
Një e shtunë tjetër protestash është zhvilluar në disa qytete të Italisë, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar rritjen e kostos së jetesës, shtrenjtimin e qirave, shpenzimet për riarmatimin dhe shkurtimet në arsim e shëndetësi. Demonstratat u organizuan në Torino, Milano, Romë, Bolonjë, Xhenova, Firence, Udine dhe Leçe, ndërsa më e madhja u regjistrua në Torino, me rreth 3 mijë pjesëmarrës.
Në marshime u përfshinë studentë, punëtorë, mësues dhe fermerë, të cilët kërkuan më shumë mbështetje ekonomike dhe mbrojtje të shërbimeve publike. Protestat u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë paqësore, pa përplasje të mëdha me policinë, dhe demonstrata në Torino përfundoi pa incidente.
Në Torino, protestuesit marshuan me pankarta kundër kostos së lartë të jetesës dhe politikave të riarmatimit, ndërsa pati edhe thirrje kundër kryeministres Giorgia Meloni dhe ministrit Matteo Salvini. Në Milano, studentët organizuan një tjetër protestë, ndërsa në Arco della Pace u zhvillua aktiviteti “Takso të pasurit”, ku kërkohej një barrë më e madhe fiskale për shtresat më të pasura.
Në Romë, marshimi nisi nga Kodra Esquilino drejt Forumeve Perandorake, ndërsa në Xhenova protestuesit kundërshtuan riarmatimin dhe shkurtimet në shërbimet publike. Disa orë para protestës në Torino, policia sekuestroi 188 kilogramë lëndë piroteknike në banesën e një 44-vjeçari në lagjen Borgo Filadelfia. Personi u referua për posedim dhe shitje të paligjshme të lëndëve eksplozive.
