Propozohet rritja e akcizës për pijet
Top Channel ka mësuar ndryshimet e reja që qeveria do të përpiqet që t’i aplikojë për disa taksa gjatë vitit të ardhshëm. Detajet e kësaj pakete fiskale u bënë të njohura gjatë emisionit “Top Show” mbrëmjen e së martës.
Dokumentet e zotëruara nga stafi i këtij emisioni tregojnë se qeveria po përgatitet për një rritje të akcizës për birrën e prodhuar në vend me 11% dhe atë të importit me 15 për qind.
Ndërsa, për verën vendase akciza rritet me 73%, ndërsa për atë të importit akciza përkundrazi ulet me 47%. Ky propozim ende nuk ka një shpjegim nga Ministria e Financave, kur duket se nga kjo rritje e taksës goditet prodhimi vendas.
Rritje taksash do të ketë edhe për sigurimet e automjeteve me 10 për qind. Nëse ky ndryshim miratohet, shqiptarët do të paguajnë rreth 450 milionë lekë më shumë për sigurimin e automjeteve në një vit.
Në këto dokumente, Ministria e Financave justifikohet se kjo rritje e siguracionit u bë pasi u hoq një vit më parë tatimi mbi vlerën e shtuar prej 20 për qind.
Qeveria propozon edhe vendosjen e taksës për hotelerinë me rreth 1 euro ose 140 lekë për çdo natë fjetjeje. Kjo taksë pritet të japë rreth 510 milionë lekë më shumë në buxhet.
Ndërkohë, renta minerare do të aplikohet jo mbi çmimin por mbi sasitë, pasi kompanitë, më parë, për t'iu shmangur detyrimit më të lartë, raportonin çmime më të ulëta.
Qeveria propozon edhe taksat për pasuritë mbi truallin që do të jetë në tre nivele dhe luhatet nga 2,800 lekë për hektarë deri në 5600 lekë për hektarë, në varësi të zonave. E veçanta e kësaj takse është se do të paguhet jo vetëm nga pronari, por edhe përdoruesi i truallit.
“Kjo paketë fiskale që është përgatitur, ose ky draft me të cilën ne njihemi, nuk është se ka ndryshime të mëdha në tërësinë e vet nga asaj çfarë ne prisnim. Si të thuash pak a shumë janë prekur disa elementë të cilat më tepër tregojnë psikologjinë që qeveria aktuale ka e që është mos mbrojtja e prodhimit vendor një dhe e dyta është fakti që nuk ka mësuar nga të metat e paketave fiskale të viteve paraardhëse”, u shpreh Gjergj Buxhuku në “Top Show”.
“Unë e shoh akoma këtë si retushim sepse nuk arriti qeveria të vjelë produktet e duhura të strukturës tatimore progresive, të asaj që thanë tatim progresiv mbi të ardhurat. Ku është efekti pozitiv, kemi kurajon t’i themi sot të gjithë pushtetarëve mbi tatimin e të ardhurave personale në inkurajimin e ekonomisë shqiptare”, u shpreh Sherif Bundo, pedagog ne Universitetin e Tiranës.
“Është një draft që është hedhur për diskutim nga Ministria e Financave aty për të pritur reagimin e biznesit dhe opinionin e tyre mbi të. Mund t’ju them me siguri të plotë që ky nuk është drafti përfundimtar i taksave, pra nuk do të ketë rritje taksash”, deklaroi Elisa Spiropali, ish-drejtoreshë e Doganave.