Provokimi i rrugës “Millosheviç”

Nga Ibrahim Gashi

Formimi i qeverisë pas një ngërçi të tejzgjatur politik po del se nuk ishte fundi i problemeve politike e qeverisëse në vend. Qeveria e re ende pa filluar mirë punën po teston qëndrueshmërinë e saj ndaj provokimeve që po i vijnë nga njëri prej partnerëve të koalicionit. Në shikim të parë ky fakt do të dukej i pakuptimtë, por mbase jo edhe i papritur. Kjo qeveri brenda vetes nga pjesa përfaqësuese e pakicës serbe, kësaj radhe, ka një formacion të ri partiak, krejt të ndryshëm nga partitë serbe të koalicionit qeverisës në mandatin pararendës. Rritja e presionit ndërkombëtar mbi Serbinë, për zhbërjen e strukturave politike paralele në Kosovë, që erdhi pas bisedimeve Kosovë- Serbi të zhvilluara në Bruksel dhe të ndërmjetësuara nga BE, e shtrëngoi Beogradin zyrtar që të zbus kursin e veprimit kundërshtues, por jo edhe qëllimin minues ndaj shtetit të Kosovës. Zotimi për shpërbërjen e institucioneve paralele të shtetit serb brenda shtetit të Kosovës dhe disa veprime që u morën në mbështetje të këtij zotimi, në fakt nuk shprehin ndonjë ndryshim esencial në pakësimin e influencës politike të Beogradit mbi serbët e Kosovës, rrjedhimisht as të fuqisë minuese të kësaj politike për destabilizimin e shtetit të Kosovës.

Me formimin e koalicionit parazgjedhor “Lista Serbe” për zgjedhjet lokale dhe më pastaj edhe për ato qendrore, u krijua vetëm një mashtrim optik se Beogradi po mban zotimin dhe po ndihmon në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës brenda institucioneve të Prishtinës. Krijimi i këtij koalicioni parazgjedhor, që shumë shpejt filloi të funksionoi si parti politike shumë monolite, doli si sfidë e re për institucionet e Kosovës. Të nominuarit dhe të zgjedhurit nga kjo listë, në masën më të madhe, vinin me një “eksperiencë’ të orientimit politik pro-Serbi dhe të mohimit të institucioneve të Kosovës. Madje shumë nga këta për asnjë moment as nuk e mohuan këtë proviniencë. Duke qenë se të njëjtit (Lista Serbe) si parti fituese në zgjedhje ishte këshilluar nga Beogradi që më çdo kusht të futej në koalicionin qeverisës, liderët e saj e ushtruan mjaft mirë këtë rol. Në periudhën e ngrëçit politik kur partitë politike shqiptare nuk po arrinin të krijonin një koalicion qeverisës kushtetues, lista serbe ishte aty. Ajo kishte mision futjen në qeveri ndaj dhe iu ofroi gatishmërinë për bërjen e qeverisë LAN-it dhe VLAN-it dhe më pas edhe koalicionit aktual qeverisës. Futjen në qeveri “lista” e kushtëzoj më kërkesa maksimaliste dhe padyshim, falë “lehtësirave” kushtetuese dhe praktikes nga e kaluara ajo mori pjesën e luanit në këtë qeveri, karshi numrit të ulseve që ka në kuvend. Mirëpo, siç duket, oferta kaq joshëse e kryeministrit të ri nuk i la shumë të kënaqur zyrtarët e listës serbe. Të sapoveshur më pushtet ata filluan të ngrinin kërkesa të ngutshme dhe ultimative, siç ishte krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe, moskrijimin e të cilit, siç thoshin, do ta shkëmbenin me largimin e tyre nga qeveria. Për më shumë një pjesë e këtyre zyrtarëve të lartë në sjelljet e tyre politike nuk po dëshmonin fare modesti dhe lojalitet ndaj qeverisë që i përkasin. Madje arroganca e tyre shumë shpejt u dëshmua fyese dhe provokuese jo vetëm për qeverinë dhe institucionet të cilave u takojnë por edhe për qytetarët e komunitetit shumicë. Rasti “Jabllanoviq” është një nga skandalet e para të mëdha, që lëndoi rënd imazhin e qeverisë dhe të kryeministrit në sytë e qytetarëve të vendit pa dallim. Në fakt pasojat e një deklarate tejet të pamatur të këtij ministri nga radhët e listës serbe u shpërfaqen në një zemërim të një pjese të opinionit qytetar, të prirë nga partitë opozitare, në protestën e 27 janarit 2015. Protesta, që pretekst kryesor kishte kërkesën për dorëheqjen e Jabllanoviqit, me rrjedhën dhe pasojat e saj la gjurmë të renda në momorien tonë dhe mbi të gjitha lëndoi rend raportet ndërpartiake dhe ndëretnke në vend. Përballë presionit publik, veçmas pas kësaj proteste të dhunshme, qeveria u detyrua ta largoj ministrin Jabllanoviq nga pozita, por siç duket këtu nuk përfundoi problemi. Në fakt ka mjaftë indikacione se këtu ka filluar vërtetë problemi më menaxhimin e listës serbe. Në mënyrë të pa deklaruar, por si duket më Jabllanoviqin janë solidarizuar edhe ministrat tjerë serb. Beogradi zyrtar e shkarkimin e Jabllnoviqit e ka quajtur veprim të ngutshëm të kryeministrit Mustafa, por nuk ka bërë thirrje për bojkotim të institucioneve nga ana e serbëve. Kjo sigurisht për të mos rrezikuar zbehjen e imazhit të krijuar në disa qarqe perëndimore për kinse “rolin konstruktiv” të Beogradit karshi zhvillimeve politike në Kosovë.

Në një situatë ende të paqartë, me politikën e ndërhyrjes së tillë, përmes eksponentëve të tij nga Lista serbe, Beogradi po teston qëndrueshmërinë e institucioneve të Kosovës, përball kërkesave dhe provokimeve të renda të disa përfaqësuesve politik nga radhët e kësaj liste. Kërkesa që bisedimet për Kompleksin industrial “Trepça” të jenë pjesë e bisedimeve të Brukselit, më pastaj deklaratat fyese të kryetarit të Komunës së Ranillugut në mbështetje të deklaratës së Jabllanoviqit kundër nënave të Gjakovës dhe së fundmi emërtimi nga i njëjti kryetar i njërës nga rrugët e komunës së tij më emrin e diktatorit Sllobodan Millosheviq, pavarësisht se a do të lejohet një gjë të tillë, janë një ogur i keq në sjelljen politike të liderëve të Listës. Është ndoshta herët të nxirren konkludime nga kjo përformancë politike këtyre liderëve. Uroj që këto veprime destruktive të jenë pasojë e inercionit në procesin transformues politik të tyre dhe jo pjesë e programuar në kuadër të ndonjë misioni të drejtuar kundër funksionimit të shtetit të Kosovë.

Bashkëjetesa qeverisëse midis koalicionit dhe Listës Serbe duhet parë si një nga sfidat e mëdha që ka kjo qeveri. Dallimi midis sjelljes se liderëve serb, pjesë e qeverisë së kaluar dhe liderëve të listës serbe po rezulton të jetë tepër i madh. Të parët, si duket në vendimet e rëndësishme për shtetin e Kosovës nuk ishin peng i vullnetit dhe qëndrimit politik të Beogradit, ndaj dhe vepruan si faktor koheziv në procesin e shtetndërtimit, derisa për të dytët duket se konstruktivitetin e tyre duhet kërkuar në Beogradin zyrtar. Natyrisht kjo do të jetë e mundur vetëm më politika më të qarta kushtëzuese të vendeve të BE-së ndaj Serbisë në procesin e integrimit të saj në strukturat e BE-së dhe të NATO-së.

(Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës)

 

Komisioneri për çështje të migrimit dhe shtetësi në Bashkimin Evropian jep shpresa për procesin

Kosova drejt liberalizimit të vizave

Komisioneri për çështje të migrimit dhe shtetësi në Bashkimin Evropian, Dimitris Avramopoulos, tha në Prishtinë se ai është i bindur se Kosova së shpejti do ta këtë datën e liberalizimin e vizave. Këtë deklaratë, komisioneri Avramopoulos, e bëri gjatë një vizite që realizoi të dje në Kosovë, ku takoi të gjithë udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës. "Së shpejti do të jepet një lajm i mirë për Kosovën rreth liberalizimit të vizave. Rruga nuk është e largët, por normalisht duhen plotësuar kriteret. Kosova duhet të shënojë disa përparime të ndjeshme në luftimin e korrupsionit dhe migrimit të paligjshëm, para se të marrë datën e liberalizimit", tha Avramopoulos, gjatë një konference të përbashkët për media me dy ministra kosovar, atë Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni dhe ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. "Vetëm me rezultate të vërteta në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në profilet e larta dhe me ndërmarrjen e masave për parandalimin e krizave aktuale të migrimit të paligjshëm do të më mundësonte mua personalisht që në emër të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian t'i njoftoj qytetarët e Kosovës se mund të lëvizin pa viza", tha Dimitris Avramopoulos, duke shfaqur besimin se qeveria e Kosovës do t'ia dalë që t'i përmbushë detyrimet dhe reformat në mënyrë që të marrë edhe datën për liberalizim të vizave. "Jam shumë optimist për marrëdhëniet tona në të ardhmen dhe nuk është e largët dita kur do të jemi në gjendje që ta shpallim datën e liberalizimit të vizave", ka thënë Avramopoulos. Dialogu për liberalizim të vizave për Kosovën, migrimi ilegal, konsolidimin e sundimit të ligjit dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë, ishin temat qendrore për të cilat Komisioneri për çështje të migrimit në Bashkimin Evropian, Dimitris Avramopoulos, bisedoi me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. E sa i përket migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri, Isa Mustafa, gjatë takimeve të veçuara e njoftuan komisionerin Avramopoulos mbi angazhimin e institucioneve të Kosovës për ndërprerjen e dukurisë së migrimit ilegal, fenomen ky që ishte shumë i theksuar në fund të vitit të shkuar dhe në këtë fillimviti. "Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave dhe se prioritet për të gjithë qytetarët pa dallim është integrimi në Bashkimin Evropian, prandaj vendi ynë duhet të ketë perspektivë të qartë evropiane", tha presidentja Atifete Jahjaga. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe komisioneri Avramopulos, konstatuan se tashmë është vendosur nën kontroll fluksi i emigracionit. Kryeministri Isa Mustafa, ritheksoi nevojën për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova është i vetmi vend në Evropë me regjim vizash. Po ashtu kryeministri Isa Mustafa, veçoi nevojën që Kosova të nënshkruaj marrëveshje për punësim sezonal të kosovarëve në vende të Bashkimit Evropian.

SHKARKO APP