk dallohen nga njëri-tjetri në ritmet dhe në nivelin e zhvillimit për atë që kanë, por për atë që dinë. E, nëse Japonia është vendi më i varfër në botë, siç thonë mësuesit në ditën e parë të shkollës, kuptohet për sa i përket resurseve natyrore, është një ndër ekonomitë më të zhvilluara të botës. Ndërkohë që, Shqipëria është një vend mjaftueshmërisht i pasur për sa i përket pasurive të saj natyrore dhe është një vend me një nga ekonomitë më të prapambetura të Europës, kjo në këndvështrimin tim lidhet drejtpërdrejtë me nivelin e dijes.
Besoj se këtu është edhe sfida kryesore përtej gjithë masave afatshkurtra apo afatmesme të natyrës fiskale apo të natyrës strukturale që ne mund të marrim. Sfida kryesore është të kalojmë nga një bujqësi e mbijetesës në padije tek bujqësia e krijimit të mirëqenies përmes dijes. Nga një bujqësi e mbijetesës që përcjell në mënyrë empirike eksperiencën e brezave që po tretet, për hir të së vërtetës për shkak se gjenerata e re nuk preferon të marrë stafetën e nënës dhe të babait që rropaten nga mëngjesi deri në darkë duke punuar tokën, tek bujqësia që zhvillohet përmes një zinxhiri dijesh që sigurisht spirancën e vet e ka tek BE.
BE për ne, në këndvështrimin tim sot në këtë sektor dhe të gjithë institucionet apo burimet e tjera të mbështetjes financiare për vendin tonë pasurinë më të madhe që mund të na japin dhe pasurinë më të madhe që ne duhet të synojmë t’ia marrim, nuk e kam tek paratë e kam tek dija. Atë që mund të ndryshojmë përmes dijes, nuk mund ta ndryshojmë kurrë përmes sado shumë parave që mund të na japin dhe mund të shfrytëzojmë.
Fakti është që sot, ajo që ne kemi trashëguar në sektorin e fshatit në tërësi dhe të bujqësisë së zhvillimit rural, peshkimit në veçanti, është një situatë ku duket qartë se çfarë mund t’i bëjë një vendi politika e subvencionimit të mbijetesës dhe e shpërfilljes së konkurrencës dhe të ligjësive të tregut që po hyn me shumë vështirësi në këtë sektor, për shkak se ky sektor është konsideruar gjithmonë si një zonë ku qeveritë kanë preferuar të shpërndajnë thërrimet e lëmoshës së subvencioneve, pa u interesuar asnjëherë për atë që duhet të jetë dhe që është për ne thelbi i procesit të rilindjes së këtij sektori; konkurrenca. Konkurrenca përmes dijes, përmes projekteve, përmes ideve dhe programeve të suksesit e sigurisht edhe përmes vetë implementimit të tyre, duke folur me gjuhën e suksesit.
Kjo është arsyeja se përse ne qysh në fillim i dhamë fund subvencioneve të mbijetesës dhe preferuam që të fokusohemi tek një qasje tërësisht tjetër, e mishëruar në paketën e mbështetjes së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, e cila për herë të parë iu qas fermerit me gjuhën e re të dijes dhe të granteve konkurruese. Sigurisht që, jemi shumë larg asaj që kemi ambicie të arrijmë, por që kemi hedhur hapin e parë. Kemi hedhur një hap që unë besoj se duhet të shoqërohet me hapa të tjerë.
Le ta themi hapur se po nuk folëm me gjuhën e së vërtetës, e kemi të vështirë të gjejmë rrugën e zhvillimit të vërtetë dhe po nuk preferuam ilaçet e hidhura të së vërtetës përkundër gënjeshtrave të ëmbla do të vazhdojmë të jetojmë me një proces agonie në shumë sektorë, ku mungesa e reformave na ka lënë kaq mbrapa.
E çfarë duhet të them hapur? Drejtoritë tona të bujqësisë nuk janë në nivelin e sfidës të një bujqësie të një zhvillimi rural përmes dijes. Drejtoritë tona të bujqësisë janë struktura që nuk i duhen as dreqit, ose mund t’i duhen vetëm dreqit, që të jemi të saktë fare, kështu siç janë të ndërtuara. Për më tepër janë struktura pasive, të cilat nuk e udhëheqin procesin e zhvillimit në të gjithë zonat e administrimit të tyre, por e ndjekin procesin e zhvillimit që udhëhiqet nga ministria e Bujqësisë nën lidershipin e një ministri që di çfarë flet dhe di çfarë kërkon nga disa struktura në qendër, siç është AZHBR-ja, por që nuk kanë asnjë lloj shtrirje në territor në kuptimin e formimit të një vizioni, të një vetëdijeje, të një përgjegjësie të re të të gjithë atyre që i afrohen shtetit për të marrë mbështetje.
Shteti është konsideruar si një lopë që të gjithë duan ta mjelin në mënyrë pasive kur vjen puna tek subvencionet.
E nga ana tjetër, pa harruar që subvencionet janë përdorur për vite të tëra si lëmoshë politike, duke bërë çudira, duke detyruar njerëzit në Dibër të mbjellin dardha dhe duke detyruar njerëzit në Lushnjë të mbjellin mollë. Thjesht dhe vetëm sepse disa injorantë partiakë kanë shpërndarë disa lekë të shtetit, në duar që janë shtrirë për ta mjelë, duke paraqitur teserën e partisë dhe duke thënë se kam kaq vota këtu, kam kaq vota aty dhe se për këtë dua nja dy lopë.
Kjo është e vërteta.
Ndërkohë që transformimi që ne po sjellim, jemi të vetëdijshëm se do të jemi të pamundur në rast se paralelisht me gjithë këto masa drejtpërdrejtë, që nxisin drejtpërdrejtë sot sektorin, nuk do të ndërtojmë sëbashku dhe kur them se bashku me të gjithë donatorët dhe mbështetësit e pranishëm, por dhe me shembujt e suksesit që janë në të gjithë territorin një politikë të re të bazuar tek vetëdija se qytet, fshat, Shqipëria ka zgjedhur një sistem që bazohet tek konkurrenca, bazohet tek vlerat e krijuara nga konkurrenca. Ky është sistemi që kemi zgjedhur.
Për të përballuar konkurrencën në këtë fushë e dimë shumë mirë se çfarë sfide e madhe e është sepse të tjerët janë shumë më të mëdhenj se ne, ndërkohë që ne i kemi mundësitë për shkak të burimeve tona natyrore, që në rast se do të investojmë tek dija, tek dija, tek dija, dhe në rast se do të investojmë në një zinxhir dijesh që të përkthejë politika në instrumente nga qendra deri në territor, atëherë me siguri, nuk do ta bëjmë Shqipërinë superfuqi as në bujqësi, as në peshkim, por do të kemi një bujqësi dhe një blegtori, e një peshkim e një zhvillim rural, të denjë për një vend të vogël por të pasur, i cili nuk riprodhon mbijetesën dhe nuk zgjat agoninë e vet dhe bën sikur zhvillohet. Por që zhvillohet realisht e në rrugën e zhvillimit është në gjendje të mbështesë ata që janë motorët e zhvillimit, e pastaj të shpërndajë indulgjencat për ata që nuk e ndjekin dot rrugën e zhvillimit.
Historia që duhet t’i bëjmë të gjithë njësoj dhe do t’i trajtojmë të gjithë njësoj, duhet të marrë fund. Kjo është historia së cilës Ministria e Bujqësisë ka vendosur që t’i japë fund qysh në vitin e shkuar, por sigurisht që ka ende shumë për të bërë.
Ne jemi të vetëdijshëm që fuqia jonë financiare është shumë e vogël përkundër gjithë kërkesave për të krijuar histori suksesi. Por ama jemi të vetëdijshëm edhe për diçka tjetër që nevojat tona janë shumë të vogla përballë mundësive financiare që ka rreth nesh, në rast se ne jemi aq të ditur sa të ndërtojmë projektet e duhura, të ndërtojmë mekanizmat e duhur për t’i promovuar dhe për t’i mbështetur projektet dhe të ndërtomë gjithë institucionet e duhura për t’i thithur në kohë reale të gjithë rezultatet që presim nga projektet.
Sot jemi përpara një situate që duhet të marrim disa masa edhe në sektorin e bujqësisë. Vjedhja e energjisë elektrike, shitja e diplomave, dorëzimi i të drejtës apo i përgjegjësisë për të dhënë mësim, mësuesve pa arsim, dhe me radhë, kanë sinonimin e tyre edhe në bujqësi. “Toka e xanun” për investitorët psh. Toka publike, pronë shtetërore që janë në dispozicion të shtetit për të nxitur zhvillimin intensiv duke mbështetur projekte dhe që atje rezultojnë “të xanuna”. Si mund të ndodhë kjo?! Si mundet që zaptimi i tokës së shtetit sot thjesht të gjobitet me ca mijëra lekë dhe të quhet fakt i kryer. Kjo nuk mund të ndodhë e për këtë arsye, ne do të futim edhe këto çështje që lidhen me disa të drejta të patjetërsueshme, – të asaj që ministri e quajti shenjtëria e pronës, që vlen edhe për pronën private, vlen edhe për pronën publike, – në Kodin Penal. Patjetër. E kjo nuk ka lidhje me shtetin policor, ka lidhje me shtetin, ka lidhje me ligjin, ka lidhje me një të vërtetë të thjeshtë që “e drejta ime mbaron aty ku fillon e jotja”. E nuk mbaron aty ku mbaron fuqia ime për të abuzuar me të drejtën tënde. E për më tepër aty ku mbaron fuqia e çdo individi agresiv e të papërgjegjshëm për të abuzuar me të drejtën publike.
Ashtu sikundër toka e papunuar. Në një diskutim që po bënim më përpara këtij takimi, 200 ha tokë e cilësisë më të lartë në Tërbuf, nuk punohet por përdoret për kullotë. Cili vend në Europë edhe nga vendet me territoret më të mëdha mund t’ia lejojë vetes që 200 ha në palcën e tokës bujqësore t’ia lërë individëve për të kullotur disa dele.
E pra, ja se si ne provojmë të vërtetën e madhe se vendet nuk bëjnë diferencën tek ajo që i ka dhënë Zoti, por vetëm duke u bazuar tek ajo që arrijnë të futin në kokë, tek dija.
Sepse ne jemi rast tipik i faktit, që pasuritë na janë kthyer në telash. Jemi vendi dytë më i pasur në Europë për burimet ujore dhe për fuqi hidroenergjetike dhe na është kthyer në telash. Më mirë mos ta kishim fare, se nuk do kishte njeri çfarë të vidhte, i bie. Norvegjia është e para për këto pasuri dhe është e para për përfitimet që nxjerr nga këto pasuri. Ne jemi të dytë pas Norvegjisë, -në atë që na ka dhënë Zoti, të kuptohemi, që të mos ngatërrohet ndonjëri me ato bilancet, të dytët pas Gjermanisë, – dhe rezultojmë të jemi të parët nga fundi për mënyrën sesi ia kemi lidhur këmbët vetes, duke mos e kthyer këtë pasuri në burim fitimi dhe mirëqenieje, por duke e kthyer në telash.
Thënë të gjitha këto, po kaloj me shpejtësi tek paketa, që besoj se është një stimul me një rëndësi të konsiderueshme dhe që objektivisht do të sjellë një fazë të re në zhvillimin e sektorit. Pavarësisht se zhvillimi real dhe përfundimtar i sektorit nuk lidhet me këtë paketë dhe nuk lidhet me këto tre vjet që ne kemi në këtë mandat, përpara, por lidhet me mënyrën si do të vendosim në vendin e duhur gurët e themelit, për të transformuar bujqësinë tonë nga një sektor ku subvencionohet mbijetesa, në një sektor ku përmes dijes prodhohet mirëqenia.
Paketa shkon në atë që Ministri i Ekonomisë e shpjegoi, vazhdimësinë e një metode qeverisëse të re, ku reformat dhe masat stimuluese nuk vijnë nga lart-poshtë, por vijnë në bazë të një konsultimi të gjerë nga poshtë-lart. Ajo që bëmë me paketën fason është një shembull spektakolar, sesi një punë e durueshme dhe intensive me të gjithë aktorët dhe me gjithë faktorët e lidhur me industrinë na çoi në një paketë që ka sjellë që manifaktura sot të ketë bumin më të madh në rritjen e eksporteve. Deri në tremujorin dytë kishim 26% rritje të eksportit drejtpërdrejt, sepse masat ishin efektive.
Kështu është edhe kjo paketë, me 26 masa, 13 nga të cilat janë tanimë në rrugën e implementimit dhe 13 të tjera janë në proces për t’u zgjidhur njëra pas tjetrës, gjatë vitit 2015.
Atëherë, kompensimi i TVSH-së për produktet bujqësore, në mënyrë që të kemi një rritje të veprimtarisë ekonomike për prodhuesit e vegjël dhe të kemi një rritje të tregtimit të produkteve vendase.
Nga ana tjetër, penalizimi për diferencat në peshë gjatë kontrollit doganor, që ka rritur shumë kostot për bizneset dhe që e ka rënduar klimën e biznesit me lloj arbitraritetesh dhe historish që njerëzit e sektorit i dinë mirë, duke bërë që të ketë një rishikim, bazuar në Kodin Doganor, të deklaratës paraprake dhe fitimi i të drejtës për të rishikuar deklaratën doganore, më mënyrë që të vlerësojmë qartë shmangien nga penalitetet.
Së treti, rishikimin e taksave për importin e lëndëve të para dhe të kafshëve për mbarështim. Ç’ka ka sjellë konkretisht, që në paketën e re fiskale që është në Parlament, kjo tarifë doganore për importin e produkteve që shërbejnë për lëndë të para për industrinë apo blegtorinë të jetë zero. E kemi zeruar.
Po kështu kemi hequr taksën për importin e materialit biologjik.
Masa e pestë është përjashtimi në import nga TVSH-ja për mjetet dhe makineritë agroushqimore. Këtu kemi një shenjë shumë të fortë dhe kjo ka qenë dhe arsyeja pse kemi avancuar më tutje, sepse kemi një rritje të konsiderueshme të importit të mjeteve dhe të makinerive dhe duam të stimulojmë shumë fort importin e mjeteve dhe të makinerive agroushqimore, në mënyrë që të rrisim punësimin në industrinë agroushqimore.
Rishikimi i TVSH-së për shpendët dhe kafshët e importuara për mbarështim, që do të sjellë ulje të kostove dhe nxitje të prodhimit vendas, duke bërë që të përjashtohen nga TVSH-ja në import, të gjitha kafshët e gjalla për majmëri. Është një tjetër kërkesë insistuese që ka ardhur nga sektori dhe që ne besojmë se do të na japë një efekt të rëndësishëm.
Vënia në përdorim e tokave të kripura dhe joproduktive, që edhe kjo është një masë e cila ka hyrë në sistem; Rishikimi i Kodit Penal për zaptuesit e tokave bujqësore, që do të sjellë një lehtësim të madh të kuadrit të investimeve në tokat bujqësore që janë pronë e përbashkët, kështu e quajmë ne, pronën e shtetit, pronë e përbashkët; Rishikimi i procedurave dhe tarifave për regjistrimin e farave, fidanëve dhe pesticideve për të sjellë ulje të kostove të inputeve dhe rritje të eficencës në sektor; Eliminim të tarifave për testimin e hibrideve; Organizim në nivel kombëtar të mjekëve veterinerë, një histori shumë e dhimbshme e tranzicionit, edhe kjo; Rishikim në çdo tre muaj i referencave i importit të kafshëve të gjalla dhe të ushqimit për kafshë.
Përtej këtyre që janë masat që kemi marrë, janë edhe një sërë masash të tjera që lidhen me degë të ndryshme brenda sektorit dhe që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë në grumbullimin e qumështit; kanë të bëjnë me skemën e mbështetjes për materialin biologjik me cilësi të lartë; kanë të bëjnë me rishikimin e ligjit për akcizat në sektorin e prodhimit të verës dhe vreshtarisë, me rritjen e akcizës së verës në përgjithësi dhe rimbursimi për industrinë vendase, pra, në mënyrë që të stimulojmë industrinë vendase, në kushtet kur ka përpjekje të konsiderueshme në territor për të zhvilluar industrinë e verës; përmirësimi i manualeve dhe procedurave inspektuese për importin dhe stabilimentet e rritjes së shpendëve; një paketë masash lehtësuese për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor, gjithmonë në sensin e uljes së kostos së inputeve. Amnisti dhe legalizim për mjetet bujqësore, bëjmë pra, regjistrimin për herë të parë të të gjithë makinerive bujqësore në gjithë territorin e Shqipërisë, duke bërë një amendim të Kodit Rrugor; lehtësimin e procedurave për marrjen e lejeve të drejtimit për makineritë bujqësore, se janë bërë edhe ato në vite si lejet e drejtimit për avionë, reforma për unifikimin e shërbimit veterinar dhe pastaj, një paketë plotësuese e skemave mbështetëse.
Thënë të gjitha këto, dua ta mbyll me një zhvillim që unë e konsideroj dhe Ministria e Bujqësisë, sigurisht e ka projektuar si një nga momentet më të rëndësishme, rajonalizimin e prodhimit dhe qartësimin e gjithë fermerëve se çfarë prodhimi specifik mbështet politika shtetërore në një zonë apo në një zonë tjetër. Paralelisht me rajonalizimin e prodhimit, për të mos lejuar më që investimet, mbështetja publike apo investimet private të shkojnë dëm, duke marrë iniciativa që janë jashtë kontekstit të zhvillimit intensiv të zonë dhe për të stimuluar bashkimin e forcave, pa bashkuar detyrimisht pronat, por duke bashkuar forcat në drejtim të një prodhimi të caktuar, paralelisht me krijimin e zinxhirit të vlerave. Aty ku ne do të fokusohemi shumë fort dhe parakushti për gjithë mbështetjen financiare që Qeveria do të japë, do të jetë zinxhiri i vlerës që krijon një financim. Jo një skemë e hapur, por një skemë e mbyllur. Një cikël i mbyllur, nga prodhimi tek tregtimi.
Besojmë shumë që me këtë potencial të madh të kemi mundësi të bëjmë në afat të shkurtër, gjëra me një impakt shumë të fortë.
Por e përsëris, për t’u kthyer tek fillimi dhe për t’ju falenderuar për vëmendjen, që sfida themelore mbetet sfida e dijes. Paralelisht me gjithë këto masa, ne do të bëjmë gjithçka mundemi që të vendosim gurët e themelit për një sektor që mund të zhvillohet në mënyrë afatgjatë, vetëm nëse do të zhvillojë kapitalin njerëzor në të gjithë zinxhirin e vet, nga vendimmarrja deri në tregtimin e prodhimit bujqësor, blegtoral apo peshkimit e me radhë. Vetëm kështu ne mund të rrisim në mënyrë eksponenciale sektorin, duke rritur kapitalin njerëzor, duke u fokusuar tek kapitali njerëzor. Jemi në fazën që po përgatisim një reformë rrënjësore në gjithë sistemit të organizimit të institucionit, po themi të zinxhirit të institucioneve, duke qenë fort të qartë që Drejtoritë e Bujqësisë kështu siç janë, janë tërësisht parazite dhe duke qenë fort të qartë që e ardhmja qëndron tek mënyra sesi do të kalojmë nga një organizim shtetëror, i trashëguar që nga koha e komunizmit që s’ka ndryshuar, tek një organizim i ri shtetëror, i bazuar tek konkurrenca dhe tek instrumentet në dispozicion, për të stimuluar konkurrencën dhe për të arritur rezultate përmes konkurrencës.
Faleminderit!
**
Qeveria prezantoi sot Paketën për mbështetjen e bujqësisë, e cila parashikon 26 masa lehtësuese të karakterit fiskal për sektorin e bujqësisë, agroindustrisë dhe peshkimit.
Paketa u paraqit nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe të një audience me përfaqësues të ministrive përkatëse dhe specialistë të fushës dhe grupe interesi.
Gjatë prezantimit, Ministri Panariti u shpreh se paketa fiskale për bujqësinë synon përmirësimin e ekonomisë së fermerëve në tërësi, përmes nxitjes se prodhimit vendas, rritjes së eksporteve, etj. Ministri informoi se një pjesë e mirë e këtyre masave janë tanimë në fuqi, ndërsa masa të tjera do të hynë në fuqi vitin që vjen, duke bërë të mundur funksionimin e plotë të gjithë paketës fiskale.
Ndërsa Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj u shpreh gjatë fjalës së tij, se paketa mbështetëse për bujqësinë vjen bazuar në eksperiencën e suksesshme të paketës për biznesin fason, për të cilën ministri Ahmetaj theksoi se ka funksionuar më s