Protestat e fermerëve grekë, bllokohet për katër orë aksi rrugor Kakavijë-Janinë
Protestat masive të fermerëve grekë kanë çuar në bllokimin e plotë të aksit rrugor Kakavijë-Janinë gjatë mbrëmjes së sotme. Qarkullimi u ndërpre totalisht për një afat katër orësh, duke lejuar kalimin vetëm për mjetet që transportonin raste urgjente shëndetësore. Ky veprim është pjesë e një vale protestash mbarëkombëtare që po zhvillohen në të gjithë territorin e Greqisë.
Megjithatë, pavarësisht bllokadës, situata në Pikën Kufitare të Kakavijës ka qenë e menaxhuar dhe pa fluks. Kjo pasi një pjesë e madhe e udhëtarëve ishin informuar paraprakisht për protestën dhe kishin marrë masa për të mos lëvizur gjatë këtij intervali kohor, duke shmangur kështu vonesat dhe radhët e gjata.
Sipas paralajmërimeve, protestat e fermerëve grekë pritet të vijojnë deri më 5 dhjetor, duke paralizuar segmente të rëndësishme rrugore, porte dhe pika doganore. Fermerët kërkojnë zgjidhje për pagesat e vonuara, mungesën e dëmshpërblimeve, kostot e larta të prodhimit dhe çmimet e ulëta të produkteve bujqësore. Autoritetet kufitare në Kakavijë u kanë bërë thirrje qytetarëve të planifikojnë lëvizjet në orare alternative për të evituar bllokimet.
KOHA JONË SONDAZH

