PS-ja paditi Komisionin Rregullator, nesër hidhet shorti në Kolegjin Zgjedhor
PS-ja ka dërguar në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor kërkesëpadinë ndaj Komisionit Rregullator në KQZ, ku kundërshton mosmarrjen e vendimit për miratimin e disa afateve procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme të datës 09 nëntor 2025 për kryetar në bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë.
Nesër në ora 09:00, në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, do të hidhet shorti për përcaktimin e trupit gjykues të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, për gjykimin e kësaj kërkesë-padie.
Komisioni Rregullator shqyrtoi dje 4 projektvendime për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në Tiranë, Tepelenë, Cërrik, Berat, Mat dhe Vlorë, që do të mbahen në datën 9 nëntor.
Projektvendimet për afatet procedurale, specifikimet teknike të fletës së votimit, përdorimin e pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe përdorimin e kamerave regjistruese e monitorët për shfaqjen e fletës së votimit në Vendet e Numërimit të Votave, nuk u miratuan, pasi nuk morën kuorumin e nevojshëm të votave.
KOHA JONË SONDAZH

