Projekti i ri për Shërbimet Mjedisore

FORUM

Nga Rexhep Ndreu

Shqipëria është vend malor, në të cilin 60% e sipërfaqes ndodhet mbi lartësinë 600 m mbi nivelin e detit (dhe 29% e të cilës është mbi 1000 m). Rreth 1. 8 milionë banorë (48% e popullsisë) jetojnë në zonat e larta kodrinore e malore, prej të cilëve 70% janë të varfër. Shumica e familjeve në këto rajone mbijetojnë me prodhimet që realizojnë vetë, pa qenë në gjendje të kenë mbiprodhim për të shitur dhe nuk dalin me mall në treg. Me tepër se 60 % e familjeve në zonat rurale kanë nën pronësi më pak se 0. 8 ha tokë bujqësore secila. Shqipëria humbet nga erozioni çdo vit rreth 60 milionë tonë tokë, e cila shkon në det pasi përmbyt fshatra, mbush rezervuarët dhe veprat e tjera ujitëse, shkurton jetën e hidrocentraleve dhe bën shpesh të pakalueshme rrugët malore. Procesi i degradimit të pyjeve malore të vendit tonë është tepër kompleks. Të gjithë janë të prirur të kërkojnë mbrojtje nga erozioni, pasi shohin pasojat dhe dëmet e tij. Por erozioni është më i lehtë të parandalohet dhe i vështirë të kurohet. Kjo kërkon bashkëpunim dhe përpjekje nga ana e shumë specialistëve të fushave të ndryshme, me pjesëmarrjen e komuniteteve që e mbështesin jetën në këto pyje malore, si në nivel lagjeje, fshati apo pellgu ujëmbledhës. Aktualisht, rreth 44. 5% e sipërfaqes së pyjeve dhe të kullotave (ose rreth 750 mijë ha) është transferuar nën pronësi të njësive të qeverisjes vendore; në përgjithësi, këto sipërfaqe janë në gjendje të degraduara, me përjashtim të ngastrave pyjore që mbrohen nga fshati/familjet, si përdorues tradicionalë në shumë zona të Shqipërisë. Për të realizuar zhvillim të qëndrueshëm të zonave malore, për të shmangur degradimin e mëtejshëm të natyrës dhe për të frenuar e parandaluar fenomenin shkatërrues të erozionit është e domosdoshme, që në hartimin e politikave për zhvillimin e ekosistemeve malore, të mbahen në konsideratë disa parime që harmonizojnë jetën e malësorëve me natyrën ku ata jetojnë. Është kjo arsyeja pse qeveria e Shqipërisë është duke i dhënë përparësi të lartë adresimit të këtyre problemeve nëpërmjet Projektit të ri për Shërbimet Mjedisore (PMSH). PSHM-ja do të ketë tre komponentë kryesorë: mbështetje për përgatitjen dhe zbatimin e skemës së granteve IPARD-like të masave agro-mjedisore; pagesa për shërbimet mjedisore; mbështetje dhe monitorim institucional dhe zbatues.

Projekti ka si objektiv që të mbështesë praktikat e qëndrueshme të menaxhimit të tokës, me qëllim reduktimin e degradimit të saj dhe rritjen e të ardhurave për komunitetet në zonat e synuara të projektit, të cilat janë kryesisht në zonat rurale të prekura nga erozioni. Projekti, përmes granteve mbështetëse për fermerët ruralë dhe komunitetet lokale, do t’i ndihmojë ata në gjenerimin e të ardhurave, për të zbatuar, përmirësuar dhe për të bërë më të qëndrueshëm, në lidhje me praktikat e menaxhimit të tokës, por në të njëjtën kohë, do të rrisë kapacitetet e tyre, për të qenë në gjendje në të ardhmen që të thithin fondet e zhvillimit rural dhe agro-mjedisor të BE-së. Për këtë, hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm është komponenti i projektit që bën fjalë për ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të komunave dhe Shoqatave të Përdoruesve të PK-ve Komunale në Shqipëri. Nëpërmjet komponentëve 1 dhe 2, projekti do të mbështesë komunitetet e varfra rurale malore dhe do të ndihmojë në adresimin e të dy niveleve aktualisht të larta të varfërisë, por në të njëjtën kohë, do të ndihmojë në mbështetjen e përbashkët për zhvillim. Do të mbështeten fermerët dhe komunitetet rurale përmes futjes së pagesave për testimin e shërbimeve mjedisore, me mundësi të bashkëpërfitimeve, si mekanizëm të rishpërndarjes së të ardhurave dhe të financimeve për ofrimin e shërbimeve në agro-mjedis përmes granteve. Grantet do të synojnë mbështetjen e aktiviteteve, si ripyllëzimet, përmirësimet e pyjeve dhe mbrojtjen e tyre. Plot 25% e fondeve do të caktohen për investime në kontrollin e erozionit, përfshirë ndërtimin e veprave të ujit për blegtorinë dhe 15% për aktivitetet e përpunimit, përfshirë produktet pyjore jodrusore dhe produktet bujqësore. Fillimisht, shteti duhet të përcaktojë të drejtat dhe detyrimet që kanë banorët e zonave malore për pyjet dhe kullotat. Kjo, ndër të tjera, krijon edhe mundësinë që, duke shmangur shkatërrimin nga përdorimi spontan, kjo pasuri të përdoret pa e degraduar.

Filozofia e politikave për zhvillimin pyjeve malore në të ardhmen, është që të verë komunitetet rurale në rolin e drejtuesit, për vendimmarrjen në menaxhimin e pasurive natyrore. Kjo kërkon një metodë të integruar të menaxhimit të shpateve malore dhe të pellgjeve ujëmbledhëse dhe duhet të përfshijë tre llojet kryesore të përdorimit të tokës: tokën bujqësore, tokën pyjore dhe atë të kullotave. Këto politika synojnë rritjen e prodhimtarisë së tokës bujqësore dhe krijimin e mundësive për gjenerim të ardhurash, si nxitëse për përdorimin e mirë të pasurive natyrore. Një tjetër parim i rëndësishëm që duhet të merret në konsideratë nga politikëbërësit është njohja e të mirave dhe e shërbimeve publike të rëndësishme që sigurohen nga popullsia shqiptare që jeton në zonat malore. Popullsive rurale të varfra, aktualisht nuk u njihen dhe nuk shpërblehen për shërbimet mjedisore të rëndësishme që i japin shoqërisë shqiptare. Ruajtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i pasurive bazë natyrore, siç janë pyjet, tokat dhe uji, është padyshim mënyra më ekonomike për të mbështetur dhe mirëmbajtur infrastrukturën më të rëndësishme, si sistemet e ujitjes, rrugët dhe digat. Ndoshta, nga pikëpamja ekonomike, ka kosto më e ulët të paguhen malësorët për mirëmbajtjen e pyjeve sesa këto parà të shpenzohen për të pastruar, herë pas here kanalet ujitëse e kulluese, rrugët apo rezervuarët e hidrocentraleve. Aktualisht, ka një kërkesë të lartë për forcimin e sigurimit të pronësisë nga komunat dhe përdoruesit pjesëmarrës në Projektin e Pyjeve, të cilët kanë filluar të shohin rezultate të prekshme në shumë sipërfaqe pyjore të mbrojtura në mjaft zona të Shqipërisë, që gradualisht ndikojnë në shtimin e të ardhurave të drejtpërdrejta nga pyjet.

Është koha që Ministria e Pushtetit Lokal, e cila po harton Ligjin për Decentralizimin, ku parashikohet edhe kalimi i pyjeve në pronësi të komunës, të bashkëpunojë më mirë me Ministrinë e Mjedisit dhe Drejtorinë e Pyjeve, për të realizuar atë që parashikohet në ligj dhe për të rritur sigurinë e pronësisë nëpërmjet një dokumentacioni më të mirë të të drejtave të përdoruesve, si dhe regjistrimin e të gjitha pronave te ZRRPP-të. Shpresojmë që Ligji i ri i Pyjeve të përfshijë dispozita për pagesat për shërbimet mjedisore. Gjithashtu, PSHM-ja do të mbështesë ngritjen e administratave lokale e kombëtare në sektorin e pyjeve dhe do të zbatojë regjistrimin e të drejtave të pronësisë për pyjet dhe kullotat komunale. Një nxitje ose një pjesëmarrje konkurruese, përveç kritereve që përmendëm më sipër, do të ishte edhe buxheti i planifikuar për treguesit te komponentët e projektit. Sa komuna marrin pjesë nga viti i parë deri në të katërtin? Sa është buxheti i detajuar për hartimin e planeve të menaxhimit për komunat e reja? Sa është paketa për mbështetjet? Për sa vjet zgjat ajo për secilin komponent? Të gjithë këta janë tregues që PSHM-ja duhet t’i bëjë të qartë për aplikuesit, që në këtë rast janë komunat dhe shoqatat, si dhe për zbatuesit, që janë komunitetet lokale. 

SHKARKO APP