Projekt-buxheti 2016, ja taksat që ndryshojnë

 

Qeveria lajmëron në relacionin që shoqëron projektbuxhetin 2016 se politika fiskale për periudhën afatmesme 2016 – 2018 do të jetë e orientuar drejt konsolidimit fiskal, duke siguruar një nivel optimal investimesh mbi 5 për qind të PBB (përfshirë këtu edhe Fondin e Zhvillimit Rajonal si dhe investimet në sektorin e energjisë të financuara nga buxheti i shtetit). Ndërkohë, sipas relacionit, akciza e birrës vendase dhe prodhimeve të ngjashme do të rritet për shkak të marrëveshjeve me Bashkimin Europian për prodhimet vendase.

Ky kuadër fiskal synon një deficit fiskal prej 2.2 për qind të PBB-së për 2016, nga 4.1 për qind i programuar për vitin 2015, një nivel prej 1.4 për qind të PBB në 2017 dhe 0.5 për qind e PBB në vitin 2018, referon Ministria e Financave në dokumentet shoqëruese të projektbuxhetit.

Ndërkohë, balanca primare është programuar të kalojë në suficit të lehtë prej 0.3% të PBB që në vitin 2016, e me një përmirësim prej rreth 1 pikë përqindje në vitet në vijim. Kjo ulje e deficitit do të bëjë të mundur që niveli i borxhit publik ndaj PBB-së të fillojë të ulet në vitin 2016, për herë të parë që nga viti 2010, duke vijuar uljen graduale edhe në vitet në vijim. Borxhi publik pritet që të bjerë në nivelin e 70.9 për qind të PBB-së për 2016-ën, 68 për qind në 2017-ën dhe në tej në 63.9 për qind në vitin 2018.

Ministria e Financave argumenton se ky kuadër fiskal përfshin një serë politikash buxhetore për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të kompensuar efektet shtrënguese të konsolidimit fiskal. Investimet publike në periudhën afatshkurtër dhe afatmesëm parashikohen të mbahen mbi 5 për qind të PBB-së, e cila është e rëndësishme për të ushqyer kërkesën agregate në afat të shkurtër dhe për ta zhvendosur rritjen ekonomike në një nivel të më të lartë në afat të mesëm dhe të gjatë.

Rritja reale ekonomike parashikohet që të përshpejtohet gradualisht nga 2.1 për qind që ishte në vitin 2014, në rreth 4.2 për qind në vitin 2018. Qeveria thotë që rritja ekonomike pritet të mbështetet nga një nivel më i lartë i kërkesës së brendshme, ndërkohë që kërkesa e jashtme neto pritet të ketë një efekt ngadalësues duke faktorizuar edhe efektin e pritshëm të rritjes së importeve si rrjedhojë e projekteve të mëdha energjetike që priten të realizohen gjatë viteve në vijim. Niveli i inflacionit që parashikohet për këtë periudhë është 2.3 për qind për 2016, 2.7 për qind për vitin 2017 dhe 3 për qind vitin 2018.

Ndryshimet fiskale dhe efektet në buxhet

Paketa Fiskale e vitit 2016 parashikon disa ndryshime në sistemin e taksimit. Sipas relacionit te Ministrisë së Financave, të ardhurat nga politika fiskale sjellin një shumë modeste, prej 1,44 miliard lekësh, për arsye edhe të faktit se tërësia e masave të programuara si pjesë e paketës fiskale, kryesisht konsistojnë në rregullime të disa taksave, që nga vetë natyra nuk gjenerojnë shumë të ardhura, si më poshtë:

Zëri “Akciza”, produkti “Birra”

Ndryshon niveli i akcizës së birrës, nga 360 lekë/HL/shkallë alkoolometrike për prodhim vjetor nën 200 mijë hl dhe 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike, në 400 lekë/HL/shkallë alkoolometrike për prodhim vjetor nën 200 mijë hl dhe 600 lekë/HL/shkallë alkoolometrike.

Arsyet: Niveli aktual i akcizës është sipas nenit 4 të direktivës së BE-së, si dhe në mbrojtjen e prodhimit vendas. Diferenca midis pragjeve është sa ½ ; Deklarimit i nivelit të prodhimit më pak se 200 mijë hl, për të paguar normë të ulët të akcizës; Zvogëlim gradual i nivelit të akcizës midis pragjeve për të kaluar më pas në një normë taksimi, pa pragje.

Efektet: -17 milion lekë

Zëri “Akciza”, produkti “Cigaret dhe duhani i grirë”

Akciza e cigares dhe duhanit nuk rritet në vitin 2016. Parashikuar në ligj, nga 1 janar 2016, cigaret 6 000 lekë /1000 copë dhe duhani 5 100 lekë/kg.

Arsyet: Rritja e nivelit të akcizës ka ndikuar në rënien e sasive të importuara; Diferencat e nivelit të akcizës me vendet fqinje. Niveli i akcizës për cigaret në vendin tonë është më i lartë se në vendet fqinje, gjë e cila favorizon kushtet për kontrabandë apo blerje të vogla nga këto vende.

Efektet: 700 milionë lekë

Lidhur me llogaritjen e efekteve të mosrritjes së akcizës së cigareve për vitin 2016, analiza është bërë si vijon. Për vitin 2015, pritshmëria e importeve të cigareve është prej rreth 2,600 ton cigare. Në rast se akciza e cigares do të vazhdojë rritje edhe për vitin 2016, të ardhura shtesë nga akciza e rritur, me të njëjtin nivel importi prej 2,600 ton cigare sikurse 2015, do të sjellë rreth 14,7 miliardë lekë, nga 13,4 miliardë lekë që pritet të mblidhen për vitin 2015. Pra diferenca është pozitive prej 1,2 miliard lekë. Mirëpo, rritja e nivelit të akcizës sjell uljen e importeve të cigareve për arsye të elasticitetit të rritjes së çmimit të cigareve, sikurse ndodhi në vitin 2015. Në parashikimin e të ardhurave për vitin 2016, janë vlerësuar rreth 3000 ton importe cigare, të cilat me normën aktuale të akcizës do të japin rreth 15,5 miliard lekë. Pra, bazuar në këto vlerësime, efekti i mosrritjes së akcizës së cigareve vlerësohet rreth 743 milion lekë.

Zëri “Taksa nacionale dhe të tjera”: Taksa mbi primet e shkruara rritet nga 3% në 10%.

Arsyet: rezulton se TVSH-ja e përjashtuar, për primet për vitin 2015 vlerësohet të jetë 1.3 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga primi vlerësohen të jenë 220 milionë lekë për vitin 2015. Diferenca e krijuar nga ulja e TVSH nuk u reflektua tek çmimet e konsumatorit pra ka shkuar tek kompanitë e sigurimit. Në këto kushte, propozohet që të rritet masa e taksës së primit nga 3% në 10%, për të ruajtur nivelin e të ardhurave nga heqja e TVSH-së.

Efekti: +700 milionë lekë

Zëri “Taksa nacionale dhe të tjera”: Aplikimi i rentës minerare për mineralet jometalike në bazë të sasisë e jo vlerës

Arsyeja: Renta si % mbi çmimin incentiv për të deklaruar çmim më të ulët; Efekti : 400 milion lekë më shumë nga miradministrimi.

Zëri “Taksa nacionale dhe të tjera” – Taksë për makinat luksoze

Arsyet: Taksohen më shumë makinat luksoze, që konsiderohen si mall luksi; Kjo masë taton individin e pasur që ka në pronësi një makinë me cilindratë mbi 3000 cm3; Taksa e regjistrimit të makinave luksoze dhe taksa vjetore makinave luksoze, do të jenë, respektivisht, 70 mijë lek për regjistrimin dhe 21 mijë lek

Efekti : +400 milion lekë

Zëri “Taksa të veta të pushtetit vendor”: Niveli i taksës së fjetjes në hotel të bëhet 140 lekë (1 euro):

Arsyeja: Taksa aktuale si përqindje ndaj çmimit të fjetjes incentivë për të nëndeklaruar çmimin.

Efektet: Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit mbi daljen e 3,672,591 shtetas të huaj nga Shqipëria për vitin 2014 dhe duke supozuar se kanë qëndruar vetëm një natë në hotel, efekti teorik në të ardhura është rreth 510 milionë lekë nga rreth 85 milionë lekë që mblidhen nga kjo taksë.

Zëri “Taksa të veta të pushtetit vendor”

Vendosja e taksës së pasurisë mbi truallin në masën 5600 lek/ ha, 4200 lek/ha, 2800 lekë/ ha dhe 1400 lekë/ha sipas 4 kategorizimeve të rretheve:

Arsyeja: Trualli është pasuri e paluajtshme njësoj si ndërtesa dhe toka bujqësore.

Efektet: Të ardhurat janë 180 milionë lekë bazuar në llogaritjen e 50 mijë ha truall.

Zëri “Taksa të pushtetit vendor”-Përjashtim nga Tatimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël të zejtarëve.

Arsyet: Lehtësi fiskale për promovimin e profesioneve të punës së dorës.

Efekti : I papërfillshëm.

Zëri “Taksa të pushtetit vendor”-Përjashtim dhe norma më të ulëta të tatimit të thjeshtuar mbi biznesin e vogël.

Arsyet: Zerohet dhe ulet tatimi mbi biznesin e vogël; Është përcaktuar një politike e re e taksimit të biznesit të vogël në vend. Propozohet që tatimpaguesit me qarkullim nga zero deri në 5 milionë lekë të kenë tatim të thjeshtuar të fitimit të biznesit të vogël zero lek nga 25000 lekë në vit që është për tatimpaguesit me qarkullimin nga 20 deri në 2 milion lek dhe 7,5% që është për tatimpaguesit me qarkullim nga 2 deri në 5 milion lekë. Ndërsa tatimpaguesit me qarkullim nga 5 deri në 8 milionë lekë të kenë normën e tatimit prej 5 për qind të fitimit neto nga 7,5% që është aktualisht. Lehtësimi i barrës tatimore të rreth 72 700 tatimpaguesve në vend, nga të cilët për 70 638 tatimpagues bëhet zero niveli i taksës, ndërsa për 2332 të tjerë ulet norma e taksës me 33%.

Efekti : -1,3 miliard lekë

Zëri “Fondet Speciale” – Rritet baza e kontributeve për profesionet e lira

Arsyet: Profesionistët e lirë paguajnë kontribute si një i vetëpunësuar; Statusi ekonomik i tyre nuk mund të barazohet me të vetëpunësuarit e tjerë; Pagesa e kontributeve do të bëhet në bazë të pagës maksimale në shkallë vendi, për efekt të kontributeve.

Efekti: +1,1 miliard lekë.

SHKARKO APP