Programi i Shpërblimit Alpha Bank Bonus me kartat American Express
Në datë 23 shkurt, Alpha Bank Albania organizoi një aktivitet me rastin e hedhjes me sukses në treg të programit të shpërblimit Alpha Bank Bonus. Nëpërmjet këtij programi, të gjithë kartëmbajtësit e kartave prestigjoze American Express në Shqipëri, përfitojnë rimbursim për blerjet e tyre në një listë tregtaresh të përzgjedhur.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtoria e Biznesit Bankar me Pakicë të Alpha Bank Albania, znj. Brunilda Isaj falenderoi të gjithë tregtarët pjesëmarrës në këtë program dhe tha se “Suksesi i këtij programi nuk është i rastësishëm. Ky sukses vjen si rezultat i sinergjisë ndërmjet Alpha Bank Albania, markës së fuqishme American Express dhe bizneseve të përzgjedhura në Shqipëri, të cilët së bashku janë një ekip i fortë, i dedikuar për t’i ofruar klientit sa më shumë përfitime”. Znj. Isaj vijoi fjalën e saj duke falenderuar për pjesëmarrjen në këtë aktivititet drejtuesit e bizneseve dhe korporatave që kanë përzgjedhur Alpha Bank Albania si institucionin e tyre të besuar financiar si dhe klientët individë, anëtarë të kartave American Express për besnikërinë e tyre përgjatë këtyre viteve.
Alpha Bank Albania është lëshuese ekskluzive e kartave American Express në Shqipëri që prej vitit 2008 dhe aktualisht numëron më shumë se 15,000 karta American Express. Kartat American Express shoqërohen më përfitime të shumta si: zbritje në tregtarë të shumtë brenda dhe jashtë Shqipërisë, pagesa më këste dhe sigurim gjatë udhëtimeve me avion për incidente të lidhura me humbje apo vonesë bagazhesh, vonesë fluturimi apo aksidente gjatë udhëtimit të tyre (për sa kohë bileta e tyre e avionit është blerë pjesërisht ose tërësisht me kartat American Express).
Alpha Bank Albania është pjesë e Grupit Alpha Bank, themeluar që prej vitit 1879 dhe është një nga bankat dhe grupet financare kryesore në Greqi, duke i ofruar një gamë të gjerë shërbimesh, individëve, bizneseve të vogla dhe të mesme, korporatave, nëpërmjet kartave të kreditit, drejtimit të aktiveve, veprimtarive bankare të investimit, veprimtarive bankare vetjake, veprimtarive të ndërmjetësit, leasing dhe factoring, etj. Alpha Bank është gjithashtu aktive në tregun ndërkombëtar bankar, me prani në Qipro, Rumani, Bullgari, Serbi, Shqipëri, Ish-RJ e Maqedonisë dhe Mbretërinë e Bashkuar.