”Protestat do të përshkallëzohen”, Balliu: Populli do të vetëmbrohet, por nuk ushtron dhunë
Deputeti i PD-së, Klevis Balliu thotë se protesta e sotme është njoftuar sipas ligjit dhe se nuk kërkon leje nga policia, por veç njoftim zyrtar. Ai e cilësoi si “nonsens” qëndrimin e Policisë së Shtetit lidhur me organizimin e protestës, duke akuzuar drejtorin e përgjithshëm Ilir Proda për përpjekje për provokime dhe tensionim të situatës.
Balliu theksoi se protestat e opozitës kanë qenë paqësore dhe mohoi kategorikisht pretendimet për dhunë ndaj efektivëve të policisë. “Nuk ka ndodhur në asnjë rast, e kundërta ka ndodhur. Qytetarët janë duke u vjedhur, janë duke u dhunuar, janë futur në burg dhe kanë vrarë veten për 10.000 lekë drita. Pra ata janë në dhunë. Për sa kohë qytetarëve u merret prona, u merret shtëpia, ata janë nën dhunë dhe çdo lloj reagimi i tyre është në vetëmbrojtje”, tha Balliu në ”A2cnn”.
Nga ana tjetër ai tregon se protestat do të përshkallëzohen nëse nuk ka reagim nga qeveria. ”Është logjike të ketë përshkallëzim. Gjithçka, nuk përjashtojmë absolutisht asgjë. Populli nuk bën dhunë. Populli vetëm mbrohet. Dhunë nuk ka. Ka vetëmbrojtje. Për sa kohë populli është nën dhunën e shtetit, çdo akt i qytetarëve është vetëm vetëmbrojtje”, tha Balliu.
KOHA JONË SONDAZH

