Projekti gjerman për Shqipërinë
Nga Sadedin Çeliku
Marrëdhëniet me Republikën Gjermane kanë qenë një histori në vete dhe shkak për ndasitë e marrëdhëniet e ngrira s’ka qenë Lufta e Dytë Botërore, pushtimi dhe as reparacionet e luftës. Shkaku ka qenë politik dhe ideologjik, sepse sipas udhëheqësve shqiptarë të asaj kohe, ishte vend kapitalist dhe s’kishte asgjë të përbashkët me sistemin komunist. Kështu vazhdoi deri në vitin 1987, kohë e cila filloi të fryjë një erë e re në marrëdhëniet shqiptaro-gjermane. Pas këtij viti u vendosën marrëdhënie në nivelin më të lartë, që u kurorëzuan me vizitën e Ministrit të jashtëm të Gjermanisë zoti Hans-Dietrich-Genscher në Tiranë më 23 Tetor 1987. Sikur Shqipëria të kishte dëgjuar 30 vjet më parë mesazhet e Strauss-it, vendi ynë me siguri do të ishte pjesë e Bashkimit Europian. Kanë kaluar plot 28 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ende vërehet se bashkëpunimi nuk është ngjitur në nivelet e dëshiruara edhe pse Gjermania është vendi që e ka ndihmuar mjaft Shqipërinë.
Gjermania është bërë një shtet i fuqishëm ekonomik dhe mund ta themi pa frikë se ajo është lokomotiva e kontinentit tonë. Kisingeri ngriti dikur pyetjen se famshme “çfarë numri telefoni ka Europa”, tani besoj se mund t’i japim përgjigje. Numri i Europës është në Berlin. Pavarësisht kësaj, Gjermania përfaqëson një fuqi ekonomike, por jo ushtarake edhe pse aktualisht ka një peshë jo të vogël në eksportet e armëve. Mungesa e investitorëve të besueshëm dhe strategjikë në vendin tonë tregon se qeveritë njëra pas tjetrës nuk i kanë përcaktuar drejt prioritetet e politikës jashtëm dhe as partneritetet, shprehje kjo e kthyer në démodé sepse është përdorur për këdo, madje edhe për ato vende që s’janë fort dashamirëse me Shqipërinë e shqiptarët. Iniciativat ligjore “Shqipëria një euro”, por dhe disa masa të tjera nuk dhanë efektet që priteshin, sepse deri më sot ne nuk kemi qenë të besueshëm për investitorët e huaj. Krizat permanente politike që vazhdojnë ta brejnë ekonominë e varfër shqiptare, sigurisht që kanë lozur një rol negative për shkak se investitorët përveç stabilitetit ekonomik e financiar kërkon para së gjithash dhe stabilitet politik. Kjo klimë e mjedis i keq nuk e ka lënë rehat qeverinë të përgatitet me seriozitet për thithjen e investitorëve të huaj e strategjik, për të hartuar e miratuar një legjislacion liberal e të përshtatshëm në mënyrë që nxisw realisht kompanitë e huaja për investime.
Nga ana tjetër në mjaft foltore e takime bilaterale dhe multiraterale, dëgjohet shpesh fjala partneritet strategjik e përdorur për SHBA-në, Italinë, Francën, Gjermaninë, Kinën, Kosovën, Turqinë, Maqedoninë etj. Shkurt, ende nuk e kemi mësuar se kë kemi vërtet partner strategjik. Pra po keqadministrojmë disa fjalë që kanë mjaft rëndësi, sidomos në takimet e rëndësishme të niveleve të larta. Vendet e tjera zbatojnë politika me efektivitet për thithjen e investimeve të huaja. Aktualisht Portugalia, një vend me zhvillim të hershëm ka publikuar vendimin e qeverisë. Përmes këtij vendimi qeveria do të aplikojë “vizën e artë” për investitorët që bëjnë një aktivitet biznesi në Portugali prej 500 mijë euro e më shumë. Gjermanët kanë një shprehje “bëj gjëra të mira dhe fol për to”, ndërkohë që shqiptarët kanë çerek shekulli që s’bëjnë asgjë mirë dhe flasin kurdoherë keq, madje politikanët shqiptarë mbeten jashtë shtetit duke paditur njëri tjetrin në kanceleritë europiane.
Gjermania i ka dhënë ndihmë Shqipërisë thuajse në të gjitha fushat. Investimet e saj në vendin tonë kapin vlerën e rreth një miliard euro, ndihmë të cilën nuk e kemi përjetuar nga vende të tjera. Investimet e saj janë përqendruar në ujësjellës-kanalizime, mjedis, sektorin e mbetjeve, energjetikë, bujqësi, arsim, kulturë etj .Pra, Gjermania është donatori më i madh për ne. Çdo vit jepen dhjetëra bursa për studentë shqiptarë për universitete, mastera dhe doktoratura.
Mbështetje të madhe Gjermania ka dhënë dhe jep për trajnimin, konsulenca për qeverinë shqiptare me qëllim anëtarësimin në BE. Mbajtja e konferencës së Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor tregon qartë angazhimin e qeverisë dhe prezencën gjermane në rajon. Në fokus të asaj konference ishte rritja e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në BE. Në atë samit pala shqiptare që e përfaqësoi Kryeministri Rama u kërkua mbështetja për infrastrukturën rajonale, qendrat turistike dhe portet multimodale, teknologjinë dixhitale, hekurudhën rajonale, korridorin e kaltër, mbështetja e projektit të TAP-it, nxitjen e politikave të punësimit, etj.
Kancelarja gjermane Anxhela Merkel nënvizoi nevojën e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar si dhe realizimin e reformave të thella e të domosdoshme për afrimin e këtyre vendeve me Bashkimin Europian.
Pozita dhe opozita duhet të jenë më të përgjegjshëm kur është fjala për interesat e vendit dhe kësisoj politika e jashtme duhet të jetë në një linjë dhe jo sikundër ndodh sot. Marrja e statusit të vendit kandidat, vizita e Papës në Shqipëri dhe mbështetja ndërkombëtare që po marrim, janë ogur i mirë dhe elementë të rëndësishëm për të ardhmen tonë të përbashkët.
Një rol të rëndësishëm kanë përfaqësitë diplomatike që për hir të vërtetës po rrinë në hije dhe gati janë bërë inekzistent. Tashmë i ka ikur koha diplomacisë klasike dhe vendin e saj e kanë zënë problemet ekonomike,të bashkëpunimit ekonomik e tregëtar. Shqipëria ka një ambasador të fuqishëm që zor se e ka një vend tjetër dhe ajo është Diaspora e kudondodhur. Ata pa ndihmën e shtetit amë kanë krijuar shoqata,kanë hapur televizione në shqip, por dhe shkolla shqipe. Në këtë drejtim qeveria mund dhe duhet të bëjë më shumë për ata ambasadorë që e duan vendin e tyre dhe që janë vërtet aktiv për çështjen shqiptare.