Prindërit kundër librave të përdorur
Pak ditë nga përfundimi i shkollës, nxënësit nga klasa e parë në të katërtën kanë nisur fshirjen e shënimeve nga tekstet. Ata do të duhet të dorëzojnë librat javën e ardhshme ndërsa prindërit shprehen kundër nismës së Ministrisë së Arsimit për librat e përdorur.
Javën e ardhshme nxënësit nga klasa e parë në të katërtën do të dorëzojnë librat, por më parë duhet t`i pastrojnë nga shënimet.
Vitin e ri shkollor nxënësit do të marrin dije nga këto tekste, ku nuk mungojnë plotësimet me stilolaps apo faqet e dëmtuara.
Prindërit thonë se nisma për të mësuar me tekste të përdorura nuk do të jetë efektive pasi fëmijët do të ndikohen nga shënimet që kanë lënë paraardhësit.
“Sado që t’i fshish ato ngelen dhe fëmija thjesht kopjon mbi shkrimet e fëmijës që është dorëzuar libri. Kështu që është e padobishme”, tha një prind.
“Më mirë ti kishim blerë”
Ata shprehen se gjatë gjithë vitit fëmijët kanë qenë nën presion për t`u treguar të kujdesshëm me librat.
Tekstet që do të mblidhen në përfundim të vitit shkollor do të rishpërndahen për nxënësit në muajin shtator. Vitin që kaloi Ministria e Arsimit bëri të ditur se prindërit nuk do të paguajnë nëse librat do të jenë të dëmtuar.