Propozimi për martesë live në Pallatin e Kongreseve
Mbrëmja e dytë gjysmëfinale e “Këngës Magjike” ka sjellë një surprizë të jashtëzakonshme për Marsidën, një vajzë e re nga Pogradeci, e cila propozimin për martesë nga i dashuri i saj e ka marrë live në skenën e festivalit. Rubrika “Një mesazh për ty” nga e “E diela shqiptare”, mbrëmë u zhvendos në Pallatin e Kongreseve, duke emocionuar publikun në sallë, por edhe atë nga shtëpia. Luli, një djalosh nga Puka, i kishte përgatitur një surprizë së dashurës së tij, Marsit, e cila u bë pjesë e “një kurthi” të ngritur nga organizatorët e KM. Marsida, e pranishme në KM me të motrën e Lulit, për një moment ka dalë jashtë sallës së festivalit, me justifikimin se kjo e fundit nuk ndihej mirë. Ky ka qenë momenti kur Arditi ka shfrytëzuar rastin për të pyetur Lulin për njohjen e dy të rinjve. Marsida, siç tha ai, i kishte pëlqyer qysh herën e parë që e kishte parë në lokalin ku ishte menaxher. Kishte bërë shumë sakrifica dhe rrugë të gjatë derisa ia kishte arritur qëllimit. Fillimisht, tregoi ai, familja e vajzës nuk ishin dakord për këtë lidhje, por vendosmëria e dy të rinjve i kishte kaluar të gjitha barrierat.