Profili i Bashkisë Durrës
Durrësi është qyteti me aktivitetin më të madh ekonomik pas Tiranës, por urbanizmi i shpejtë dhe pa kriter ka krijuar një varg problemesh që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Të dhëna të përgjithshme Zona Gjeografike: Bashkia Durrës kufizohet në perëndim me Detin Adriatik, në veri me bashkinë Kurbin, në lindje me bashkitë Krujë, Vorë e Shijak dhe në jug me bashkinë Kavajë. Popullsia: Sipas censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Durrës banojnë 175,110 vetë ndërsa sipas regjistrit civil popullsia rezidente është 299,989 vetë. Me një sipërfaqe prej 338.30 kilometrash katrorë, densiteti i popullsisë sipas të dhënave të Censusit 2011 është 517 banorë km2 ndërsa sipas Regjistrit Civil është 680 banorë km2. Kjo bashki përbëhet nga gjashtë njësi administrative, të cilat janë: Durrësi, Sukthi, Ishmi, Katundi i Ri, Rrashbulli dhe Manëz. Të gjitha njësitë e bashkisë së re bëjnë pjesë në rrethin Durrës, qarku Durrës. Në territorin e bashkisë së re gjenden tre qytete, Durrës, Sukth dhe Manëz si dhe 39 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie. Profili i Bashkisë Bashkia e Durrësit shtrihet përgjatë bregut të detit, nga grykëderdhja e lumit Ishëm në veri deri në kufi me Kavajën në jug. Vija e gjatë bregdetare që i shtohet qytetit të Durrësit e thekson tiparin e kësaj bashkie si zonë turistike, pasi përveç plazhit të Durrësit asaj i shtohet i gjithë gjiri i Lalëzit si dhe Kepi i Rodonit, të cilat deri tani kanë qenë pjesë e komunave Ishëm, Sukth, Katund i Ri dhe Rrashbull. Durrësi ka gjithashtu portin më të madh në Shqipëri, ku përpunohet mbi 90 për qind e të gjithë volumit të ngarkimshkarkimit portual, gjë që e bën atë nyjën më të rëndësishme tregtare në vend. Për shkak të lehtësisë që krijon porti, Durrësi është zhvilluar edhe si një qytet i rëndësishëm për manifakturën, ndërsa joshja nga turizmi ka shkaktuar gjatë dy dekadave të fundit një bum në sektorin e ndërtimit. Durrësi është një zonë me shkallë të lartë të migrimit të brendshëm, gjë që ka sjellë zgjerimin e shpejtë dhe informal të qytetit në zonën e ishKënetës si dhe përgjatë vijës bregdetare në jug të qytetit. Durrësi është gjithashtu një zonë e rëndësishme arkeologjike, pasi nën qytetin aktual gjenden disa shtresa qytetërimesh antike. Zbulimet arkeologjike janë të shumta, ndërsa ndërtimet e dekadave të fundit kanë dëmtuar një pjesë të kësaj trashëgimie. Me mbi 5600 aktivitetet ekonomike të tij dhe 15% të investimeve të huaja, Durrësi është renditur në vendin e dytë si ekonomia më e fortë e vendit, pas Tiranës. Turizmi veror dhe kulturor është një industri me ndikim të rëndësishëm në ekonominë e Durrësit. Me mbi 750.000 vizitorë në vit, kjo është zona më e rëndësishme e vendit në lidhje me turizmin masiv. Sipas Zyrës Rajonale të Punës të Durrësit, forcat aktive për të punuar llogariten rreth 54,000 njerëz. Niveli i të papunëve për rrethin e Durrësit shkon në rreth 10,38%, ku papunësia është më e përhapur te femrat. Sektori privat ka punësuar rreth 31,3%, i ndjekur nga sektori bujqësor privat me 36,7%, dhe sektori shtetëror me 21.3%. Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re Urbanizimi i shpejtë ka krijuar probleme të rënda me zaptimin e hapësirave të gjelbra dhe dëmtim të trashëgimisë arkeologjike të qytetit të Durrësit, ndërsa urbanizimi i shpejtë i bregut të detit ka krijuar mbingarkesë të shërbimeve publike dhe vështirësi në krijimin e infrastrukturës së nevojshme. Durrësi është një nga zonat më problematike sa i përket furnizimit me ujë, për shkak se burimet ujore aktuale janë të kufizuara dhe gjenden në distancë të largët, ndërsa bashkia e re nuk ka në afërsi të saj burime të tjera të pastra për shtimin e furnizimit me ujë. Ndërtimet pa kriter kanë mbingarkuar infrastrukturën aktuale urbane si kanalizimet e ujërave të ndotura, rrugët apo parkingjet publike si dhe rrezikojnë të dëmtojnë të ardhmen turistike të qytetit. Pavarësisht mbingarkimit të zonës aktuale urbane me ndërtime, zgjerimi i bashkisë me komunat përgjatë bregut të detit krijon një sfidë të mëtejshme, pasi edhe Gjiri i Lalzit ka filluar të sulmohet për ndërtime me apo pa leje. Balancimi i nevojës për zhvillimin e turizmit me nevojën për të ruajtur një mjedis të pastër dhe kthimi i turizmit në një aktivitet të qëndrueshëm është sfida kryesore e bashkisë së re. Ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme në zonat e urbanizuara gjatë dy dekarave të fundit si dhe ndërtimi i impianteve të përpunimit të ujërave të zeza për të shpëtuar ndotjen e bregdetit konsiderohen sfida me rëndësi të veçantë. Gjatë viteve të fundit, në qytetin e Durrësit janë krijuar lidhje rrugore me daljen e qytetit, të cilat sërish janë të pakëta për të përballuar fluksin. Lidhja me transport publik të fshatrave përbërëse të bashkisë së re me qytetin e Durrësit është një zgjidhje që shërben njëkohësisht për turizmin si dhe për vetë banorët. Shtrirja e shërbimit të pastrimit në të gjithë territorin e bashkisë së re është e domosdoshme veçanërisht për shkak se një pjesë e bregdetit si Kepi i Rodonit është i ngopur me mbetje plastike të sjella nga lumenjtë. Zhvillimi i bujqësisë në zonat rurale përreth bashkisë aktuale është një mundësi, veçanërisht sa i përket produkteve ushqimore të specializuara në shërbim të tregut turistik. Profili elektoral i bashkisë Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Durrësit kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 230,550 votues. Votuesit janë të ndarë në 310 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 51 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit,
votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.
Grida Duma, PD (APPD), CV
Ky është kurikulumi jetësor i publikuar nga kandidatja e Partisë Demokratike për bashkinë Durrës.
Lindur në 11 qershor 1977 në Durrës, ku përfundoi dhe shkollën e mesme të përgjithshme. Në vitin 1995 – 1999 kryen studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë, duke u diplomuar në Sociologji. Gjatë kësaj periudhe merr pjesë për tre vite radhazi 1996 – 1998 në Forumin e Përvitshëm për Edukimin Civil për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, organizuar nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, ku fiton dy çmime të para si folësja dhe debatuesja më e mirë, së bashku me publikimet përkatëse në periodikun e universitetit. Në periudhën 1997 – 1998 ka punuar si koordinatore projekti pranë Këshillit Rinor Shqiptar, dhe në vitet 1999 – 2009 është angazhuar në sektorin privat të ndërtimit si Drejtore Ekzekutive. Në vitet 2002 – 2004 kryen studimet dhe merr titullin Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë dhe nga Universiteti i Nebraskës në Linkoln, SHBA. Në vitin 2006 merr titullin Doktor i Shkencave Ekonomike. Në vitet 2004 – 2008 është lektore me kohë të pjesshme në Departamentin e Menaxhimit të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa në vitin 2007 – 2008 lektore në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Në vitet 2008 – 2011 ka qenë lektore dhe më pas Shefe e Departamentit të Sociologjisë të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Në këtë periudhë ka qenë edhe lektore në nivelin master shkencor në Shkencat e Komunikimit dhe Menaxhimit pranë Universitetit Evropian të Tiranës si dhe master shkencor në Administrim në Universitetin Marin Barleti. Gjithashtu ka qenë eksperte, udhëheqëse dhe konsulente e një sërë projektesh në fushën e arsimit të organizatave dhe fondacioneve që veprojnë në Shqipëri si OSBE dhe Fondacioni Soros. Karriera e saj përfshin rreth 15 botime shkencore dhe artikuj të paraqitur në konferenca dhe periodikë ndërkombëtare, dhe po aq artikuj dhe publikime me karakter politik dhe social në shqip. Nga tetori 2011 deri shtator 2013 kryen funksionin e Zëvendësministres së Integrimit. Më pas kryen funksionin e pedagoges në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin Evropian të Tiranës. Në tetor 2014 zgjidhet Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Vangjush Dako, PS (ASHE), CV
Ky është kurikulumi jetësor i publikuar nga kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Durrës.
Zoti Vangjush Dako u lind në Durrës, më 29.11.1966. Në qytetin e lindjes kreu studimet e mesme. Shkollën e lartë e mbaroi në vitin 1991 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Eshtë një prej veprimtarëve të lëvizjes studentore të atij viti, që shpërfaqi idealin e një brezi të ri për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa. Për një periudhë të shkurtër punoi pranë ndërrmarjes së shfrytëzimit të ujërave. Më pas, për një periudhë afro 10 vjeçare, iu kushtua tërësisht nismës private, duke themeluar e zhvilluar veprimtarinë e sipërmarrjes së lirë. Në vitet 20012002 ka drejtuar shërbimin e policisë ndërtimore në qarkun e Durrësit, duke qenë njëherësh anëtar i këshillit të rregullimit të territorit, detyrë prej së cilës u largua me dorëheqje. Në vitet 20042005 ka drejtuar zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (hipotekës) të qarkut, detyrë me të cilën gjithashtu është ndarë me dorëheqje. Në këto përvoja shërbimi e komunikimi me qytetarët z. V. Dako u njoh në imtësi me shqetësimet e bashkësisë dhe gjithashtu bë i njohur prej popullit për hapjen e zyrave dhe të shërbimeve publike. Megjithëse në detyra të vështira, duke ofruar barazi ligjore në shërbimin ndaj qytetarëve, ai krijoi emrin e mirë dhe fitoi nderimin e merituar të popullit të Durrësit. Në ushtrimin e përgjegjësive publike z. V. Dako ka meritën që i çbunkerizoi në mendësi zyrat që kryesoi, duke i afruar ato me qytetarët. Emri i z. Vangjush Dako bashkon qytetarinë në ushtrimin e detyrave shtetërore dhe suksesin e padiskutueshëm në ushtrimin e nismës së lirë private. Z. Vangjush Dako konkurron për të investuar emrin, nderin, zotësitë, cilësitë dhe përgjegjësitë në shërbim të qytetit të vet.
*BIRN – Lindita Çela