Protesta në Kamëz, reagon OSHEE: Banorët të zbatojnë marrëveshjen
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) nëpërmjet një njoftimi për mediat sqaron opinionin publik në lidhje me problematikën e shfaqur me banorët që jetojnë në mjediset e ish- konvikteve të Institutit Bujqësor Kamëz.
OSHEE shpjegon se “në këto ambiente jetojnë 537 familje, të ndara në 8 godina që janë furnizuar dhe vazhdojnë të furnizohen me energji elektrike nga Instituti Bujqësor Kamëz. Ky furnizim është bazuar në marrëveshjen me këtë institucion për shlyerjen e detyrimit ndaj OSHEE-së. Deri më 31 dhjetor 2013, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.198, dt 3 prill 2014, këtyre banorëve iu është bërë një shuarje e detyrimit për faturat e energjisë elektrike në vlerën 622 milionë lekë të reja”.
Po ashtu, në njoftimin për mediat OSHEE, sqaron se “Më 30 dhjetor të vitit 2014, me ndërmjetësimin dhe të prefektit të Tiranës, u arrit një marrëveshje me familjet që të instaloheshin panele matje të konsumit të energjisë elektrike për secilën godinë, në mënyrë që pagesa për energjinë të bëhej në bazë të konsumit dhe jo aforfe si deri atëherë. Edhe pas instalimit të sistemit të matjes dhe stabilizimit të furnizimit me energji elektrike nga ana e kompanisë, familjet nuk i kanë paguar asnjëherë faturat e energjisë”.
“Në total detyrimi që 537 familje i kanë OSHEE nga 1 janari 2014 e në vazhdim është 142 milionë lekë të reja. Në këto kushte, OSHEE, është i detyruar në respektim të ligjit të bëjë ndërprerjen e energjisë elektrike deri në shlyerjen e detyrimeve për energjinë.