Problematika e projekteve me financime të huaja

Nga Artan Topjana

Disa nga veprat më të mëdha publike në vendin tonë, financohen nëpërmjet kredive, huave apo granteve, të cilat garantohen nga shteti. Menaxhimi i projekteve me financime të huaja bëhet nëpërmjet krijimit të njësive të koordinimit, menaxhimit apo zbatimit të projekteve, por edhe të institucioneve në rolin e agjencisë së ekzekutimit të projektit, kjo e fundit më shumë në rastet e rikonstruksionit apo ndërtimit të rrjeteve të ujit të pijshëm. Në përgjithësi, disbursimi i fondeve, menaxhimi financiar, metodat e prokurimit dhe kushtet e kontratave, bazohen në udhëzuesit e institucioneve financiare kredidhënëse. KLSH, bazuar në standardet a auditimit dhe vlerësimin e riskut, përzgjedh dhe auditon aktivitetin e projekteve si në aspektin e zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë, ashtu edhe në aspektin vlerësues apo të performancës, i cili ka të bëjë me arritjen e objektivave të përcaktuara. Nga auditimi i tyre ka rezultuar se, projektet shoqërohen me vonesa të shumta si pasojë e të cilave, kosto e projektit rritet mbi atë të parashikuar dhe marrja e përfitimeve nuk bëhet në sasinë dhe kohën e parashikuar, pra me mungesë të ardhurash nga investimi.

Vonesat kryesisht vijnë nga procesi i shpronësimeve. Bllokime të shumta të punimeve bëhen sidomos në akset rrugore, si pasojë e mos arritjes së realizimit të shpronësimit për interes publik. Banuesit në zonat që shpronësohen edhe pse janë pronarë, nuk arrijnë ta vërtetojnë pronën me dokumentacionin ligjor të domosdoshëm për t’u shpronësuar sipas ligjit. Çdo vonesë shoqërohet me pretendime nga ana e kontraktorëve, të cilat përkthehen në detyrime financiare, rrjedhimisht rritje të vlerës së kontratave, pa marrë në konsideratë faktin se këto vonesa ndikojnë në vënien në afatin e parashikuar në eficiencë të projektit. Vonesat në përfundimin në afat të kontratave, sidomos përtej afatit 18 mujor siç edhe ka ndodhur në shumë projekte, shoqërohet me rishikimin e çmimeve. Bazuar në inflacionin e vendit tonë dhe të vendit nga i cili vjen kontraktori, sipas një formule bëhen përllogaritjet dhe në përgjithësi rezulton me rritje të vlerës së kontratës, më tej të projektit.

Vonesa të shumta vijnë si pasojë e ndryshimeve të projekteve. Në shumë raste projektzbatimet nga koha e hartimit deri në kohën e zbatimit të tyre, kalojnë një periudhë që shkon edhe deri në 10 vite. Për periudha të tilla, gjendja e objekteve, terrenit, zhvillimit të territorit etj., ndryshojnë dukshëm dhe për këtë arsye kërkohet rishikimi i tyre. Rishikimi i projekt -zbatimeve shoqërohet me kosto shtesë jo vetëm sa i përket shërbimeve këshillimore, por edhe sa i përket zërave të rinj të punimeve të cilët nuk janë pjesë e preventivave. Çdo zë punimi i cili nuk është pjesë e preventivit origjinal i përfshirë në procesin e prokurimit, prokurohet në gara të vogla dhe në asnjë rast nuk pritet të përfitohen çmime si në garat e mëdha, siç është prokurimi i kontratave. Si pasojë e mangësive të mësipërme vetëm nga ky fenomen, kostot e projekteve janë rritur aq shumë, sa në ndonjë rast edhe deri në 5 % të verës së projektit.

Vonesat e shumta të projekteve shoqërohen me shtesa në kontratat e mbikëqyrjes së punimeve, rrjedhimisht në rritje të kostos. Për çdo zgjatje të afatit të përfundimit të punimeve sipas një projekti të caktuar, rrjedhimisht do të nevojitet zgjatja e kontratës për shërbime konsulente. Nuk ka një përcaktim të prerë cili rast është më i favorshëm, prokurimi i shërbimeve konsulente me çmime të fiksuara, apo siç aplikohet në përgjithësi, me kohë bazë shërbimi, por në projektet me financime të huaja metoda më e aplikuar është e dyta. Pavarësisht më sipër, rritje të kostos së projekteve në këtë rast kemi edhe si pasojë e rritjes së tarifës së angazhimit.

Projektet me financime të huaja shpesh herë nuk kanë kthyer as vlerën e investimit. Ndërtohen tregje të cilët nuk janë vënë në përdorim asnjëherë. Si një rast konkret mund të përmenden tregjet rajonale të fruta-perimeve. Ndërtohen impiante të trajtimit të ujërave të zeza, por nuk vihen në funksionim. Ndërtohen impiante për eliminimin e gazrave të rrezikshëm por nuk vihen në përdorim etj., siç mund të përmendim atë të ndërtuar në lanfillin e Sharrës Tiranë. Pothuajse për asnjë projekt me financim të huaj si për shkak të problematikave të mësipërme, ashtu edhe për të tjera arsye, nuk janë realizuar objektivat në kohën e parashikuar. Madje për shumë projekte objektivat përcaktohen të pa qarta dhe të pamatshme, sa është vështirë të vërtetohet dhe të përllogaritet përfitimi i pritshëm nga investimi.

Përmirësimi i identifikimit, realizimi i fizibilitetit, projektimit, prokurimit, zbatimit, raportimit dhe monitorimit të këtyre projekteve në përputhje me legjislacionin vendas dhe të huaj, ngelet një sfidë për të ardhmen. Rritja e ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit të tyre, duhet të jetë në vëmendjen e duhur të institucioneve, duke parë projektet me financime të huaja si një mjet i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm në zhvillimin e vendit.

KLSH

 

 

 

 

SHKARKO APP