Profecia e Andreotit

 Na kishte organizuar një takim me kryeministrin Andreotin! Ora 12:00. Futemi në “binanë” e qeverisë. Qëndruam disa minuta në paradhomë, duke kullotur sytë nën dekoltenë e sekretares.

-Kam vënë re,- tha Filipi.- Sa më pleq shefat, aq më të njoma sekretaret?!

-Me siguri, Italia u duket parajsë, -tha Andreoti.- Normale. Vini nga një skëterrë ekonomike. Por unë, e shoh Italinë dhe kapitalizmin në përgjithësi, në buzë të greminës. Me rënien e Murit të Berlinit, kapitalizmi qëndron i vetëm. Shumë bëjnë hosana! Vdiq socializmi! Rroftë kapitalizmi! Por unë mendoj: Çasti i triumfit të kapitalizmit është edhe çasti i krizës së tij! Në shekullin e 20-të, kapitalizmi ka mbijetuar me socializmin. Kapitalizmi mbiprodhonte. Socializmi konsumonte. Socializmi prodhonte lëndë të para. Kapitalizmi i përpunonte. Ra socializmi. Mbeti kapitalizmi. A mund të mbijetojë ky lloj kapitalizëm, në se nuk ndryshon?

-Po u them një fakt, vazhdoi Andreoti.- FMN-ja u krijua në vitin 1946, pikërisht në vitin kur bota u nda mes kapitalizmit dhe socializmit. Ka dy vjet që socializmi dha shpirt. FMN-ja është po ajo. Ka marrë në dorë “flamurin” e reformave në vendet në tranzicion…Nuk do jetë e largët dita kur reformat e bekuara nga FMN-ja do të “prodhojnë” kriza, tension, varfëri, papunësi.

Ra telefoni. Andreoti lëvizi nga vendi. Burrë i mençur, tha Azemi…Foli si profet, thashë unë… Kryeministri u kthye disi i shqetësuar.

-Një nga ministrat ka dhënë dorëheqje…Më hap ca telashe…Por le të vazhdojmë bisedën. Edhe politika ka mbijetuar duke pasur si partner socializmin. Me frikën nga komunizmi, ushtria merrte pjesën e luanit nga buxheti i shtetit. Ra komunizmi. Ka ardhur koha të ndryshojë politika. Të ndryshojnë partitë. Po nuk u bë kjo sot, nesër Partia Demokristiane dhe partia Socialist e Kraksit do të mënjanohen nga skena politike.

Viti 1992. Adreoti dha dorëheqje. Partia Demokristiane u nda. U coptua. Të njëjtin fat pati edhe partia Socialiste. Lideri historik i saj Kraksi, përfundoi në ekzil në Tunezi…Kështu u plotësua gjysma e profecisë së Adreotit.

Vitit 2011. Kriza nisi në Greqi, Itali, Spanjë, Portugali. Pastaj erdhi “sistemi domino” në gjithë eurozonën. Kapitalizmi është I vetmuar dhe në agoni…A mund ta shpëtojnë ekspertët e FMN-së? Vështirë. Recetat e FMN-së të kujtojnë citation e ekonomistit anglez, Eli Devons: “Kur ekonomistët duan të studiojnë kalin, nuk shkojnë të vëzhgojnë kalin. Ata ulen në tavolinë dhe pyesin veten: Çfarë do të bëja nëse do të isha kalë?!”

SHKARKO APP