Projekt-Buxheti 2016, 418 miliardë lekë të ardhura dhe 454 shpenzime

 

418 miliardë lekë të ardhura dhe 454 miliardë lekë shpenzime, duke krijuar së bashku një defiçit prej -34 miliardë lekësh. Kjo është skema paraprake e treguesve kryesorë që përcakton qeveria për buxhetin e vitit të ardhshëm. Të përfshira në dokumentin e Projekt-Buxhetit 2016, këto shifra tregojnë në fakt sesi ekspertët e qeverisë kanë hipotekuar mënyrën sesi shteti do të prodhojë para’, por edhe t’i shpenzojë ato në të njëjtën kohë gjatë 12 muajve të vitit 2016.

Kështu, mësohet se qeveria ka miratuar mbrëmjen e së mërkurë projekt-buxhetin e viti 2016, (ende jo publik), teksa përgatitjet për buxhetin kishin nisur prej disa muajsh nga ministritë, por miratimi i projektit nuk ishte i pritshëm brenda kësaj jave.

Brenda tij, parashikimet fillestare projektojnë një rritje të ekonomisë në vitin e ardhshëm me rreth 700 milionë euro.

Gjithashtu, mësohet se në projekt-buxhetin 2016 qeveria ka shkurtuar shpenzimet e përgjithshme buxhetore me 1 për qind në krahasim me këtë vit, duke sinjalizuar për një tendencë të fortë drejt konsolidimit fiskal, duke shkurtuar shpenzimet buxhetore dhe duke mënjanuar uljen e taksave.

Gjithashtu, sipas draftit që është ende në përpunim e sipër, të ardhurat ruajnë një tendencë rritje me 5% në krahasim me parashikimin e këtij viti.

SHKARKO APP