Problematikat në prokurimin publik

“Kjo ndodh nëpërmjet shfrytëzimit të shtigjeve të hapura në sistem nga KVO dhe Autoritetet Kontraktore pa integritet, duke bashkëpunuar me pjesëmarrësit në tenderë, duke abuzuar me të drejtat që gëzojnë, duke stimuluar e adresuar marrëveshje të fshehta në ofertë midis operatorëve pjesëmarrës dhe nga mungesa e kontrollit në kohën e zhvillimit të tenderit, por jo vetëm. Procedurat e tenderimit të realizuara nga Njësitë Shpenzuese”…

Nga Albert Thoma*

Prokurimi i fondeve publike përcaktohet në ligjin Nr. 9643, datë 20.11.2006 i ndryshuar dhe aktet normative përkatëse si dhe kryhet nëpërmjet sistemit elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik me qëllim garantimin e përdorimit me efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve publike. Në tenderët publikë presupozohet që, si rezultat i kuadrit rregullator dhe realizimit të procedurave në mënyrë elektronike, të minimizohen mundësitë për abuzime me fondet publike. Po a realizohet ky qëllim në masën e duhur në vendin tonë? A ka shtigje ku penetrohet për abuzime?

Pavarësisht masave të parashikuara në kuadrin rregullator dhe në sistemin elektronik të prokurimit, vendimin mbi përzgjedhjen e fituesve në tenderët e organizuar e merr një komision i vlerësimit të ofertave të paraqitura, i përbërë nga të paktën tre anëtarë të përzgjedhur nga Autoriteti Kontraktor, punonjës të institucionit. Në bazë të vendimit të KVO merr vendim Autoriteti Kontraktor, duke supozuar se anëtarët e KVO dhe Titullari i Autoritetit Kontraktor gëzojnë integritet dhe janë profesionalisht të aftë të marrin vendime të drejta. Por si ndodh që perceptimi i publikut është vazhdimisht negativ në lidhje me integritetin e palëve vendimmarrëse? E thënë më thjesht, pavarësisht sistemit i cili është përafruar shumë me atë të Bashkimit Europian, në më të shumtën e rasteve dhe veçanërisht për prokurime të fondeve të mëdha për investime, tenderin e fiton i “përzgjedhuri” i Titullarit të Institucionit nëpërmjet KVO dhe jo ai që e meriton?

Kjo ndodh nëpërmjet shfrytëzimit të shtigjeve të hapura në sistem nga KVO dhe Autoritetet Kontraktore pa integritet, duke bashkëpunuar me pjesëmarrësit në tenderë, duke abuzuar me të drejtat që gëzojnë, duke stimuluar e adresuar marrëveshje të fshehta në ofertë midis operatorëve pjesëmarrës dhe nga mungesa e kontrollit në kohën e zhvillimit të tenderit, por jo vetëm. Procedurat e tenderimit të realizuara nga Njësitë Shpenzuese, i nënshtrohen dy lloj kontrolleve, të auditit të brendshëm dhe strukturave brenda institucioneve ose ministrive, të cilat duke qenë pjesë e sistemit nuk mund të mos përfshihen dhe të pasqyrojnë realitetin dhe KLSH si institucioni i auditimit të jashtëm publik, i pavarur dhe kompetent. Në këtë situatë ajo që mund t’i japë më shumë garanci publikut dhe të pasqyrojë realitetin është KLSH sesa strukturat brenda sistemit. Për shkak të kapaciteteve të tilla që nuk mund të auditohen të gjitha procedurat e tenderimit për vitet buxhetore, perceptimi i publikut dhe ajo që ndodh në të vërtetë është vazhdimisht negative. Duke njohur kuadrin rregullator dhe elementët e sistemit elektronik të prokurimit lind natyrshëm pyetja sesi manovrojnë KVO dhe Autoritetet Kontraktore për të bërë të mundur që tenderin ta fitojë operatori që atyre u intereson, në mënyrë jo të drejtë dhe nën darën e korrupsionit? Së pari, duke qenë se nuk mund të mbulohen 100% të tenderëve me auditim të jashtëm publik dhe auditimi i brendshëm është i paragjykuar në një masë të gjerë, abuzohet me të drejtën e vendimmarrjes duke i rënë shkurt se mund të mos i nënshtrohen ndonjëherë auditimit apo inspektimit. Së dyti, duke shfrytëzuar shtigjet në kuadrin rregullator dhe sistemin elektronik të prokurimit.

Në jo pak raste, KLSH ka evidentuar problematika abuzive në prokurimet publike duke adresuar investigime dhe hetime në organet ligjzbatuese për faktin se sistemi në tërësi ka shtigje që krijojnë mundësinë e kamuflimit të veprimeve gjatë vendimmarrjes. Nëse i referohemi pyetjes më sipër, sesi e realizon Autoriteti Kontraktor, nëpërmjet KVO, dhënien e një tenderi një operatori të caktuar të pamerituar, shtegu më i sigurt është fakti që kur KVO hap në sistemin elektronik të prokurimit ofertat e paraqitura, ai ka informacion për të dy fazat e tenderimit, për kriteret që duhen për kualifikim dhe për vlerën e ofertave përkatëse. Sistemi elektronik nuk bën ndarjen e rubrikave të zhvillimit të procedurave me dy faza dhe në këtë mënyrë KVO, duke ditur vlerën e ofertave, stimulon në mënyrë të kundërligjshme marrëveshje midis operatorit me vlerë më të ulët dhe operatorit që i intereson Autoritetit Kontraktor për t’u shpallur fitues. Nëse sistemi do të afishonte fillimisht kriteret e kualifikimit dhe pas shpalljes së kualifikuesve të afishonte ofertat ekonomike, ky shteg do të mbyllej. Kjo është konstatuar së fundmi nga KLSH në Bashkinë Lushnjë dhe Prrenjas ku, për veprime e mos veprime duke shfrytëzuar këto shtigje, ka rezultuar që një operator i vetëm të fitojë rreth 80 % të prokurimeve të organizuara brenda një viti nga këto institucione.  Duke ekzistuar ky shteg, janë konstatuar raste që anëtarët e KVO kanë dhënë informacion në mënyrë të paligjshme për kriteret e pjesëmarrësve në tender, me qëllim ankimin e tyre për t’i dhënë mundësinë Autoritetit Kontraktor të bëjë rivlerësime në mënyrë të paligjshme të ofertave. Në shumicën e tenderëve të organizuara nga njësitë e pushtetit vendor, duke qenë dhe më larg kontrollit, KLSH ka konstatuar se anëtarët e KVO nuk e kanë fare haberin e përdorimit të sistemit elektronik të prokurimit dhe në emër të tyre operojnë persona të tjerë ku dhe kjo mënyrë të vepruari përbën një shteg më vete për abuzime.

*Autori është Auditues i Lartë në KLSH

SHKARKO APP