Projektbuxheti 2016 mbërrin në qeveri
Projektbuxheti i vitit 2016 ka mbërritur në Këshillin e Ministrave për diskutim. Sipas burimeve nga ministria e Financave, projektbuxheti po shqyrtohet në Këshillin e Ministrave, njëkohësisht edhe nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili mbërriti në vendin tonë më 28 tetor. Burimet thanë se Këshilli i Ministrave ka zhvilluar një mbledhje jashtë radhe për të diskutuar p/buxhetin.
Ekspertët e Drejtorisë së Buxhetit në Ministrinë e Financave, thanë burimet, kanë hartuar projektbuxhetin e vitit 2016 bazuar në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal, të rishikuar, për periudhën 2016 – 2018, miratuar në qeveri në fund të muajit korrik të këtij viti.
Sipas të dhënave të miratuara në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal, për vitin 2016 planifikohet një rritje ekonomike prej 3.4 % të PBB-së. Të ardhurat parashikohen rreth 422, 984 milionë lekë, ndërsa shpenzimet 464, 959 milionë lekë.
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kryesuar nga shefja e misionit Anita Tuladhar nisi të mërkurën e javës që lamë pas takimet zyrtare me autoritetet më të larta të vendit tonë për të diskutuar mbi treguesit makroekonomik të vendit, projektbuxhetin e vitit 2016 si dhe paketën fiskale që shoqëron atë. Burime nga ministria e Financave bënë të ditur që Misioni i FMN-së vijon takimet me zyrtarë të lartë të ministrisë së Financave, asaj të Ekonomisë si dhe Bankës së Shqipërisë.
Misioni i FMN-së do të jetë në Tiranë deri në datën 10 nëntor dhe sipas traditës do të mbyllë takimet duke dhënë konkluzionet përmes një konference të përbashkët për shtyp me ministrin Cani, ministrin e Ekonomisë, Ahmetaj, si dhe Guvernatorin Sejko.