Programi Kombëtar Ekonomik, ç’parashikohet në 2015-2017?
Shqipëria pritet që të shënojë një rritje të dukshme ekonomike gjatë periudhës së tre viteve në vazhdim. Kjo konfirmohet në Programin Kombëtar Ekonomik 2015-2017 të hartuar nga qeveria dhe tashmë të zyrtarizuar. “Në periudhën afatmesme pritet një përmirësim i situatës ekonomike. Rritja ekonomike pritet të përshpejtohet në mënyrë të qëndrueshme duke arritur në 4.5% në vitin 2017, nga 1.4% që ishte në vitin 2013. Megjithatë, ekonomia pritet të vazhdojë të operojë më poshtë nivelit të saj potencial të rritjes në 2015 dhe hendeku pritet që të mbyllet në gjysmën e parë të vitit 2016. Rritja ekonomike parashikohet të jetë respektivisht 3% dhe 4% për vitet 2015 dhe 2016”, citohet në këtë dokument. Teksa argumentohet që konsumi privat dhe investimet pritet të jenë pikërisht gjeneratorët kryesorë të rritjes. “Eksporti i mallrave dhe shërbimeve, veçanërisht shërbimet turistike, priten të performojnë mirë në afatin e mesëm, me një rritje mesatare vjetore prej 6%. Megjithatë, kërkesa e jashtme neto pritet që të vazhdojë të ketë një kontribut negativ në rritjen ekonomike për shkak të importeve të larta të pritshme të mallrave kapitale që do të përdoren në dy projektet kryesore të energjisë, përkatësisht tek TAP dhe hidrocentrali i Devollit. Për këtë arsye, kontributi pozitiv i investimeve private në rritjen ekonomike pritet të jetë më i lartë”, sqarojnë mes të tjerash ekspertët e qeverisë për pritshmëritë ekonomike në vijim. Por edhe duke theksuar se pavarësisht se politika fiskale do të vazhdojë të jetë qartësisht e orientuar drejt konsolidimit, në terma afatmesëm dhe afatgjatë, politika buxhetore e qeverisë për të ruajtur një nivel të investimeve publike të paktën sa 5% e PBB-së, do të nxisë më tepër formimin bruto të kapitalit fiks në ekonomi, i cili është sipas tyre vendimtar për mbështetjen e niveleve të larta të rritjes. Duke përfunduar se nga ana tjetër, politika fiskale e planifikuar për periudhën afatmesme, do të reflektohet kryesisht në nivelin e pandryshuar të konsumit publik. Ndërsa rritja e konsumit privat, pritet që të përmirësohet përderisa besimi i konsumatorëve parashikohet të rritet dhe masat e taksave të zbatuara në vitin 2015 do të jenë të fundit e këtij lloji. Në të njëjtën kohë, qëndrimi akomodues i politikës monetare që parashikohet për periudhën afatmesme, për sa kohë që presionet inflacioniste pritet të mbeten në nivele të ulëta, do të mbështesë gjithashtu edhe konsumin privat, edhe investimet.
TREGUESIT
Rritje e të ardhurave
dhe e tregut të punës
Në të njëjtën kohë, Programi Kombëtar Ekonomik 2015-2017 konfirmon se rritja e konsumit privat gjatë periudhës së parashikimit, pritet të mbështetet nga zhvillimet pozitive në tregun e punës, të cilat do reflektohen në një rritje të qëndrueshme të punësimit dhe të pagave. Kjo duhet sipas tij më pas, të stimulojë rritjen e të ardhurave reale të disponueshme të familjeve. Nga ana tjetër, rritja e huave konsumatore, është parashikuar që të nxitet nga përmirësimet e kushteve financiare të familjeve dhe nga standartet e lehtësuara të kreditimit. Teksa thuhet edhe se qasja e kujdesshme e konsumatorëve do të vazhdojë të ushtrojë një farë fërkimi frenues në rritjen e konsumit.